Pse ishte i ulët numri i votuesve shqiptarë ???
Anila LIMANI
Në zgjedhjet e 22 marsit votuan më pak se gjysma e elektoratit shqiptar. Sipas ekspertëve mungesa e motivimit është një nga faktorët që reflekton pasivitetin e elektoratit shqiptar. Po ashtu edhe humbja e besimit tek partitë që i përfaqësojnë ka bërë që të rritet ndjeshëm numri i abstenuesve. Jeton Shasivari, profesor i të drejtës kushtetuese thotë për “Lajm” se porosia e abstenuesve shqiptar në këto zgjedhje mund të komentohet në disa mënyra. “E para abstenuesit janë kundër demokracisë fantazuese në nivelin qendror dhe lokal.
Aspekti i dytë është fushata para zgjedhore, e cila nuk ka arritur ti motivojë aq sa duhet zgjedhësit shqiptar. Aspekti tjetër ndërlidhet me faktin se gjatë fushatës parazgjedhore më tepër iu dha përparësi partive politike sesa vetë kandidatëve. Në përgjithësi si faktor demoralizues të një numri të konsiderueshëm të abstenuesve është edhe klima politike e krijuar në Maqedoni”, thotë Shasivari. Sipas tij edhe izolimi i shtetit, perspektiva euroatlantike, çështjet ekonomiko-sociale, rritja e papunësisë kanë pas një ndikim të madh te rritja e abstenuesve. Për analistin Kim Mehmeti zvogëlimi i votuesve shqiptar mund të jetë një shenjë pozitive.
“Ata më nuk u besojnë gënjeshtrave politike dhe nuk janë aq të manipulueshëm nga partitë politike. Mirëpo abstenimi i elektoratit shqiptar mund të shihet edhe në këndvështrimin negative, sepse ata e humbin besimin në partitë e tyre që i përfaqësojnë dhe dalëngadalë ata mund ta humbin edhe ardhmërinë e vet në këtë shtet. D.m.th. të ndjehen të pashpresë, të bëhen të pandjeshëm ndaj asaj që u ndodh”, tha Mehmeti për “Lajm”. Megjithatë ai më tepër beson abstenimi i elektoratit shqiptar më tepër flet për një pjekuri politike të popullsisë që është mbi atë të partive shqiptare në Maqedoni.
“Mendoj se populli është bërë më i mençur se partitë shqiptare dhe partitë nuk e ndjekin pjekurinë e popullit dhe shkojnë me shabllone dhe dixhitura të vjetra që sot nuk ndezin më. Nuk mundesh sot ta përvetësosh popullin me premtime boshe”, tha Mehmeti. Ndërkaq profesor Shasivari sqaron se te bojkoti i heshtur i shqiptarëve p.sh. në rajonin e Shkupit, Kumanovës e Likovës kanë pas ndikuar edhe aksionet policore të zhvilluara para ca kohësh si dhe disa procese gjyqësore (rasti i Sopotit, etj.). Ndërsa për votimin në Përgjithësi Shasivar thotë se te elektorati shqiptar vërehet një votim interesant, ku është votuar njëri kandidat për kryetar shteti, ndërkaq që partia e tij nuk ka marrë shumicën e nevojshme nëpër komuna.
Krijoni Kontakt