Prodhuesit e qumështit
i d ë m t o n q e v e r i a

Paraqet, Sabri Selmani



Hashim Thaçi i vizitoi prodhuesit e qumështit në Prishtinë. Aty shkoi pasi që
ishte ftuar (tash nuk ka fushatë parazgjedhore ta kërkojë takimin vetë) për t'i
ndarë çmimet për fermerët e dalluar për nga cilësia dhe sasia e grumbullimit
të qumështit. Por Thaçi aty nuk ndau vetëm çmime, por edhe i bëri fushatë
reklamuese organit të cilin e drejton -Qeverisë. Ai tha se Qeveria ka prioritet
mbështetjen e prodhuesve kosovarë të ushqimeve. Fushata e tij, siç janë
rëndom fushatat e politikanëve këtu, shkon ndesh me të vërtetën. Deri tash
politikat fiskale të Qeverisë jo që nuk i kanë ndihmuar prodhuesit vendor, por
edhe i kanë dëmtuar ata. Kosova edhe pas shpalljes së pavarësisë mbetet
vend i varur, dhe atë jo vetëm me bashkësinë ndërkombëtare, sekret ky
tashmë publik, por edhe me Serbinë. Një prej aspekteve më të rëndësishme
të kësaj varësie (përveç asaj të vazhdueshme politike) është ekonomia -
Kosova mbetet e varur ekonomikisht edhe nga Serbia. Gjatë vitit 2007
14.6% të importit të tërësishëm ka qenë nga Serbia, që shprehur në vlerë
monetare i bie 191 milionë e 53 mijë euro. Ndërsa për vitin 2008 importi i
përgjithshëm është rritur dhe, rrjedhimisht, edhe importi nga Serbia që ka
qenë 209 milionë e 736 mijë euro, që në përqindje është më pak (10.9%)
sepse është rritur përqindja e importit nga vendet tjera. Mallrat që vijnë nga
Serbia paguajnë vetëm TVSh-në edhe akcizën kur ajo është e aplikueshme,
sepse sipas Rezolutës 1244 ardhja e produkteve të Serbisë në Kosovë cilësohet
si tregti e brendshme meqë kjo rezolutë, e cila është edhe në
deklaratën e pavarësisë, ia mbron Serbisë sovranitetin legal mbi Kosovën.
Njëjtë sikurse edhe produktet Serbisë TVSh-në e paguajnë edhe prodhimet
e vendit. Ashtu si edhe prodhuesit e tjerë edhe prodhuesit dhe përpunuesit
e qumështit janë të dëmtuar. Në Kosovë për një vit konsumohen diku 130
mijë ton qumësht që është qumësht i cili është i përpunuar (këtu nuk hyn
qumështi të cilin e konsumojnë ata të cilën mbajnë lopë nëpër shtëpi). Prej
këtyre 130 mijë tonëve vetëm 35 mijë tonë janë prodhim vendor, ndërsa 95
mijë tonë tjera janë të importuara.
Po ta kishte vërtet qeveria qëllimin t'i ndihmonte prodhuesit e vendit, ajo do
të duhej të ndërmerrte masa për një ndihmë të tillë, që janë të ndryshme prej
ndarjes së çmimeve. Janë dy mënyra që përdoren zakonisht nga vendet për
ta brojtur prodhuesin vendor dhe veçanërisht bujqësinë vendore: proteksionizmi
dhe subvencionimi. Me proteksionizëm nënkuptohet mbyllja e kufirit për
importe të atyre prodhimeve vendore të cilat shteti është i interesuar t'i mbrojë
(zakonisht për ekonomitë të cilat janë në fazën e hershme dhe i nënshtrohen
një konkurence të pamundshme nga produktet e importit). Ekonomistët
e Kosovës, me ta lexuar këtë rresht do ta nxjerrin marrëvëveshjen e CEFTAsë
për të na thënë se kjo qenka e pamundur, për shkak se tashmë jemi pjesë
e kësaj marrëveshje. Është e tepërt të flitet për këtë marrëveshje tash kur
Serbia e Bosnja, madje në disa raste edhe Maqedonia, janë duke e shkelur
me dy këmbët këtë marrëveshje, dhe janë duke i bllokuar tërësisht (Serbia
e Bosnja) dhe pjesërisht (Maqedonia) mallrat e Kosovës. Në janar të këtij viti
Republika Serbe në Bosnjë e Hercegovinë ia bllokoi importin e qumështit
Kroacisë pasi që Kroacia e kishte bërë një gjë të tillë për Bosnjen për shkak
se e kishte vlerësuar qumështin nga Bosnja si jocilësor. CEFTA, si shumica
e marrëveshjeve multilaterale, e dëmtojnë të dobëtin.
Mënyra tjetër është subvencionimi. Për t'i ndihmuar bujqit e vendit qeveria
do të duhej t'i subvenciononte ata. 50% të buxhetit të gjithmbarshëm të BEsë
shkon në atë që quhet Politikat e Përbashkëta të BE-së për Bujqësinë,
prej nga fermerët nga Franca janë pëfituesit më të mëdhenj. Këto shkojnë
në subvencionim të prodhimit vendor të ushqimit. Ta zëmë se qeveria ua jep
prodhuesve nga 5 eurocentë për litër qumështi. Kostoja mesatare e prodhimit
të një litre qumësht është 15 deri në 20 eurocentë varësisht nga ajo
nëse blegtori e pronëson tokën apo e merr atë me qira. Nga kjo kosto janë
përjashtuar investimet kapitale. Nëse në Kosovë konsumohen 130 milionë
litra qumësht në vit, atëherë qeverisë do t'i kushtonte 6 milionë e 500 mijë
euro në vit për t'i subvencionuar këto. Shtoja kësaj edhe mbrojtjen e prodhuesve
nga konkurenca e tepërt (duke e bllokuar Serbinë, Bosnjen,
Maqedoninë), prodhimi i qumështit do të bëhej aktivitet i levërdishëm
ekonomik. Ky do të kishte qenë çmimi më i mirë që Hashim Thaçi do të
mund t'ua jepte prodhuesve të qumështit në Kosovë. Dhe në këtë çmim do
të duhej të insistonte Shoqata.

Levizja Yetevendosje

Gjermani