Leter e hapur:

Çashku i shtrin dorën Berishës
» Dërguar më: 09/04/2009 - 14:00


L




Zotit Sali Berisha,
Kryetar i Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, nga Akademia e Filmit & Multimedias Marubi

Zoti Kryeministër,
Gjatë muajit shkurt e në vazhdim Akademia e Filmit dhe Multimedias “Marubi” po përballet me një situatë mjaft dramatike për mbarëvajtjen e aktivitetit të saj.
Segmente të caktuar të administratës shtetërore me mendësi të kufizuara e jo integruese, të cilët e shohin artin e kulturën thjesht si “biznes”, kanë çuar në politika të gabuara, keqinformuese e keqdashëse, në dëm të veprimtarisë së institucionit tonë artistik e edukativ.
Situata konfliktuale mes Albafilm, MTKRS dhe “ Marubi-t “ degradoi më 21 Shkurt në përdorim dhune ndaj studentëve dhe pedagogëve nga disa forca të policisë së komisariatit nr. 4 të Tiranës.
Administratorë të Albafilmit dhunuan në mënyrë të paligjshme institucionin tonë arsimor, duke na shkaktuar një dëm të gjithanshëm. Kudo brenda dhe jashtë vendit u përcoll një imazh që nuk i shërbente funksionimit normal të shtetit ligjor e shtetit të së drejtës, mbasi u anashkaluan struktura të rëndësishme institucionale të ekzektivit e gjyqësorit.
Besoj se jeni në dijeni se zanafilla e projektit të Akademisë Filmit & Multimedias “Marubi” ka nisur që më 2001, përmes një korrespondence zyrtare e shtetërore, mes Ministrisë e Kulturës së Shqipërisë, dhe Ministrisë së Jashtëme Franceze, për hapjen e shkollës së parë të filmit “Marubi” dhe vënien në dispozicion të saj të mjediseve të (ish Kinostudios) Albafilm.
Për fat të keq, ky vullnet politik nuk ka qenë konseguent përgjatë ecurisë dhe zhvillimit të projektit “Marubi”. Ndërrimet e individëve në apo me pushtet në administratën shtetërore kanë krijuar jo rallëherë keqkuptime e keqinformime të vullnetëshme, kundër “Marubi-t”.
Ne, si pedagogë e studentë të “Marubi-t”, të frymëzuar nga një vullnet pozitiv, gjejmë rastin t`Ju drejtojmë një thirrje publike për zgjidhjen e drejtë dhe të arsyeshme të çështjes “Marubi”.
E bëjmë këtë në besimin tonë se aktet e dhunshme nuk reflektojnë vizionin tuaj e të qeverisë suaj për kulturën dhe arsimin, gjë që u duk qartë në mënyrën se si Ju reaguat ndaj ngjarjeve tek “Marubi” me masat e marra ndaj segmenteve të caktuara.
Njëherësh shprehim bindjen se aktet e dhunës nuk reflektojnë politikat e administratës së shtetit Shqiptar, por të atyre segmenteve që në mënyrë aktive keqpërdorin pushtetin, duke u fshehur pas “ligjit” , “moralit” e “ndershmërisë”.
Na vjen shumë keq që, ende sot, Akademia “Marubi” si një shkollë arti, me karakter thellësisht publik e jofitimprurës, që prodhon filma e vlera kulturore, mbetet e rrethuar me tela që prej 47 ditësh.
Studentëve dhe pedagogëve të saj u është hequr mundësia të lëvizin me mjete dhe pajisje xhirimi pikërisht kur janë në fazën e realizimit të filmave dhe punimeve të diplomave, dhe njëkohësisht ndodhen nën presioin permanent të ndërprerjes gati të përditëshme të procesit akademik nga struktura të Albafilm dhe policisë private të nën kontraktuar prej saj.
Ne i jemi mirënjohës shtetit për lehtësimet që i ka bërë kulturës e arsimit, artit në tërësi, duke i parë ata si faktorë të rëndësishëm të stabilitetit ekonomiko-politik dhe integrimit euro-atlatik të vendit.
