JUsuf Beshiri, Patrioti që “hapi” ëndrrat në beze
» Dërguar më: 23/03/2009 - 13:09
Fatmira Nikolli
Në Shqipëri, shkëndijat e para të asaj dukurie të fuqishme artistike, që më vonë do të quhej "Arti i shtatë", u ndezën vonë, edhe pse kinemaja do pushtonte botën me magjinë e saj. Tek ne, kinematografia do të plotësonte një boshllëk të madh kulturor, për më tepër që shfaqjet teatrale dhe koncertet ishin të rralla dhe akoma jo shumë të pëlqyeshme nga masa e popullit. Më 22 qershor 1926, edhe pse nuk u ishte dhënë e drejta ekskluzive, u ngrit në Tiranë Kinema-Teatër "Nacional", pronë e vëllezërve Beshiri. Ajo do të ishte promovuese e kulturës së Hollivudit, por më e rëndësishmja është se përmes saj, ai do të zgjeronte njohuritë kulturore të popullit të varfër shqiptar. Në vitin 1927, meqë kërkesat e publikut u rritën, Jusuf Beshiri u detyrua të hapte sallën përbri, që u quajt Kinemaja "Vogël". Në vitin 1929, gjatë kohës që shfaqej akti i dytë i filmit "Pasionet e Orientit", me Ramon Navaron, mori zjarr pelikoli. Më 8 gusht 1930, u promovua Kinema Verore "Nacional", në kopshtin e rindërtuar e të zbukuruar. Ajo ndodhej ngjitur me kinemanë dimërore. Në shtator të vitit 1939, Kinema-Teatër "Nacional" u dogj dhe ndërtesa pothuaj u rrafshua me tokën. Atë natë shfaqej filmi "Udhëtim në hënë". Përpara se të fillonte ndërtimi i kinemasë së re, u dërguan në Itali arkitekti Skënder Luarasi dhe konstruktori Spiro Koleka, për të shikuar dhe më pas të projektonin një kinema moderne. U deshën disa muaj që ajo të ngrihej më një shkëlqim të jashtëzakonshëm. Tani kinemaja u quajt: Kinema-Teatër "Rex". Ja se çfarë shkruan "Bota e Re", më 30 korrik 1940: "Mbrëmja e parë në 'REX' u hap me orkestrën argjentinase 'Eduardo Bianko'. Isuf Beshiri e bëri fora me sallën e re dhe elegante. Me 6000 napolona të zotit Isuf Beshiri, inxhinieri shqiptar Luarasi bëri të lulëzojë një sallë kinemaje evropiane me tërë kuptimin e fjalës. Në sallë, ndodheshin mëkëmbësi i Mbretit, Jakomoni, kontesha Maja dhe Kryeministri Shefqet Vërlaci". Sipas të birit të Jusufit, Nuri Beshirit, për ta ngritur në këmbë nga e para ndërtesën e kinemasë, Jusuf dhe Hysen Beshiri u futën në borxhe, duke marrë para në banka e firma të ndryshme tregtare në Itali, për të cilat u desh kohë që t'i shlyenin. Vëllezërit Beshiri hapën degët e tyre në Durrës, Elbasan, Shkodër, Vlorë, Berat, Gjirokastër, Pogradec, Kavajë etj, duke u bërë shoqëria më e fuqishme në zgjedhjen, importimin dhe shfaqjen e filmave në vend. Nga fundi i vitit 1943, Kinema "Rex" ndërroi përsëri emrin dhe u quajt ashtu si dhe më parë, Kinema-Teatër "Nacional", dhe këtë e mbajti deri kur shtetëzua, më 1947. Gjatë kohës së pushtimit, kinemaja ka qenë çerdhe e Luftës Nacional-Çlirimtare. Aty shpërndaheshin trakte, ndërsa në bodrumin e ndërtesës, aty ku edhe prodhohej akull, fshiheshin armë. Përveç filmave, në kinema "Nacional" kishte edhe shfaqje teatri. Sipas Spiro Mëhillit, shfaqja e parë teatrore që u luajt në Kinema-Teatër "Nacional" i përket datës 24 korrik 1927 dhe qe drama: "Qëndrim në dashuri". Më 7 gusht 1927 u shfaq drama "Aventura e një nëpunësi" dhe komedia "E bija e bankierit". Për vite të tëra, Kinema "17 Nëntori" ka qenë krenaria e Tiranës. Në vitin 1992 ajo u kthye në "Bingo Tirana", për t'u shembur në vitin 2006. Edhe pse ka bërë gjithë këtë punë, që sigurisht i ka shërbyer vendit për mirë, Jusuf Beshiri ka vdekur në shtëpinë e nënës së tij, pasi ju mor e gjithë pasuria si shtëpitë, dyqanet, kinematë, të cilat përveç njërës, kanë mbetur akoma pronë e "shtetit". Pasardhësit e kësaj familje jetojnë me kujtimet dhe fotografitë, sepse vetëm kaq ka mbetur. Semiramis Krajka, mbesa e Jusufit, pak e kujton gjyshin e vet. Ja si shprehet ajo: "Mbaj mend që më thoshte se kur e hapi kinemanë për herë të parë, njerëzit thoshin: 'Jusuf Beshiri hapi ëndrrat në bezë'".
