
Postuar më parë nga
Sabriu
Sejdiu merr retroaktivisht për 8 muaj 10.400 euro
Retroaktiviteti i pagave duket të jetë model konstant dhe praktikë në institucionet e Kosovës.
E enjte, 09 Prill 2009 23:16
Kohavisioni ka zbuluar dokumentin me të cilin presidenti Fatmir Sejdiu e ka dyfishuar pagën dhe e ka kërkuar marrjen e saj retroaktivisht për 8 muaj.
Më 14 gusht të vitit 2006 sekretari i Zyrës së Presidentit, Mujë Ukaj, i ka kërkuar ministrit të atëhershëm të Ekonomisë dhe të Financave, Haki Shatri, kërkesën për aprovimin e shtesës për presidentin Sejdiu. Në arsyetim thuhet se Presidentit i duhet rritur paga dyfish për shkak të angazhimit, mbingarkesës dhe përgjegjësive të veçanta që ka. Kërkohej shtesa prej 1300 eurosh dhe me aq sa kishte i bëhej rroga në 2600. Për më tepër kërkesa për shtesë që u bë në gusht kërkohej të aplikohej që prej 1 janarit të vitit 2006. Në këtë kohë president legjitim i Kosovës ishte ende Ibrahim Rugova, pasi që ishte ende gjallë. Aprovimi i Shatrit ndodhi më 30 gusht. Ish-ministri i Ekonomisë dhe i Financave, Haki Shatri, e konfirmon për Kohavisionin vendimin e marrë, duke thënë se ishte politikë e qeverisë që të motivoheshin për punë zyrtarët e lartë publikë.
Kohavisioni ka kontaktuar edhe zëdhënësin e presidentit, Xhavit Beqiri, i cili ka thënë se vendimi i 2006-s ka qenë legjitim. Megjithatë, ai nuk është përgjigjur për punën e retroaktivitetit. Nëse mblidhen shtesat që Sejdiu ka marrë për 8 muaj, pas miratimit të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, del që Presidenti Fatmir Sejdiu i ka marrë 10.400 euro përnjëherë retroaktivisht. Presidenti i parë i Kosovës, Ibrahim Rugova, ka marrë rreth 1300 euro pagë mujore. Të tillë e ka trashëguar edhe Presidenti Sejdiu, por ka vendosur ta evoluojë atë me kohë, duke e dyfishuar në 2612 euro, dhe tash së fundi me rritjen prej 10 % e ka çuar në 2873 euro. Meqë paga e kryeparlamentarit Jakup Krasniqi është 2420 euro, po të praktikohej diferenca që Presidenti duhet ta ketë prej 25 %, paga e të parit të Republikës do të shkonte në 3025 euro.
Krijoni Kontakt