Origjeni
(185.....)
Origjeni shpirtërisht ishte një ndër njerëzit më të fortit. Thonë se vetëm Augustini ka qenë me një përshpirtëri të tillë. Ata që e njihnin, thonin se sa më tepër njeriu që e njihte, aq më tepër bëhëj edhe e donte. Gjithnjë e më tepër i tërhiqte njerëzit për ta dashur dhe nderuar. Gjithmonë befasonte sepse gjurmonte, hulumtonte shumë dhe gjithnjë u jepte diçka të re. Euzebi historian e nderonte shumë dhe thoshte se ishte shkrimtari më i madhi asaj kohe.
Origjeni u rrit në frymën e krishterë dhe gjithnjë e më tepër përparonte në dijeni. I ati i tij mburrej me të, sikurse ta dinte se ka ardhmëri dhe do të bëhëj i madh para Zotit dhe para njerzëve. Kur ia burgosin babain edhe Origjeni dëshiron të shkojë me të në burg, por këtë ia ndalon nëna e tij, duke ia fshehur gjësendet personale. Ky nëpërmes letrave të shumta e ngushëllonte babain e vet në burg.
Babai i Origjenit, Leonidi, denohet me vdekje martire gjatë sundimit të Septim Severit, kinëse për mashtrime të shumta. Ai në të vërtetë ishte njeri i mirë dhe punëtor i madh. Tërë pasuria që kishte fituar, e që ishte shumë e madhe, iu konfiskua. Nëna e Origjenit mbeti e shkretë, e varfër – e kishte shtatë fëmijë. Më i madhi prej tyre ishte Origjeni. Një ndihmë materiale ju mundësua nga dikush në Aleksandri, por nuk e pranuan, sepse mendonin se bëmirësi është me fe pagane. Për këtë familje feja e pastër vlente më shumë se të gjitha pasuritë tokësore. Origjeni me një rast takohet me ipeshkvin e Aleksandrisë, Demetrin, i cili e pranon në shkollën katekistike dhe ai kështu bëhët mësues. Këtë shkollë Origjeni e udhëheq njëzet e tetë vite. Sa i përket jetës, jetonte një jetë vërtet asketike. Në një jetë të tillë i ftonte edhe nxënësit e vet.
Si ligjerues i njohur i shkollës katekistike, rreth tij mblidheshin itelektualë të mëdhenj të asaj kohe, me të cilët bisedonte për probleme të ndryshme, pra edhe për filozofinë. Kjo e shtyri Origjenin të merret më seriozisht edhe me filozofinë, të cilën vendosi ta studiojë në shkollën e Amoni Sakasit, i cili ligjëronte filozofinë e Platonit. Tani Origjeni e kupton se ka bërë një gabim të madh në fëmijëri. Për të mbijetuar ai dhe familja e tij kishte shitur libra të rëndësishme të autorëve grekë, që tani e sheh se i mungojnë. Pas shkollës që e kreu, ligjëronte vetëm për të rritur, sa që mori famë të madhe në popull. Njerëzit e ftonin nga të gjitha anët për ligjërata, biseda, këshilla etj. Udhëtonte edhe në Romë, Arabi, Greqi, Antioki e gjetiu.
Origjeni ishte njeri i përshpirtshëm. Edhe derisa ishte laik, me atë dije të madhe predikonte fjalën e Zotit. Më vonë u shugurua meshtar. Por e perjashtuan, pasiqë bëri një gabim të madh: duke dashur t`u ikte tundimeve, lejoi që ta kastrojnë. Për këtë arsye u detyrua ta lëshojë Aleksandrinë dhe të vendoset në Cezare. Atje themeloi një shkollë e cila kishte ndikim të madh dhe ishte shumë më e fortë se ajo e Aleksandrisë. Në këtë shkollë ai ligjëroi njëzet vite.
Në vitin 250 u bë një salvim i madh ndaj të krishterëve. Gjaku i tyre shkonte si lumi. Ishte tmerr i madh, sepse perandori Deciu, si një kafshë e tërbuar me një sistem djallëzor filloi të vrasë në rend të parë klerin, pastaj intelektualët e krishterë. Me këto metoda drastike mendonte ta frikësojë popullin e thjeshtë. A thua nuk thotë edhe Ungjilli: Bjeri bariut, e delet do të shpërndahen.
Origjeni e dinte mirë se nuk mund t`i shpetojë këtij salvimi. Ai shpirtërisht, moralisht dhe fetarisht ishte i përgatitur. Edhe më tepër e dinte se do t`i ndodhë një gjë e tillë, sepse të njëjtën gjë e kishte përjetuar edhe babai i tij.
Fatëkeqësisht, parandjenja e tij u realizua. Nuk shkoi shumë kohë kur edhe Origjenin e burgosën dhe e munduan në mënyrat më barbare. Historiani i famshëm i asaj kohe, Euzebi, thotë për të:
Ai pësoi mundime të renda, por u bëri ballë trimërisht. Nga burgu e lëshuan gati të vdekur. Zemra e madhe e Origjenit pushoi së rrahuri vetëm tri ditë pas lirimit nga burgu.
Kështu u shua jeta e një filologu të madh, një historiani të shkëlqyeshëm, një filozofi, teologu dhe egzegeti të dalluar.
Sipas Euzebit, Origjeni kishte shkruar mbi dy mijë tituj, ndersa shën Jeronimi thotë rreth tetëqind tituj. Sido që të jetë, për Origjenin mund të themi se ishte punëtor i madh dhe i palodhshëm në shumë lëmi. Natyrisht se në punën e vet të palodhshme bëri edhe gabime në pikpëpamje teologjike dhe dogmatike, por ai vetë thotë: Dua që jeta ime dhe veprat e mia të më japin të drejtë të quhem i krishterë.
Veprat e Origjenit
Predikime dhe komente, Kundër Celsit, Mbi lutjen, Kohorta mbi martirët...
Vepra e tij më e njohura është Contra Celsum në të cilën shihet një pasuri e madhe e Origjenit. Këtë vepër ai e bën me shkas. Shën Ambrozi i shkruan Origjenit që t`i kundërshtojë mësimeve të Celzit, i cili mësonte se Jezusi ishte mashtrues dhe falltar, të tillë kanë qenë edhe apostujt, prandaj i thërret të krishterët që të kyçen në politiken e shtetit, pastaj edhe shteti do të kujdeset për ta. Celzi i thërret të krishterët në kolaboracionizem.
Origjeni më së pari studion mendimet e këtij heretiku, prandaj fillon të përgjigjet me radhë. Origjeni thotë se të krishterët nuk mund t`i përkasin këtij shteti, i cili pikësynim ka interesin e vet dhe është i lidhur me paganizëm dhe idhujtari. Derisa shteti është me ide të tilla, nuk mund të ketë urë në mes të krishterëve dhe paganëve. Sepse këto rrugë dallojnë në mes veti dhe nuk e kanë qëllimin e njejtë.
Origjeni ishte njeri i madh, punëtor, asket dhe plotësisht jetoi për Zotin dhe në shërbim të njerëzve. Tërë jetën e vet e shkriu për t`u ndihmuar njerëzve që ta njohin, ta duan dhe të shkojnë pas Krishtit. Edhe në çastet më të vështira të jetës së vet, kur përjetoi tortura të ndryshme, qëndroi besnik parimeve ungjillore. Me fe, shpresë dhe dashuri e pranoi kelkun e mundimeve, por nuk e tradhtoi Mësuesin e vet, të cilit i sherbeu tërë jetën.
vazhdon-->
Krijoni Kontakt