Policia rrah prindin në sy të fëmijëve
Pas dhjetë vitesh, në familjen Sallahu nga Drenasi është rikthyer frika ndaj uniformës së policisë.
E diel, 22 Mars 2009 17:18
Gazeta Express ka shkruar se Policia e Kosovës ka rrahur dhe ka arrestuar dhunshëm Feriz Sallahun në prani të dy fëmijëve të tij dhe shumë fëmijëve të tjerë që ndodheshin në një çerdhe në Drenas.
Rinor Sallahu, 6 vjeç dhe motra e tij, 4 vjeçe, Rina, tri ditë më parë kanë qenë dëshmitarë të kacafytjes së pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe babit të tyre. Policët gjatë arrestimit kanë përdorur edhe "sprej", nga i cili kishin pësuar edhe të dy fëmijët.
Ngjarja kishte ndodhur kur Feriz Sallahu kishte shkuar për t'i marrë fëmijët e tij në çerdhe.
"E kam parë me sytë e mi. Fëmijët qanin e bërtisnin, ishin të traumatizuar, donin ta mbronin prindin e tyre që po rrihej nga policia. Shumë turp për policinë që të veprojë ashtu në sy të fëmijëve, ata nuk janë fajtorë edhe nëse prindi i tyre shkel ligjin, ata duhet të kursehen se janë fëmijë të vegjël", rrëfen Sofie Imeri, punëtore në çerdhen e fëmijëve, "Ardhmëria" në Drenas.
"Kjo është shkelje e të drejtave të fëmijëve. Turp është për policinë që të bëjë skena të tilla në sy të fëmijëve të vegjël. Atë ngjarje e kanë parë më shumë se 20 fëmijë se është shumë afër çerdhes. Të gjithë janë traumatizuar", thotë edukatorja Minire Halilaj.
"Të dy fëmijët e mi i kishin sytë e skuqur, pasi që ishin lënduar nga spreji, të cilin policët e kanë përdorur kundër burrit tim. Ndërkaq, djali, Rinori, e ka pasur edhe krahun e lënduar", tregon gruaja e Feriz Sallahut, e cila është vetë police.
Që fëmijët 4 dhe 6 vjeç, Rina dhe Rinori, kanë marrë lëndime në sy dhe kanë pësuar stres traumatik, këtë e kanë vërtetuar edhe mjekët Bedri Jashari, pediatër dhe Gani Halilaj, neuropsikiatër.
Mesazhi.com
Krijoni Kontakt