Politika e keqe që po e bën Spanja ndaj Kosovës, ka bërë që qeveria e këtij vendi - e sidomos Ministria e Jashtme dhe ajo Mbrojtjes - të gjendet në qendër të kritikave të shumta nga diplomatë, gazetarë, analistë dhe qytetarë spanjollë.
Kritikat janë shtuar edhe me shumë me skandalin e fundit, atë të publikimit të letrave konfidenciale që i janë dërguar ministrit të Jashtëm spanjoll nga ambasadori i Spanjës në NATO, Carlos Miranda, bën të ditur gazeta El Pais.
Ambasadori spanjoll, në telegramin e tij kishte shprehur zemërimin e madh që ka shkaktuar te SHBA-të dhe NATO-ja sjellja politike ministrit të Jashtëm spanjoll, Miguel Angel Moratinos.
Ambasadori Miranda kishte dëgjuar lajmin për tërheqjen e trupave spanjolle nga Kosova nga goja e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer.
Përmbajtja e telegrameve, ku përfshihen edhe takimet e ambasadorit me homologët e tij në NATO, është publikuar të martën në gazetën ABC - ndërsa ky shkrim ka shkaktuar polemika të mëdha në Parlamentin spanjoll dhe rrethin diplomatik të Spanjës.
Ministria e Jashtme spanjolle ka nisur hetimet rreth skandalit të telegrameve, ndërsa opozita ka kërkuar të thirren në interpelancë ministri i Jashtëm dhe ai i Mbrojtjes.
Ndërkaq një pjesë e diplomatëve spanjollë e ka përshkruar politikën e jashtme të Spanjës si pa përmbajtje dhe në qorrsokak – madje duke e përshkruar atë si politikë të papërgjegjshme të dorës së tretë.
Sidoqoftë, në një sondazh që ende është i hapur në gazetën spanjolle El Pais, të lidhur ngushtë me partinë në pushtet, tregon se shumica e spanjollëve, respektivisht 63% të tyre kundërshtojnë largimin e trupave spanjolle nga Kosova.
Përgatiti: Gent Prokshi
Krijoni Kontakt