SHKRUAJ QË TË NDJEHEM GJALLË NË KËTË UNIVERS TË PAFUND

(Intervistë me poetin e shkrimtarin Sabit Idrizi)

Sabit Idrizi u lind më 16 shtator 1955 në fshatin Cerajë. Shkollën fillore e kreu në Bistricë të Shalës së Bajgores, të mesmen (Normalen) në Mitrovicë, ndërsa SHLP-grupi Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, në Gjakovë. Aktualisht është shef i Sektorit të Kulturës në komunën e Mitrovicës dhe kryeredaktor i revistës letrare “Fjalë e valë”. Deri më tash ka botuar këta libra: “Pesha e fundshekullit” (poezi), “Përderisa është e martë”(poezi), “Diell me dhëmbë” (poezi), “Finalja e zhgënjimit të tyre të madh” (ditar lufte), “Mbretëresha është gjallë” (poezi) dhe “Zarfi” (prozë). Sabit Idrizi është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.
Duket se ka lindur për të bërë poezi dhe se muzat kanë rënë në dashuri me të. Edhe poezia duket se e ndien veten mirë në shoqëri me të, e ndien veten si mbretëresha pranë mbretit. Poezia e Sabit Idrizit, siç thotë me të drejtë kritiku letrar Agim Vinca, është poezi që frymon shqip me temat, motivet, gjuhën dhe ndjeshmërinë e saj; është poezi që e ruan prestigjin e poezisë, sepse është një poezi e një shprehjeje moderne e sugjestive...; është një nga poezitë më të mira që kanë shkruar poetët e Kosovës në vitet e fundit.
Intervistën me poetin Sabit Idrizi e pata planifikuar më herët, qysh me rastin e botimit të vëllimit (të katërt) poetik “Mbretëresha është gjallë”, vëllim ky që është vlerësuar lart nga kritikë të mirëfilltë, por për shkaqe objektive dhe subjektive nuk arrita ta bëjë një gjë të tillë deri më tash.
Mendoj se vëllimi poetik “Mbretëresha është gjallë” është një nga vëllimet më të mira, më të realizuara dhe më të veçanta të botuara pas Luftës së UÇK-së në Kosovë. Kjo është njëra nga arsyet kryesore pse po e bëjmë këtë intervistë.

Pyetje: Z. Sabit, që kur keni filluar të shkruani poezi dhe a ju kujtohet kur dhe si vendosët, kush ju shtyri, kush ju dha zemër, kush ju bindi që të botoni poezitë e para, ose vëllimin e parë poetik “ Pesha e fundshekullit” ?

Përgjigje: Së pari ju përshëndes juve, lexuesit dhe bashkëpunëtorët e shumtë të kësaj reviste dhe ju dëshiroj gjithë të mirat në jetë.
Nuk e parapëlqej atë zhargonin tashmë gati standard: “NN merret me krijimtari letrare që nga bankat e shkollës fillore...”, sado që edhe unë në atë moshë kam shkruar dhe kam botuar diçka. Fundja, ma gjeni dikë që nuk ka “shkarravitur” diçka në këtë moshë nëpër fletoret e veta shkollore. Unë konsideroj se krijimit të poezisë i jam përkushtuar prej atëherë kur kam vendosur për ta përgatitur për botim përmbledhjen time të parë me poezi “Pesha e fundshekullit”. E kjo ka ndodhur, nëse nuk gaboj, diku në vitin 1994. Pra, që nga ky vit merrem me krijimtari letrare.
Kjo ka ndodhur kështu: Në ceremoninë e promovimit të antologjisë “Degë me sytha”, në të cilën përfaqësohen të gjithë krijuesit e rajonit të Mitrovicës, ku unë përfaqësohem me dy poezi, që u mbajt në një shtëpi në lagjen Ura e Gjakut, përveç tjerash, ne krijuesit që ishim aty e lexuam nga një poezi. Kishte aty shumë poetë, që tashmë ishin emra në letrat shqipe. Gjatë koktejit, që u përgatit për këtë rast, m’u drejtua prof. dr. Agim Vinca: “Si e pate emrin, djalosh?” I tregova. “Ta them me kompetencë të plotë se poezia jote ishte më e mira nga të gjitha poezitë që u lexuan këtu”, më tha. Këtë e tha publikisht dhe unë, merret vesh, sado që më erdhi mirë, u skuqa paksa. Të ta thoshte këtë një profesor, një poet, një kritik letrar, një studiues i letërsisë...i kalibrit të Agim Vincës, të cilin gjithherë e kam konsideruar dhe e konsideroj si intelektualin më të kompletuar shqiptar, nuk ishte pak. Ja, pra, kush ishte ai që “më mori në qafë”.

