Një rrymë historike
ARDIAN KLOSI
08/04/2009
Nuk mora pjesë në harenë e përgjithshme të këtyre ditëve dhe nuk e kuptova pse duhej festuar me aq pompë e harxhe hyrja e Shqipërisë në NATO.
E kishim ndjerë veten pjesëtarë të kësaj organizate më e vona qysh prej vitit 1999 kur u bombardua Beogradi dhe u çlirua Kosova prej forcave të NATO-s. Hyrja ishte një çështje formale që në vështrimin e botës së jashtme thuajse nuk ra në sy para ngjarjeve të tjera që shoqëruan takimin në Strasburg-Baden Baden.
Për shembull mediat gjermane më shumë s'e përmendën sesa e përmendën aderimin tonë përpara problemit të perspektivës së kësaj organizate, të ndërhyrjes në Afganistan, të sekretarit të ri danez, të kundërshtimit turk, përpara telefonatave pa fund të Berluskonit, përpara dhjetëramijëra qytetarëve europianë që nuk e duan këtë bashkim ushtarak dhe flakëve që u vunë në Strasburg.
Kurse në Shqipëri u ranë gjithë tam-tameve e u frynë gjithë zurnave të mundshme, me mediat vizive në krye, për të bërë qeveria propagandën e rastit e për ta paraqitur gjithçka si sukses të tyre.
Nxorën në shesh edhe fëmijët e shkollave, si dikur Partia e Punës! Një miku im matematikan, me syrin e tij të stërvitur, llogariti që sikur të ishte qepur bashkë e gjithë bezeja e harxhuar për këtë gëzim të madh rrugëve të kryeqytetit dhe në autostrada, ruli i krijuar do të mjaftonte për ta mbështjellë dy herë rretherrotull malin e Dajtit. Kjo ndoshta do kishte bërë përshtypje shumë më tepër se qindra britmat e vogla: Shqipëria në NATO! Shqipëria në NATO!
Shqipëria në OTAN është një ndryshim abstrakt që nuk ka të bëjë me përmirësimin e jetës sime dhe të bashkëqytetarëve të mi.
Edhe nesër edhe pasnesër do të vuaj nga pazotësia e politikës për ta ndryshuar për mirë këtë vend, nga varfëria kulturore e jetës sonë, nga varfëria e madhe e njerëzve të mirë shqiptarë, nga rrënimi i bujqësisë dhe mungesa e eksporteve, nga moszgjidhja e çështje së pronave, nga zaptimi i pasurive kombëtare, nga rrënimi i përditshëm i mjedisit, zhdukja e kurorës së gjelbër të Tiranës, zhdukja e plazheve të pakta dhe pyjeve të fundit të vendit, kthimi i vendit në koloni mjedisore, nga gënjeshtrat e politikanëve, nga mungesa e letër-njoftimeve, nga logoreja e tmerrshme e fjalëve që na pret deri në zgjedhjet e 28 qershorit.
Hollë-hollë hyrjes në NATO i shoh vetëm një të mirë praktike:
Në fushën e forcave të armatosura dhe arsenalit ushtarak të vendit qeveritarët nuk mund të kenë më dorë të lirë siç patën deri vjet më 15 mars, kur iu ndërpre plani për të shitur gjithçka të shitshme para se të hynte vendi në NATO! E pas asaj katrahure që bënë në Gërdec, pas asaj çoroditjeje që krijuan në forcat tona të armatosura për t'i vënë të gjitha në shërbim të Albademilit, do kishte qenë më mirë të kishin festuar tani më me modesti dhe përulje para qytetarëve të tyre.
Po të pyesësh shqiptarët në rrugë askush nuk e ka të qartë se çfarë do të ndodhë tani. Do jemi më të sigurt? Si, pse, kush na kërcënonte? Koreja e veriut, Irani apo Hugo Chavezi? Do dërgojmë ushtarë në vende të tjera? Po ne këtë e bënim edhe pa qenë në OTAN! Madje ushtarë kemi dërguar historikisht, qysh kur i quanin nizamë ose edhe më parë, kur quheshin maqedonë, epirotë ose stratiotë.
Por sidoqoftë qenia në NATO ka një efekt psikologjik të rëndësishëm. Shqipëria, së paku në fushën e aleancave ushtarake ka tashmë dinjitetin e saj si shtet; edhe pse shqiptarët do të vazhdojnë edhe disa kohë të keqtrajtohen e diskriminohen në çështje të vizave, të punësimit jashtë etj., së paku në tryezën e madhe të OTAN-it përfaqësuesit e shtetit tonë do të jenë të barabartë midis të barabartëve.
Kjo, pasi përjashtohemi nga shumë forume, pasi nuk arrijmë dot të kemi as një ekip dinjitoz futbolli, ka të mirat e veta të pamohueshme. Vetëm se politikanët duhet të ndalin së paraqituri adherimin e sotëm si meritë të tyre: Merita është e rrymës kryesore të shqiptarëve, rrymë që qysh prej etërve të shtetit tonë u drejtua, megjithë traumat historike, gjithmonë për nga Perëndimi dhe qytetërimi europian.
shekulli
Krijoni Kontakt