ITALI/ Kasacioni i jep një goditje të fortë hetimeve të policisë, në të cilat janë përfshirë të huajt pa dokumentet e qëndrimit
Në Itali po ndodhin zhvillime interesante për sa i përket emigracionit. Jo vetëm ndryshime në ligjin për bashkimin familjar, marrjes së nënshtetësisë së fëmijëve kur mbushin 18 vjeç, apo për marrjen e pensionit kur mbush 65 vjeç, por së fundi drejtësia italiane po vendos ca ligje në favor të të dënuarve emigrantë, që mund të quhen surpriza (që për shumë komentohet edhe në favor të vetë shtetit italian). Dihet tashmë se, shumica e të dënuarve emigrantë në Itali kërkojnë kryerjen e dënimit në vendin e tyre. Kjo për arsyen e vetme që të jenë pranë familjes. Por në mënyrë krejt të papritur, emigrantët që dënohen më pak se dy vjet, jo vetëm mund të vijnë në atdhe, por do të vijnë duke mos e kryer dënimin as në Itali, as në Shqipëri. Dhe këto favore nuk janë të pakta kur kihet parasysh burgu. Kjo mënyrë dënimi (alternative) kishte kohë që po diskutohej në disa vende të BE-së, por si duket, qeveria italiane, në kuadrin e luftës kundër emigracionit klandestin, të luftës kundër punës në të zezë të emigrantëve, apo kthimit në vendlindje të të papunëve (për zbutjen e krizës), po merr masa të panjohura nga bashkësia, që janë në interes të të dyja palëve. Aktualisht, në burgjet italiane janë një numër i konsiderueshëm emigrantësh nga 57 vende të botës, të cilët jo vetëm kanë mbipopulluar burgjet e shtetit italian, por në shumë raste kanë sjellë edhe trazira me të burgosurit vendas. Kështu, Kasacioni italian i jep një goditje të fortë hetimeve të policisë në të cilat janë përfshirë të huajt pa dokumentet e qëndrimit. Këta të fundit, fitojnë automatikisht të drejtën për t‘u dëbuar nëse dënimi që duhet të vuajnë në Itali nuk është më shumë se dy vjet. Kështu u përcaktua nga seksioni i parë penal i Gjykatës së Lartë i cili, me vendimin n.10752, pranoi kërkesën e një imigranti të përfshirë në një hetim të policisë për trafik droge dhe që ishte dënuar me burg për pak muaj.
Emigranti kërkoi që të dëbohej për të mos vuajtur dënimin në Itali. Kërkesa e të huajit për zbatimin e dekretit të dëbimit si sanksion alternativ ndaj burgosjes nuk ishte marrë parasysh nga gjykatësi i Përmbarimit të Firences. Sipas këtij të fundit, edhe Gjykata e Triestes nuk e kishte lejuar dëbimin e tij për shkak se ishte duke u zhvilluar një hetim mbi trafikun e drogës në të cilin përfshihej edhe emigranti. Por emigranti i bëri apel Kasacionit kundër këtyre vendimeve dhe fitoi. Kolegji i legjitimitetit e gjykoi legjitime kërkesën e emigrantit për t‘u dëbuar, duke nënvizuar se në këto raste kemi të bëjmë me aplikimin e "masave alternative ndaj burgosjes". Tashmë aktet i janë kaluar Gjykatës së Firences për të riekzaminuar çështjen. Sipas gjykatësve të legjitimitetit, nëse për të huajin ekzistojnë baza ligjore për të përfituar nga sanksioni alternativ i dëbimit, ndërkohë që është dënuar me burg për një periudhë jo më të madhe se dyvjeçare, ai ka të drejtë të dëbohet dhe mbi të nuk rëndon më asnjë dënim i gjykatës. Por nuk është kjo e gjitha. Sipas Kasacionit, ky dëbim, që është një alternativë ndaj dënimit me burgosje, ka si qëllim edhe pakësimin e numrit të të burgosurve duke larguar nga territori i shtetit ata të huaj që nuk i përkasin Komunitetit Evropian dhe që nuk janë në rregull me lejet e qëndrimit, vetëm në rastin kur bëhet fjalë për dënime më të vogla se dy vjet për shkelje jo dhe aq të rënda të ligjit. Pra e gjithë kjo është një lloj heqje dorë e shtetit prej masës së ndëshkimit përballë avantazhit të menjëhershëm të shmangies së mbipopullimit të burgjeve. Zbatimi i këtij ligji përbën tashmë një risi për drejtësinë e 27-shes evropiane që shumë herë kërkojnë lloj-lloj mënyrash dhe justifikimesh të largojnë emigrantët e palegalizuar, apo pretendojnë për zënien e vendeve të punës, kur ata në fakt kryejnë punët që nuk i bëjnë kurrë vendasit.
Gazeta Shqip
Krijoni Kontakt