Haradinaj akuzon Thaçin për përfshirje në afera korruptive
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka akuzuar kreun e qeverisë Hashim Thaçi për përfshirje në afera korruptive.
Disa ditë pasi kryeministri ka urdhëruar largimin nga puna të tre zyrtarëve të dyshuar për përfshirje në korrupsion, shefi i opozitës në Kosovë është shprehur se ky fenomen ka është prezent në nivelin më të lartë politik të institucioneve.
“Mendoj se korrupsioni nuk është sëmundje që i ka përfshirë sektorin civil. Korrupsioni ka përfshirë lidershipin politik në qeverisje. E vetmja mënyrë që të ndalet korrupsioni është që kryeministri dhe ministrat të mos përfshihen në korrupsion. Këto janë praktika kryesisht të qeverive të lindjes që të viktimizohet dikush, por kjo nuk është luftë kundër korrupsionit”, tha Haradinaj.
Sipas Haradinajt PDK dhe LDK po përpiqen të kontrollojnë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, por zëdhënësi i PDK-së, Blerand Stavileci e ka kundërshtuar këtë fakt.
“Është hetuar një qasje deri më tani. Ju e shihni një ndërhyrje në emërime, një pengesë, një vonesë, një bllokim i këtyre mekanizmave, i KQZ-së dhe i Sekretariatit andaj kjo në logjikën tonë është një agjendë e institucioneve të Kosovës për të ulur aftësitë, kapacitetin dhe kredibilitetin tonë për mbajtje të zgjedhjeve të lira dhe të rregullta”, tha Haradinaj.
“Komisioni Qendror Zgjedhor është një komision i pavarur dhe rrjedhimisht si i tillë në bazë të roleve dhe funksioneve që ka i ushtron edhe detyrat e përgjegjësitë. Konsiderojmë që këto deklarata janë një tendencë për ta zhvendosur vëmendjen e opinionit publik drejt gjërave të parëndësishme”, tha ndërkaq Stavileci.
Javë më parë Haradinaj iu ka bërë thirrje organizatave ndërkombëtare OSBE dhe Këshilli i Evropës që të jenë më të angazhuara se kurrë më parë në monitorimin e procesit zgjedhor në Kosovë. /alsat/
Krijoni Kontakt