Gordon: Kosova ka përparuar shumë gjatë 16 muajve të pavarsisë
“Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme”, ka thënë ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit, Philip Gordon, gjatë raportimit në nënkomitetin për Evropë, në kuadër të Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Dhomës Përfaqësuese. Ai ka thënë se suksesi i Kosovës si shtet i pavarur brenda kufijve ekzistues mbetet faktor kritik për stabilitetin e Ballkanit. “Kosova ka bërë sukses të jashtëzakonshëm gjatë 16 muajve të parë të pavarësisë. Anëtarësimi i saj në FMN dhe në Bankën Botërore do të ndihmojnë në arritjen e stabilitetit ekonomik dhe prosperitetit për të mirën e të gjithë qytetarëve të vet”, ka thënë Gordon.
Integrimi i Maqedonisë në NATO dhe BE element vital në politikën e SHBA-së ndaj Ballkanit
Mbështetja për integrimin e Maqedonisë në NATO dhe BE mbetet element vital në përpjekjet e SHBA-së për promovimin e paqes dhe stabilizimit të Ballkanit, theksoi ndihmës-sekretari amerikan i shtetit Filip H. Gordon në fjalimin e tij para Nënkomitetit për Evropë të Komitetit për çështje të jashtme të Dhomës përfaqësuese të Kongresit.
“Aleatët në Samitin në Strasburg dhe Kel e riaafirmuan pozicionin se Maqedonia do të inkuadrohet në NATO menjëherë pasi ta zgjidhë çështjen për emrin. Ne dëshirojmë ta shohim këtë çështje të zgjidhur sa më shpejtë që është e mundur. SHBA-ja e mbështesin zgjidhjen e pranueshme nga të dy palët për emrin që do të arrihej në procesin që e zhvillon ndërmjetësuesi i KB-së Metju Nimic”, tha Gordon, duke e prezantuar politikën e administratës së presidentit Barak Obama ndaj Evropës.
Këtë mesazh, siç theksoi, autoriteteve në Shkup dhe Athinë personalisht ua transmetoi zëvendës-sekretari amerikan i shtetit Xhejms Stajnberg gjatë vizitës së muajit të kaluar në dy vendet.
Gordon theksoi se me hyrjen e Shqipërisë dhe Kroacisë dhe inkuadrimi i pritur i Maqedonisë në NATO, dërgohet mesazh i fuqishëm se dyert e Aleancës mbeten të hapura. /Shqipmedia/
Krijoni Kontakt