VETËVARJA/ Ruzhdie Hoxha ka vendosur të vrasë veten në kushtet e depresionit pasi i biri ndërroi jetë nga temperatura
Xhionaldi 9-vjeçar kishte disa ditë që ishte i sëmurë me grip dhe me temperaturë dhe ka vdekur gjatë natës
TIRANË - Nuk kishte për çfarë ta donte më jetën pa djalin e saj të vetëm. Me këtë arsyetim të ndikuar në kushtet e një depresioni të rëndë, nëna vret veten pasi djali i saj kishte ndërruar jetë gjatë natës për shkak të temperaturës së lartë. Tragjedia ndodhi paraditen e djeshme në Kodër Kamzë, kur nënë e bir:
Ruzhdie Hoxha, 31 vjeçe, dhe Xhionald Hoxha, 9 vjeç, janë gjetur të vdekur nga fqinjët në dhomën e gjumit në apartamentin e tyre. Forca të shumta policie mbërritën në vendin e ngjarjes për të sqaruar rrethanat e vdekjes së dyfishtë, teksa nga dëshmitë ka rezultuar se 31-vjeçarja ka gjetur djalin e saj të vdekur dhe më pas ka kaluar në depresion duke varur veten.
Sëmundja
"Kam djalin sëmurë me grip. Ka edhe temperaturë" u kishte treguar dy ditë më parë 31-vjeçarja Ruzhdie Hoxha fqinjëve të saj.
Mësohet se Hoxha jetonte në shtëpinë e saj në Kodër Kamzë të Tiranës me djalin e vetëm Xhionaldin, ndërsa kryefamiljari ndodhej emigrant në Greqi prej disa muajsh. Ende nuk dihet nëse 31-vjeçarja e ka dërguar djalin e saj për vizitë në spital, ndërsa ishte shprehur se kishte thjesht një grip dhe do të kalonte.
Por, në fakt, nuk ka ndodhur kështu. Mbrëmjen e së enjtes 9-vjeçari nuk ka pasur temperaturë të lartë duke qetësuar nënën e tij, e cila ka rënë për të fjetur bashkë me të. Përgjatë natës dyshohet se 31-vjeçaren e ka zënë gjumi dhe ndërkohë të birit i është rritur temperatura shumë. 9-vjeçari ka kaluar në gjendje kome e më pas ka ndërruar jetë. Vetëm në mëngjes kur është ngritur nga gjumi (sipas hetimeve) ajo ka parë të birin të vdekur.
Ngjarja
Dhimbja duket se ka qenë në ekstremin e saj për 31-vjeçaren, e cila ndodhej e vetme në shtëpi me djalin e pajetë. Ajo nuk ka kërkuar ndihmë, por ka gjetur në banesë një litar dhe në dhomën e gjumit pranë djalit të saj, ka varur veten.
"Dyshohet se ajo mund të ketë menduar se, nëse kërkonte ndihmë te fqinjët, ata nuk do ta linin të vdiste.
Gruaja ka kaluar në depresion sapo ka parë djalin e vdekur dhe menjëherë ka vendosur t'i japë fund jetës", thanë burimet policore, të cilat kanë marrë në pyetje shumë të afërm dhe fqinjë të familjes Hoxha, si dhe kanë bërë rindërtimin e ngjarjes.
Sipas burimeve, në vendin ku u gjet trupi i pajetë i 9-vjeçarit, ishte rrëmujë çka hedh dyshime se nëna e tij, nga dhimbja, ka prekur çdo gjë i ka dalë përpara, ndërsa ka lëvizur edhe djalin në tentativë për ta zgjuar para se të kuptonte se kishte vdekur.
Pallati ku banonte familja Hoxha për disa orë me radhë ka qenë e blinduar nga policia, ndërsa të afërm dhe banorë të lagjes përreth kanë mbërritur menjëherë të shokuar. Mësohet se pritet kthimi i babait, i cili ndodhet emigrant në Greqi për të siguruar të ardhura për familjen e tij, e cila u shua mëngjesin e djeshëm.
Krijoni Kontakt