Pyetje: Jeni autor i katër vëllimeve poetike. Çdo përmbledhje Juaja me poezi është pritur mirë, është vlerësuar nga ata që e njohin poezinë. Por kulmin e pjekurisë krijuese e keni arritur me vëllimin poetik “Mbretëresha është gjallë”. Sipas këtij vëllimi, poezia jo vetëm që është gjallë, por është edhe e fortë, e pjekur, e këndshme dhe e mençur. Poeti dhe studiuesi i letërsisë, prof. dr. Agim Vinca, e vlerëson lart këtë vëllim poetik, duke e veçuar, ndër të tjera, poezinë “Regjistrimi”, për të cilën thotë se është një nga poezitë më të mira që kanë shkruar poetët e Kosovës në vitet e fundit. Çka është regjistruar e çka, në të vërtetë, duhet regjistruar në memorien tonë, në mënyrë që të mos harrohet ajo që ndodhi, natyrisht që të mos përsëritet? Për më tepër, si ndihet sot poeti (mbret) pranë të dashurës së tij (mbretëreshë), poezisë, pas peshës së fundshekullit, pas të martës, pas atij dielli me dhëmbë?

Përgjigje: Pas peshës së fundshekullit, pas të martës, pas diellit me dhëmbë, më në fund – një rreze drite në horizont. Një fllad lirie, të cilën ne, fatkeqësisht, në masën më të madhe, e keqkuptuam dhe e keqtrajtuam që në start. “Finalja...”, “Mbretëresha...” dhe “Zarfi”, secila në mënyrën e vet, erdhën si reagim kryekëput ndaj kësaj gjendjeje krejtësisht absurde dhe paradoksale.
Ajo që s’duhet ta harrojmë kurrë është se në këtë planet të quajtur Tokë ka diell për të gjithë dhe se hisen tonë të qiellit nuk ka të drejtë dhe nuk guxon të na e marrë askush, ashtu siç as ne nuk kemi të drejtë dhe nuk guxojmë t’ia marrim askujt. Kjo është krejt filozofia e kësaj pune.

Pyetje: Shkruani edhe prozë. Një nga tregimet Tuaja, “Zarfi”, është vlerësuar lart si për temën e trajtuar, si për mënyrën se si është trajtuar kjo temë. Ç’mendim keni për poezinë dhe prozën që krijohet sot në Kosovë dhe a mund të presim nga Ju tregime të tjera, mbase edhe ndonjë roman?

Përgjigje: Në këtë kohë tranzicioni, siç jemi mësuar ta quajmë për ta justifikuar paaftësinë tonë organizative, kemi një mishmash vlerash dhe antivlerash në të gjitha fushat e jetës, ku as letërsia nuk bën përjashtim. E keqja më e madhe është se, njëherë për njëherë, nuk duken kurrfarë parashenjash se do të bëhet diçka në veçimin dhe plasimin e tyre. E vlera ka. Madje të nivelit botëror. Kjo s’ka fije dyshimi.
Unë nuk shkruaj shpesh. Rrallë edhe botoj. Kam kërkesa të mëdha ndaj vetvetes. Gjatë aktit të krijimit e torturoj, e shtrydh vetveten deri në palcë. Aktualisht jam kah “torturohem” me një temë interesante, që shpresoj të jetë roman. Ngjarjen jam kah e ndërtoj brenda vetvetes. Nëse arrij ta bind veten se ka diçka në këtë punë, atëherë do të ulem dhe do ta qes në letër. Mirëpo, nga ana tjetër, jam i vetëdijshëm se për ta shkruar një roman të mirë, përveç talentit, kërkohen edhe disa parakushte elementare, që unë, fatkeqësisht, nuk i kam. Të jetosh vetë i shtati (pesë prej tyre të aftë për punë, por të papunë) me 220 euro në muaj, në një shtëpi përdhese prej qerpiçësh, që pritet të rrëzohet nga çasti në çast, dhe të ulesh e të shkruash roman, s’besoj se është punë që i dilet në krye. Aq më parë kur, përkundër këtij buxheti familjar kaq të ulët, përpiqesh të jesh qytetar i ndërgjegjshëm dhe të mos i mbetesh asnjë lek borxh shoqërisë. Shikuar nga kjo perspektivë, kam drojë se nuk do ta shkruaj kurrë këtë libër.

