Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, që në ditën e parë të anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancën Veriatlantike, shprehu gatishmërinë që vendi i tij të dërgojë trupa paqeruajtëse në kuadër të KFOR-it në Kosovë.
“Sa i përket pjesëmarrjes në Kosovë, gatishmëria e Shqipërisë është e plotë, por do të jetë NATO që do të vendosë... Shqipëria do të diskutojë me sekretarin e Përgjithshëm dhe do të vendosim bashkërisht”, tha Berisha, në një konferencë shtypi në Strasburg.
Kryeministri shqiptar tha se shteti i ri anëtar ka përgjegjësi për t’iu përgjigjur kërkesave të NATO-s.
Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari për mundësinë e zëvendësimit të trupave spanjolle të KFOR-it me paqeruajtës nga Shqipëria, Berisha tha se tani për tani nuk ka ndonjë indikacion se NATO ka nevojë për trupa shtesë në Kosovë.
Kryeministri Berisha deklaroi se me anëtarësimin në NATO, hapet një kapitull i ri për Shqipërinë. Shefi i qeverise shqiptare theksoi se shqiptarët tani janë përkrah kombeve më të lira dhe më të mëdha.
”Ky ishte një akt madhor i historisë. Prej sot çdo qytetar shqiptar është si qytetarët e tjerë të NATO-s dhe Shqipëria është pjesë e aleancës më të madhe ushtarake”, u shpreh Berisha, ndërsa falënderoi vendet anëtare të NATO-s për mbështetjen e madhe dhënë shtetit shqiptar.
Sipas tij, anëtarësimi në NATO është një përgjegjësi e madhe për konsolidimin e vlerave të demokracisë për t'iu përgjigjur kërkesave të Aleancës në luftën kundër terrorizmit.
Me këtë rast, Berisha bëri të ditur se Shqipëria do të dërgojë një kompani shtesë prej rreth 130 ushtarakësh në Afganistan, 20 infermierë si dhe do të marrë pjesë në ndërtimin civil të Afganistanit.
Më tutje në konferencën për shtyp në Strasburg, kryeministri shqiptar deklaroi se pasaporta e NATO-s është një kredit shumë i madh i Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Evropian, ndërsa premtoi se do të bëjë përpjekje maksimale për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. /Kospress/
NATO, NATO, NATO.![]()
Krijoni Kontakt