Do Ju luteshim, zoti Berisha, të shihnit, në frymën e arsyes dhe perspektivës çështjen “Marubi”, përmes punës, fakteve dhe sukseseve të Akademisë. Gjetjen e një zgjidhjeje optimale e të drejtë për të gjithë, në dobi të interesave madhore të kulturës së vendit tonë e rajonit.
1. Kontributi i Akademisë për mbrojtjen e traditës Kinematografike Shqiptare.
Krijimi i Akademisë “Marubi” më 2004, si shumë motra të saj në Europë, ka plotësuar një boshllëk e një nevojë urgjente në fushën e kualifikimit Kinematografik e Televiziv.
Gjatë viteve të tranzicionit, një pjesë e patrimonit tonë historik të Kinostudios u shkri për skrap e u grabit tragjikishtn e ndrrojë destinacion nga individë të papërgjegjshëm, u shpërdorua për 19 vjet rrjesht për ca fonde rrogëtarësh të mbetur nga regjimi i dikurshëm. Këta rrogëtarë u strehuan nën çatinë e Kinostudios, nën emrin e një strukture fantomatike staliniste, Albafilm. Nga ana tjetër, njerëz që kishin lidhur jetën me kinematografinë duke mos e gjetur veten në sistemin e ri, nisën për fat të keq ta sodisin nga larg zvetnimin e Kinostudios duke mos e konceptuar dot atë si një “Qytet Arti”, gjë për të cilën ne si kineastë e përfaqësues të shoqatës “Lumiere” insistonim prej vitesh.
Krahas këtij shkatërrimi, u ndërpre krejtësisht ripërtritja e brezave të kineastëve. Quheshin të rinj, ata që ishin mbi 40 vjeç dhe kjo po çonte gradualisht në shuarjen e udhëtimit tonë kinematografik të nisur në filllimet e shekullit XX, me Marubët, Manakët e duke ardhur tek Mihallaq Mone i vitit 1943 e me radhë tek Hakani, Stratobërda, Dhamo, Ferhati, Fortuzi, Keko, Qemo etj.
Në AFM “Marubi” gjatë këtyre 5 vjetëve , kanë dhënë e japin mësim kineastë e pedagogë, si Vath Koreshi, Teodor Laço, Bashkim Hoxha, Vladimir Prifti, Faruk Basha, Piro e Eno Milkani, Timo Flloko, Elvira Diamanti, Todi Bozo, Yllka Mujo, Stefan Gajo, Gëzim Qëndro, Elvis Hoxha, Ergin Kuke, Spiro Konduri, Joan Ikonomi, Natasha Lako, Iris Elezi, Anjeza Dishnica, Artan Fuga, Pali Kuke, Liljana Tesho, Ylljet Aliçkaj etj, personalitete të shquara të botës së filmit, si Yves Angelos, Hajo Schomerus, Gareth Jones, Fiona Howe, Laura Shapiro Kramer, Miriam Abramovich, Miriam Kellerhars, Jurgen Seidler, Christa Saredi, Franz Rodenkirchen, Miroslav Mogorevic, Noel Simsolo, Anne Revel, Pierre Henri Deleau, Emmanuel Cabanes, Dominique de Rivaz, Thomas Doherty, Jean Louis Berdot, Alain Brossat, Barbara Haussamman, Lutz Conerman, Nina Grosse, Miguel Hermoso, Jutta Benzenberg, Theodor Orlin, Goran Markovic, Goran Pascalevic, Srdjan Karanovic, David Chanatry, Michel Faure , Bruce Williams, John Jonson, Fred Schuller, Karim Dridi, Tania Rachmanova, Flavio Costa, Nico Girasole, Vincent Hazard e shumë të tjerë, të cilët kanë vënë shpirtin dhe mendjen e tyre në themelet e Akademisë “Marubi” si një shërbim vital i emancipimit tonë shoqëror.
2.Nevoja për mbështetje shtetërore të artit dhe praktika Europiane.
Kinemaja europiane është e subvencionuar nga shteti, pasi nuk përbën objekt fitimi. Shtëpitë filmike, ashtu si në Shqipëri, gëzojnë status e lehtësira të veçanta në krahasim me bizneset e tjera. Shqipëria ka një ligj kinematografik të ngjashëm me vendet europiane.
