Strukturat paralele të Serbiisë
Paraqet , Sabri Selmani
Në qershor të vitit 1999 ka ndryshuar
natyra e pranisë së Serbisë në Kosovë.
Përderisa para kësaj kohe Serbia
në Kosovë ishte e pranishme nëpërmjet
ushtrisë e policisë, okupimit e
gjenocidit, pas vitit 1999 ajo është e
pranishme nëpërmjet strukturave paralele
shtetërore brenda Kosovës. Pra,
prania e shtetit serb në Kosovë nuk ka
pushuar - ajo vetëm ka ndërruar formë.
Vetë UNMIK-u nëpërmjet Rezolutës
1244 i ka konsideruar këto struktura të
Serbisë si ilegale, por në të njëjtën
kohë UNMIK-u gjithnjë e ka toleruar
ekzistencën dhe veprimtarinë e pranisë
institucionale të Serbisë brenda
vendit tonë. UNMIK-u ka ditur gjithçka
për karakterin armiqësor të veprimtarisë
së këtyre strukturave kundër
vullnetit të popullit të Kosovës. Në një
dokument që ish PPSP, Joachim
Rucker, ia ka dërguar Sekretarit të
Përgjithshëm të OKB-së në vitin 2006,
shpjegohet qartë jo vetëm veprimtaria
e strukturave paralele, por madje
edhe vendnodhja e tyre fizike (objektet
dhe ndërtesat) nëpërmjet fotografive.
Kjo e ngarkon UNMIK-un me
përgjegjësi të dyfishtë: ai ka ditur
gjithçka për strukturat paralele, i ka
konsideruar ato ilegale, por i ka toleruar
dhe shpeshherë bile edhe ka
bashkëpunuar me to.
Të njëjtë gjë sot po e bën ICO dhe
EULEX-i. Në Planin 6-Pikësh të OKBsë
i arritur në bashkëpunim dhe negociata
me Serbinë, thuhet që EULEX-i
duhet të shtrihet në Kosovë "duke
marrë parasysh qëndrimet e faktorëve
relevantë në terren". Disa terrene kontrollohen
nga strukturat paralele të
Serbisë. Javën e kaluar, pas protestave
të punëtorëve serbë të gjykatave
në veri të Mitrovicës, EULEX-i paralajmëroi
se do të negocojë dhe bisedojë
me strukturat paralele. Kurse vetë
shefi i EULEX-it dhe ish komandanti i
KFOR-it, Yves de Kermabon, në fillim
të misionit kishte thënë që "ne do të
bisedojmë me të gjithë", duke i përfshirë
edhe strukturat paralele të
Serbisë. Kjo do të thotë që në vend se
EULEX-i e institucionet e Kosovës të
merren me shpërbërjen e strukturave
paralele të Serbisë, ata po i pranojnë
këto struktura si partnerë relevantë të
barabartë.
Tolerimi i strukturave paralele është
inkurajim i tyre. Këtë tolerim, strukturat
e Serbisë nuk e shohin si gjenerozitet
të institucioneve të Kosovës ndaj tyre
por si arritje të këmbëngultësisë së
tyre. Goran Bogdanoviqi dhe Oliver
Ivanoviqi dikur ishin në institucionet e
Kosovës. Ata janë investim 10 vjeçar i
institucioneve të Kosovës, porse tash
punojnë për Serbinë kundër Kosovës.
Strukturat e Serbisë ua kanë bërë serbëve
të Kosovës integrimin e të panevojshëm
dhe të pamundshëm. Ata i
mbështesin serbët financiarisht më
shumë sesa institucionet e Kosovës
për lojalitetin e tyre por, para së
gjithash, i kërcënojnë e frikësojnë ata
në mungesë të këtij lojaliteti. Njerëzit e
strukturave paralele në Kosovë paguhen
50% më shumë sesa kolegët e
tyre në Serbi, gjë që është tipike për
admnistratorët kolonialë. Është e kotë
të privilegjohen serbët përderisa i
kanë strukturat e Serbisë mbi kokë.
Në anën tjetër, nuk mund të ketë
investime serioze ekonomike në
Kosovë që do të përkthehej në
mirëqenie të shtuar të qytetarëve
përderisa Kosova ka struktura paralele
brenda.
Strukturat paralele të Serbisë në
Kosovë nuk janë kurrfarë institucionesh
anonime, por garnitura
njerëzish konkretë të paguar nga
Serbia për të zhvilluar veprimtari të
hapur armiqësore kundër Kosovës.
Lëvizja VETËVENDOSJE! ka arritur t'i
sigurojë emrat kryesorë të personave
të cilët janë bartësit konkretë të funksioneve
në strukturat shtetërore të
Serbisë që veprojnë brenda në
Kosovë. Nëse institucionet e Kosovës
janë, siç po na thotë përditë Hashim
Thaçi, për zbatimin e Kushtetutës,
atëherë këta njerëz konkretë po e
shkelin atë për çdo ditë. Qenia e tyre,
vetë ekzistenca e tyre, madje më parë
edhe se funksionimi e operimi i tyre,
janë shkelje të ligjit dhe krim në
Kosovë. Ja ku janë emrat - nevojitet
vetëm veprimi. Por nëse, në të
kundërtën, Qeveria nuk është për të
ndërmarrë asgjë, atëherë, le të tregojë,
e të mos i mashtrojë qytetarët e
Kosovës që është për një rend juridik
në Kosovë dhe kundër strukturave të
Serbisë. Le t'iu tregojë qeveria qytetarëve
nëse është për apo kundër
këtyre strukturave të Serbisë me
veprime konkrete.
(Në faqen tjetër gjendet kallzimi penal
që deputetët dhe zyrtarët e Republikës
së Kosovës do të mund ta
shfrytëzonin nëpër institucionet e
drejtësisë kundër strukturave paralele
të Serbisë në Kosovë).
Lëvizja Vetëvendosje
Kiel, Gjermani
Krijoni Kontakt