Pyetje: Jeni autor edhe i një ditari të luftës me titull “Finalja e zhgënjimit të tyre të madh” . Si është për një poet të kalojë për një luftë, t’i përjetojë krajatat që sjellë lufta. Ç’është lufta për Ju?

Përgjigje: Njeriu pa liri është pa dinjitet. E njeriu pa dinjitet është një hiç. Ja përse duhet të arsyetohen edhe luftërat, sado që janë një tmerr i vërtetë, sidomos për një shpirt të brishtë liriku.

Pyetje: Diçka për gjuhën dhe bastardët. Jeni nga ata poetë që kujdesen shumë për gjuhën. Poezia Juaj frymon shqip me temat, motivet, gjuhën dhe ndjeshmërinë e saj. Bastardët kanë ngritur krye dhe kërkojnë krijimin e një “gjuhe kosovare”. Jeni konsideruar me të drejtë poet kombëtar. Ç’mendim keni për gjuhën dhe për atë soj njerëzish që s’lënë guri pa luajtur vetëm e vetëm që të na kthejnë në kohën kur gjuha ende s’ishte e njësuar?

Përgjigje: Konsideroj se gjithçka lidhur me këtë çështje e kam thënë tek “Zarfi”. Tentimi për ta zhbërë, apo për ta copëtuar në dysh a në tresh a në... gjuhën tonë, e cila u bë me mund e sakrifica të mëdha, me të cilën merremi vesh që nga Ceraja ime e deri poshtë në Çamëri, është si të sabotosh apo të tradhtosh në vijën e parë të frontit të luftës. Kjo ndryshe nuk shpjegohet. A s’ishte e s’është ky synim i përhershëm i armiqve të kombit tonë. Ende kam dëshirë të besoj se të tillët nuk janë të paguar prej tyre. Tjetër gjë është pasurimi i leksikut dhe “freskimi” i normave në fuqi, mirëpo këtë dihet se kush e bënë dhe se si e bënë.

Pyetje: Ju shkruani poezi dhe prozë. Pse shkruani?

Përgjigje: Shkruaj që të jetoj. Që të ndjehem gjallë në këtë univers të pafund. Që ta vë kurban përpara të tjerëve shpirtin tim përherë të etur për dashuri. Që ta lëshoj një klithmë në këtë shkretëtirë, për t’mos më vdekur ëndrrat për të njerëzishmen, për njerëzoren, pra për t’i ujitur ato me vesën e freskët të fjalës.

Pyetje: Si shkruani?

Përgjigje: Akti i krijimit tek unë kalon nëpër tri faza. E para është “mbarsja”. Një diçka misterioze, që futet brenda meje dhe më shprush deri në thellësitë më fatale të shpirtit. E dyta është “rritja e frytit”. Derisa të piqet fryti brenda meje (bile edhe për ndonjë poezi me pesë-gjashtë vargje) kërkohen orë të tëra, e shpesh edhe ditë, javë dhe muaj të tërë. Dhe faza e tretë është “lindja”. Ulem dhe e qes në letër.

Pyetje: Kur shkruani?

Përgjigje: Ju tregova si krijoj. Pra, është një proces që zgjat. Megjithatë, aktin e tretë zakonisht e luaj herët në mëngjes, me një filxhan kafe dhe një gotë raki përpara.

Pyetje: Çka do të thotë të jesh poet, të jesh shkrimtar sot?

Përgjigje: Do të thotë të vuash bukur, të vetëflijohesh bukur, të çmendesh bukur... Të bëhesh kurban në themelet e dashurisë, në themelet e të njerëzishmes...

Pyetje: Si e shihni raportin autor-tekst-lexues?

Përgjigje: Çfarëdo që të thuash lidhur me raportet në këtë trini, ke dhe s’ke të drejtë njëkohësisht. Është diçka si ajo dilema që është shtruar nga filozofët qysh në antikë:“A veja, a pula?”. Kam edhe unë një mendim timin lidhur me këtë, mirëpo, për shkaqe që i thashë më parë, e shoh të udhës që mos ta shpreh fare.

Pyetje: Shpesh themi, p.sh., sa e bukur është një lule, një libër, një poezi etj., por rrallë na shkon ndërmend të pyesim ç’është e bukura. Në të vërtetë, ç’është e bukura sipas jush?