Ky ligj i mundëson kinemasë që të ekzistojë përmes subvencionimeve me paranë publike, që administrohet nga shtëpitë private filmike. Në fund produkti final, pra filmi, mbetet pronësi private deri në 70 vjet pas vdekjes së autorëve, sipas konventës së Bernës dhe më pas kjo pronë private kthehet në patrimon publik kombëtar.
Qeveria Shqiptare, ka rritur nivelin e subvencionimit të QKK në më shumë se dyfishin e buxhetit të mëparshëm. Megjithë keqmenaxhimin dhe mungesën e vizionit të kësaj të fundit, kinematografia Shqiptare ka bërë hapa të pamohueshëm duke u renditur pa kurrfarë kompleksi mes kombeve Europianë me tradita të mirfilltë kinematografike.
3. Historia e ndërhyrjeve dhe politikave negative nga institucionet kulturore Shqiptare.
Kultura e parë në perspektivën e një botë globale duhet të zërë një vend krejt tjetër në Shqipëri.
Një politikë e gabuar e administratës kulturore, ka dëmtuar e abandonuar një sërë aktivitetesh ndërkombëtare me karakter vital në kalendarin e përvitshëm kulturor.
Një pjese syresh u janë ndërprerë brutalisht subvencionet nga MTKRS apo QKK, duke i identifikuar këto aktivitete e institucione të ngritura me mund në vite nisur nga preferenca individuale të titullarit që vjen në krye të institucionit.
Në Europë ndodh e kundërta, nuk mund të shembet asnjë strukturë kulturore e ngritur qoftë dhe nga një individ i vetëm, sepse po të mendohej kështu nuk të do kishim sot, Venecian, Kanën apo Berlinin që ekzistojnë si festivale prej 60 a më shumë vitesh.
Nëse individë të cilët i krijuan ato, do ishin ndëshkuar në funksion të epokave, politikave apo preferencave personale ato do të qenë shuar me kohë.
MTKRS, ndërpreu fondet për Tirana International Film Festival, ndërpreu fondet e Bienale Tiranës, Festivalit Teatror të Butrintit, nuk mbështeti Festivalin Ndëkombëtar të të Drejtave të Njeriut, etj. ndërkohë që këto aktivitete ishin futur në hartën e aktiviteteve ndërkombëtare me rëndësi për imazhin dhe kulturën e vendit tonë.
QKK si dhe MTKRS, janë udhëhequr nga politika intervencioniste duke reduktuar institucionet shtetërore në politika personale. Ky objeksion për momentin nuk është pjesë e kësaj letre të hapur....
4. Akademia “Marubi” si një institucion europian.
AFM “Marubi” funksionon në ish Kinostudio si institucion perëndimor, ashtu sikurse FEMIS në ish Studiot Shtetërore Pathé Paris, Babelsberg Film Institute në ish Studiot UFA, Berlin, Centro Esperimentale në Cine Cita Romë, ESRA në ish Kinematekën Manaki, Maqedoni etj, të vendosura në godina publike me misionin e vetëm publik të mbajtjes gjallë të identitetit dhe traditës kulturore të këtyre vendeve. Këto shkolla janë jofitimprurëse dhe me interes thellësisht publik, sepse kanë karakter prodhues arti, si dhe një numër mjaft të kufizuar studentësh të përzgjedhur në bazë talentesh ndaj, si të tilla, subvencionohen nga shteti dhe institucione të ndryshme lokale apo ndërkombëtare.
