200 milion euro do të kushtojë fabrika më e re e çimentos projektuar nga Colacem Albania që do të ngrihet në komunën Balldre të Lezhës. Një investim që do të angazhojë të paktën 700 vetë në ndërtimin e stabilimentit.
Në ceremoninë që shënon hedhjen e gurit të parë në këtë investim të rëndësishëm merrte pjesë dhe kryeministri Sali Berisha. Mes shumë të pranishmish autoritete lokale si dhe ambasadorit Italian në Tiranë kryeministri ndau vlerësimin se ky investim do të thotë jo vetëm besim, por dhe më shumë siguri për investimet e huaja. Kryeministri kujtoi se ngritja e fabrikës vjen vetëm tre muaj pas nënshkrimit të marrëveshjes për këtë qëllim në prani të kryeminsitrit Italian Berluskoni.
Kryeministri nënvizoi se një vend në ndërtim sikurse është Shqipëria ka nevojë për çimento. Berisha ju referua projekteve të qeverisë për investime të reja në rrugë në ndërtimin e 400 digave të hidrocentraleve, tuneleve të reja në të gjithë vendin. Kryeminsitri përmendi Lezhën si një nga qytetet që qendron në krye për nga aftësia e thithjes së investimeve të huaja.
Për komunën dhe banorët e zonës investimi duket se sjell një perspektive të re lidhur me punësimin.
Ambasadori Italian në Tiranë Saba D’Elia, tha se ky projekt është dëshmi e marrëdhënies së veçantë që kanë dy vendet në të githa fushat. Fakt që siç tha ai, u konfirmua me vizitat më të fundit të autoriteteve më të larta Italiane në Shqipëri. D’Elia garantoi mbështetjen italiane për integrimin euroatlantik të Shqipërisë, duke theksuar rëndësinë e anëtarësimit pas pak ditësh në NATO.
Colacem është një nga prodhuesit dhe shpërndarësit më të rëndësishëm të çimentos në Itali. Autoritetet nënvizuan disa herë rëndësinë e një investimi të tillë si garanci për më shumë investime të huaja në vendin tonë.

Burimi : AlbaTOK.com