Kujtimet
Shumë vite pasi Jusuf Beshiri është ndarë nga jeta, dalin në dritë kujtimet e tij. Si e mbante mend Shqipërinë në rininë e tij, pjesëmarrja në partinë politike "Xhoka", veprat e Beshirëve, familjes së vjetër tiranase, si e refuzoi postin e deputetin gjatë pushtimit nazist, etj. "Para se të flas diçka për jetëshkrimin dhe aktivitetin t'im patriotik, fatkeqësisht edhe kjo shkurtimisht, mbasi mosha e kaluar dhe gjendja ime shëndetësore nuk më lejuan që t'i përmbledh të gjitha kujtimet e mija, dëshiroj të them pak fjalë rreth familjes s'ime, e cila më edukoi dhe më rrënjosi ndjenjat patriotike dhe përparimtare. I bazuar në ato që kam dëgjuar nga prindërit e mij dhe nga përsona të tjerë më të moqëm nga unë, të parët e mij kanë qënë gjithëmonë për pavarësinë e vendit, kanë urryer sundimin otoman dhe asnjëri prej tyre nuk i ka shërbyer këti të fundit". Me këto fjalë i fillon ai kujtimet e veta. Beshirët e Tiranës, sipas Jusufit, kanë bërë disa vepra bamirësie, ndër të cilat ai përmend një urë që është ndërtuar nga stërgjyshërit e tij, e të tjera. "Këtu, në afërsitë e Tiranës, që akoma sot njihet me emërin 'Ura e Beshirit' si dhe një shtëpi pritjeje për shtegtarët në Peshkopi. Gjithmonë sipas të thënave të të vjetërvet, të parët e mij ndihmonin familjet e vobekëta, nxirrnin me shpenximet e veta nuse, prindërit e të cilave ishin në gjendje të keqe ekonomike, ndërtonin shkolla të tjera. Këtu poshtë po shënoj tekstualisht pjesë nga libri 'Albanische Studien' (Studime mbi Shqipërinë), i albanologut të njohur Dr.Jurist Johann Georg von Hann, konsull i Austrisë në Shqipëri, rreth njëqint vjet më parë: "Ura e Beshirit"- Mbi lumin Arzen, rreth një orë lark Tiranës, gjindet Ura e Beshirit. Kjo urë u ndërtua tri herë prej familjes Beshiri, nga Tirana. Dy radhët e para e mori uji. Në ndërtimin e tretë, në vitin 1859 gjithënjë familja Beshiri suell një arkitekt nga Trieshta, e cili e ndërtoi", - shkruan ai.
Patrioti
Ndjenjat e tij patriotike u zhvilluan më shumë edhe nga njohja me Bajo Topulli, që në vitin 1907, kur ishte nxënës në Liceun e Selanikut dhe ku ai ishte profesor i historisë. Siç dihet, në kohën e sundimit otoman mësimi i gjuhës amtare në shkolla ishte i ndaluar dhe dënohej rëndë. "Pa marrë parasysh këtë, unë ilegalisht e mësova të shkruaj e të lexoj gjuhën shqipe tek prof.Filip Ashiku. Pas rrëzimit nga froni të diktatorit Sulltan Hamidit, në Turqi, më 1908 u shpall Hyrjeti", - shkruan ai. Ky i fundit premtoi mjaft për t'u dhënë pavarësinë vendeve të shtypura nga perandoria otomane. Por, këto premtime nuk u mbajtën. Për këtë pjesë të historisë, Jusuf Beshiri shkruan: "U krijua një lëvizje e fuqishme patriotike, e cila organizonte herë pas here demonstrata kundër qeverisë turke dhe feudalëve- vegla të saj, ku mora pjesë edhe unë. Patriotët shqiptarë, ku bënte pjesë edhe një pakicë intelektualësh, formuan një parti nacionaliste, që mori emërin 'Partija Shqiptare', objektivi i së cilës është lirimi i vendit nga sundimi turk. Nga intrigat e disa të shiturvet dhe nga injoranca e madhe që ekzistonte n'atë kohë, fatkeqësisht kishte edhe nga ata që përkrahnin dhe ndihmonin regjimin otoman (Baba Dovletin). Elementat e tillë, që ne i quanim 'Halldupë', bënin pjesë në Partinë 'Ittihat ve Tereki' të Stambollit, të cilët kërkonin të shtypnin çdo lëvizje e ndjenjë për çlirim nacional". Sipas kujtimeve të tij, të marra nga i biri, Nuri Beshiri, "Partija Shqiptare", me veprimtarinë dhe agjitacionin e saj ilegal, mundi të shtojë radhët e saj, gjë që alarmoi qeverinë turke të asaj kohe, e cila nisi urgjent Durgut Pashën. Ky, në bashkëpunim me udhëheqjen e partisë tjetër antishqiptare, bëri arrestime, internime ndër patriotët dhe intelektualët. Ndër të arrestuarit ishte edhe vetë Jusufi, por për mungesë faktesh, sepse gjatë kontrollit