5. Kontributi i Akademisë “Marubi” në jetën kulturore Shqiptare.
AFM “Marubi” që prej themelimit të saj kontribuon në përmirësimin e imazhit të Shqipërisë në botë dhe në pasurimin e jetës kulturore artistike në vend. Ne kemi instaluar prej pesë vjetësh në AFMM një sistem kulturor me interes të mirëfilltë publik. Së bashku me partnerët tanë, kemi krijuar ritualin e Kino Klubeve publike, pa pagesa, siç janë Filmi i së Enjtes, Filmi i së Premtes Spanjolle në bashkëpunim me Ambasadën e Spanjës dhe SMS (Filmi i së shtunës) me studentë të Konsurciumit Universitar Shqiptar, i hapur edhe për studentët e universiteteve të tjera. Në të njëjtën kohë hapësirat publike që “Marubi” administron i shërbejnë, emancipimit të publikut të kryeqytetit, përmes mbrëmjeve të debateve poetiko- filozofike, koncerteve me muzikë dhome, mbrëmjeve teatrore, javëve e ditëve të filmave, si Gjerman, Francez, Suedez, Zvicerian, Çek, Polak “Ditë të Filmit Frankofon” etj. Aktivitete kulturore me Romët dhe grupe të margjinalizuara në funksion të emancipimit dhe kujdesit shoqëror. Çdo vit që nga 2005, organizojmë në bashkëpunim me institucione kombëtare e ndërkombëtare në Tiranë, Festivalin e Filmit Ndërkombëtar të të Drejtave të Njeriut, duke ftuar personalitete të shquara nga e gjithë bota.
AFMM jep dy bursa studimi, me emrin e Presidentit të saj të nderit zoti Vath Korreshi, për studentë të talentuar që fitojnë konkursin por kanë kushte të vështira ekonomike.
6- Akademia “Marubi” e njohur institucionalisht në plan kombëtar e ndërkombëtar.
Në rang kombëtar AFMM, është një shkollë e lartë e akredituar nga Shteti Shqiptar.
Në rang ndërkombëtar AFMM është anëtare me të drejta të plota të CILECT, GEECT dhe SEEC. Studentët tanë janë nga i gjithë rajoni. Ata kanë akses në progamin Akademik dhe Profesional, të një cilësie të lartë, falë bashkëpunimit dhe shkëmbimit të ngushtë me Akademitë më të mira në Europë, dhe ekspertizës së partnerëve tanë perëndimorë.
Filmat e studentëve të AFMM-së kanë përfaqësuar Shqipërinë në shumë aktivitete të rëndësishme kinematografike, duke u nderuar me çmime. Vetëm në këtë fillim 2009, pesë prej studentëve tanë u përfaqësuan në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të Triestes dhe dhjetë të tjerë morën pjesë në Berlinale 2009. Të gjitha këto arritje, nuk gjetën kurrfarë përkrahje nga administrata kulturore, përkundrazi janë shpërfillur, duke mos kuptuar misionin e ndryshimit të imazhit të vendit dhe emancipimit perëndimor të tij përmes stimulimit të iniciativave të lira kulturore.
7. Absurditeti i ndërhyrjes.
Zoti Kryeministër, për fat të keq, sjelljet e papërgjegjëshme dhe të jashtëligjshme të administratës Albafilm dhe segmenteve të policisë, linçimi publik i AFM “Marubi”, kanë dëmtuar rëndë reputacionin e saj dhe të vendit tonë, të cilin të gjithë së bashku po përpiqemi ta ngrëmë me mjaft mund. Gjatë gjithë këtyre viteve jemi përpjekur me letra e kërkesa pafund, që të gjejmë zgjidhje legale për situatën tonë, por fatkeqësisht pa rezultat.
Ish-Ministri i Kulturës, nuk pati kurrë motivimin kulturor për të gjetur mënyrën e duhur për të mbështetur “Marubi-n”, e cila fatmirësisht që në zanafillë u mbështet pa rezerva nga institucionet publike të vendeve perëndimore si dhe të shumë artistëve të rëndësishëm në SHBA dhe Europë. Gjatë këtyre pesë viteve të suksesshme, fatkeqësisht nuk kemi gjetur kurrfarë vlerësimi e përkrahjeje nga Albafilm dhe Ministria e Kulturës si ministri e linjës.
Jemi gjendur gjithnjë përballë moskuptimit të qëllimshëm dhe të luftës së pa ndershme e joligjore.
Si institucion kulturor e arsimor, u përpoqëm të shmangnim sulmet që na bëheshin nga xhelozë të veshur me pushtet, në mënyrë që të mos i sillnim dëm politikave integruese të vendit tonë.