Përgjigje: Duke e përjashtuar atë që duhet ta themi në një moment të caktuar se diçka është e bukur, ngase kështu e lyp puna, për shkak të rregullave të mirësjelljes, mendoj se e bukuar është vetëm ajo që ta kënaq shpirtin, që ta lëkund zemrën, që të gllabëron përmes etheve të kënaqësisë shpirtërore.

Pyetje: Jeni edhe kryeredaktor i revistës “Fjalë e valë”. Po mbushen gati shtatë vjet që në Mitrovicë botohet kjo revistë. Del në Mitrovicë, por nuk është veç e mitrovicasve. Në të kanë botuar dhe botojnë poetë, krijues, studiues, njerëz të artit dhe të kulturës nga mbarë hapësira shqiptare dhe më gjerë. Ç’mund të na thoni për bashkëpunimin që keni si redaksi me poetë e studiues të letërsisë?

Përgjigje: Nuk më përket mua të flas për vlerat e kësaj reviste. Të tjerët thonë se është një revistë e mirë, madje ka zëra kompetentë që thonë se është një nga revistat letrare më të mira dhe më serioze në mbar hapësirat shqiptare. Kemi bashkëpunëtorë të shumtë. Dorëshkrime na arrijnë nga të gjitha anët, madje edhe nga krijues kulmorë të letërsisë shqipe. E vetmja gjë që është për dhembje këtu është redaksia, e cila punon pa kurrfarë kompensimi material dhe kurrë, deri më tash, nuk i është shprehur, së pakut, një falënderim publik nga ata që do të duhej ta bënin këtë. Përkundrazi, kjo redaksi ka probleme të herëpashershme edhe me vetë financimin e botimit (shtypit). Revista lexohet anekënd trojeve shqiptare, por edhe në diasporë, për çka jemi të lumtur. Kjo na e ngrit moralin dhe na jep forcë për t’i tejkaluar problemet, që nuk janë të pakta.

Pyetje: Ka kohë që është dhënë ideja, në mos gaboj nga poeti Bedri Hysa, për caktimin e një lokacioni diku në Mitrovicë për një “Shesh të Poetëve”. Më duket ide shumë e qëlluar. A ka gjasa të ndodh një gjë e tillë?

Përgjigje: Kjo ide është dhënë para 4 vitesh dhe ne, si Sektor i Kulturës, e kemi mbështetur pa rezervë dhe e kemi përcjell tek nivelet e atëhershme vendimmarrëse të Kuvendit të Komunës, por, deri më tash, nuk kemi marrë kurrfarë përgjigje zyrtare. Të shohim çka do të ndodhë në të ardhmen. Vullneti ynë ekziston. Është një propozim shumë i qëlluar.

Pyetje: Si poet, si njeri i kulturës, si njeri që është i lidhur ngushtë me fatin e atdheut dhe kombit, si e shihni gjendjen aktuale në shoqërinë shqiptare sot dhe nesër?

Përgjigje: Falë sakrificës që bëmë, mendoj se si komb kurrë më mirë nuk i kemi pasur punët. Se si do të zhvillohen ngjarjet më tej, unë nuk jam profet që ta di, por e di një gjë se sa më shpejt që të integrohemi brenda vetvetes, në të gjitha fushat e jetës, aq më afër integrimeve synuese të politikanëve tanë do të jemi. Duhet t’iu kthehemi përfundimisht vlerave tona kombëtare. T’i çmojmë dhe t’i kultivojmë ato. Të jemi praktikë dhe konkretë në patriotizmin tonë. As atdheu, as kombi, as liria, as pavarësia...nuk janë diçka abstrakte. Janë krejt konkrete dhe të prekshme. Për çdo ditë kemi mundësi të bëjmë diçka në të mirë të tyre, që do të thotë në të mirën tonë të përbashkët.

Pyetje: Për fund. Cila ka qenë, është dhe do të mbetet dashuria Juaj e parë?

Përgjigje: Në letërsi? Poezia, natyrisht, ngase ka qenë, është dhe përherë do të mbetet mbretëreshë e arteve.

Pyetje: Keni për të shtuar diçka që do të duhej të thuhej e që s’e keni thënë?

Përgjigje: Asgjë, përveçse t’ju falënderoj për mundësinë që ma dhatë për t’i thënë disa fjalë këtu.

Intervistoi: Miftar Kurti