Ish-koordinatori i Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore, Erhard Busek, pret që shumica e gjyqtarëve të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të jenë në favor të ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës.
“Mendoj se duhet të jem shumë i kujdesshëm, mirëpo me sa unë kam dëgjuar mund të jetë një shumicë për të njohur pavarësinë e Kosovës, dhe pastaj është çështje e beogradit për të pranuar këtë, që edhe ka parashikuar se do ta bëjë. Çka do të ndodhë në të ardhmen do të shohim”, ka thënë Busek në një intervistë për të përditshmen “Koha Ditore”.
Sipas tij, trupi gjykues i organit më të lartë të drejtësisë në botë aktualisht është duke e shqyrtuar verdiktin e dhënë nga Tribunali i Hagës për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, në rastin ndër më të rëndësishmit të këtij organi Millutinoviq dhe të tjerëve
“Kam dëgjuar se gjyqtarët janë duke e lexuar vendimin e Tribunalit të Hagës në vendimin e Millutinoviqit dhe të tjerëve, dhe për këtë arsye besoj se këtu ka një numër të fortë të argumenteve që janë në favor të pavarësisë”, është shprehur ai.
Diplomati austriak gjithashtu ka thënë se kosovarët duhet të jenë të durueshëm në aspektin e marrjes së njohjeve të reja dhe sipas tij më i rëndësishëm është zhvillimi ekonomik dhe stabiliteti politik sesa njohjet. /Telegrafi/
Krijoni Kontakt