Mendojmë se gjithnjë ka ekzistuar e ekziston baza ligjore, për aq kohë sa ka vullnet politik të qeverisë, për mbështetjen e aktivitetit jofitimprurës të “Marubi”
Si gjithnjë të interesuar në një zgjidhje të qëndrueshme të çështjes “Marubi” dhe jo rëndimit të mëtejshëm të situatës ku ndodhemi sot krejtësisht kundra vullnetit tonë, na lejoni t’ Ju sugjerojmë:
1. Heqjen e rrethimit me gardh telash, të territorit ku janë akoma investimet e AFM “Marubi” dhe të partnerëve perëndimorë, në mënyrë që të çbllokohet e normalizohet procesi akademik dhe jeta kulturore tek “Marubi”.
2. Marrja e masave për gjetjen dhe dënimin e personave të Albafilmit apo MTKRS, që kanë keqinformuar organet shtetërore, që nga paraqitja e lulishtes dhe kinoteatrit të “Marubit” si territor i lirë, ndërkohë që aty janë investimet e pesë vjetëve, deri tek mosveprimi i vullnetshëm i disa strukturave përgjegjëse për administrimin e pronës publike për gati pesë vjet rrjesht.
3. Gjetjen e një zgjidhjeje definitive, të pranueshme e ligjore, që nuk do të dëmtonte
interesat dhe standartet e larta të formimit kinematografik dhe aktiviteteve me interes publik kombëtar të “Marubi-t”.
4. Mbështetje për punën tonë sipas formatit amerikan “land-grant university”, ku shteti mundëson veprimtarinë akademike në një rajon të paprivilegjuar, apo në një fushë jo- fitimprurëse, duke lejuar përdorimin e pronës publike që ka në administrim, për përparimin e dijes dhe artit.
Disa nga universitetet më serioze amerikane, si University of Michigan apo Virginia Tech, janë krijuar falë kësaj formule e këtij sistemi që bën të mundshëm dhe në rastin “Marubi” rikonsiderimin e saj si Shkollë Filmi & TV dhe mjedisit rreth saj (lulishte dhe rrugë kalimi), si një aset i përhershëm publik me destinacion të pandryshueshëm dhe të patjetërsueshëm nga askush.
Ne kemi dhënë dhe vazhdojmë të japim sa më shumë energji positive për të emancipuar vendin tonë dhe ndihemi krenar se ja kemi dalë të krijojmë diçka të domosdoshme me interes kombëtar në Shqipëri. Jemi të gatshëm që të pranojmë çfarëdo kushti ligjor, për ruajtjen e këtij misioni dhe destinacioni publik të ish kinostudios, përmes aktiviteteve tona jofitim prurëse në qoftëse na garantohet e ardhmja si institucion me vlerë kombëtare në ato ambjente që kemi kërkuar që në lindjen e projektit të Shkollës së Parë të Filmit dhe Multimedias “Marubi” , që në vitin 2001.
Realizimi i këtyre pikave do të transmetonte imazhin e vërtetë të përparimit demokratik të Shqipërisë që nga rënia e komunizmit, imazhin e një vendi progresiv, ku e drejta nuk harron, imazh ky i domsdoshëm për momentet integruese Euro-Atlantike të vendi tonë.
Edhe njëherë shprehim shpresën që investimi ynë moral, artistik e intelektual, investimi financiar i miqve të Shqipërisë si dhe investimi i studentëve tanë, të mos hidhet në erë, vetëm për shkak të
keqinformimeve apo xhelozive meskine, teksa ne kemi vite që po përpiqemi të bëjmë të pamundurën për të ndërtuar, brënda ligjit, një hapsirë publike artistike e intelektuale, për të gjithë ata që dëshirojnë dhe ëndërrojnë për një Shqipëri më të kulturuar, më të bukur dhe më pranë Europës. Dëshërojmë të Ju kemi sa më parë mes nesh në mjediset e Akademisë Filmit dhe Multimedias “Marubi” Pranoni Ju lutemi shprehjen e konsideratës sonë !
Me respekt,
Në emër të Pedagogëve dhe Studentëve
të Akademisë së Filmit dhe Multimedias “Marubi”
Rektori Kujtim Çashku


gsh