në shtëpi njerëzit e familjes i fshehën abetaret, e mbajtën në burg vetëm pak ditë. Moment i veçantë për të ka qenë Shpallja e Pavarësisë, më 1912 për të cilën thotë: "Unë, ashtu si e gjithë familja dhe populli shqiptar, e prita me gëzim të madh dhe mora pjesë në manifestimin që u organizua në këtë rast. Por, për popullin shqiptar, 28 Nëntori mbeti më tepër si një datë historike, sepse ai nuk e fitoi realisht pavarësinë e vet. Vendi u këthye në shesh lufte vëllavrasëse dhe intrigash të fuqive të mëdha, që synonin të vendosnin influencën e tyre dhe të sillnin në fuqi veglat e tyre. Kështu, në kohën e sundimit të Esat Toptanit, unë së bashku me baban t'im dhe shokë të tjerë patriotë, u burgosëm 14 muaj. Të internuarit detyroheshin nga veglat e Esadit, rrebelët, që të gërthisnin: 'Ngordhi shqipja', 'Ngordhi shqipja', 'Duam babën, Duam Babën'". Si një intelektual i kohës, Jusuf Beshiri domosdo që ishte i frymëzuar nga ide përparimtare e patriotike. Ja si e shpreh ai këtë: "Kam qenë i frymëzuar nga ide përparimtare e patriotike kundër obskurantizmit në të cilin e kishin zhytur popullin t'onë regjimet e mëparëshme. Para ardhjes në fuqi të Zogut, këtu në Tiranë ishin formuar dy parti. Me "Setrën" ishin feudalët dhe me "Xhokën", patriotët e vërtetë, intelektualët, ata që përkrahnin interesat e fshatarësisë e të vegjëlisë në përgjithësi. Unë personalisht bënja pjesë në partinë e "Xhokës". Po me këtë ide jam munduar të edukoj edhe fëmijt e mij". Ndër të tjera ai thekson se në kohën e okupacionit italian nuk ka bërë pjesë në asnjë organizatë tradhtare, por përkundrazi ka ndihmuar moralisht dhe materialisht Lëvizjen Nacional-Çlirimtare. "Kam strehuar njerëz, sot dëshmorë, si Prokop Myzeqarin, shok i djemvet të mij si dhe shoqen Leman Çoçolin, shoqe e vajzës s'ime dhe Mediha Frashërin. Gjatë okupacionit nazist, më propozuan, pa dijeninë t'ime, për deputet, post të cilin unë e refuzova kategorikisht dhe nuk mora pjesë n'asnjë mbledhje".
Tregtarët
Duke kapërcyer me shpejtësi pesë breza të kësaj familje, vëren se ata ishin ndër të parët që krijuan dhe vunë në punë ndërmarrjet e para prodhuese private në Shqipëri të pajisura me teknologji të kohës moderne. Mund të themi se Jusuf Beshiri dhe vëllezërit e tij kanë qenë pinjollë nga një familje me tradita të shquara, bij të atdhetarit Xhemal Beshiri. Kjo familje për aktivitetin tregtar të kryer në periudha të ndryshme, duke përjashtuar atë të regjimit komunist, pra 1945-1990 nga Shoqata "Durrësi", i është akorduar familjes titulli "Mirënjohja e Qytetit". Që nga të parët e deri më sot, Beshirajt janë dalluar si njerëz të punës, bamirësisë dhe të bujarisë.
Jusufi
Jusuf Beshiri, si pinjoll i kësaj familje patriotësh, lindur në vitin 1887 në Tiranë, pasi mbaroi studimet në kryeqytetin e Turqisë, Stamboll, për shkenca ekonomike, në vitin 1907 rikthehet në atdhe, duke u marrë me aktivitete tregtare dhe duke dhënë një kontribut shumë të madh edhe në përhapjen e arsimit. Ai ka qenë një nga themeluesit e aktivitetit kinematografik në të gjithë Shqipërinë. Në vitin 1926, për herë të parë u hap në Tiranë kinemaja e parë me emërtimin "Kinema-Teatër Nacional", aktivitet i cili kohë pas kohe u zgjerua. Më vonë, me kalimin e kohës, po me iniciativën e Jusuf Beshirit, u hapën edhe aktivitete kinematografike në qytete të ndryshme. Siç shprehet i biri, Nuriu, përmes këtyre aktiviteteve kinematografike, iniciativa e tij ka qenë përhapja e një kulture të gjithanshme, përmes së cilës populli shqiptar të zhvillohej më tej. Ai ka pasur edhe "STAMLES", një shoqëri aksionere e ngritur në qytetin e Durrësit, në vitin 1924. President i saj ishte vetë Jusuf Beshiri, që nga fillimi i saj deri në vitin 1946, vit kur ajo u shtetëzua nga regjimi komunist. Ajo ka prodhuar cigaret "Diamant ratllisert".
gsh
Krijoni Kontakt