Plani i OKB-së për Kosovën
Arjan Konomi
Kohët e fundit si opinioni publik ashtu edhe politika kosovare janë tronditur nga plani prej gjashtë pikash i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon, propozuar së fundmi vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit për ta shqyrtuar si dhe për të dhënë mendimet e tyre përpara se ky plan të formalizohet.
Deklaratat për mospajtim me këtë plan nuk rreshtin prej presidentit Sejdiu e kryeministrit Thaçi por edhe nga figura të tjera kosovare, ashtu si dhe nga krerët më të lartë të politikës së Tiranës zyrtare. Të gjitha kanë një fill llogjik të përbashkët, që është ai i moscënimit të sovranitetit dhe integritetit të shtetit të ri të Kosovës.
Plani prej gjashtë pikash është i lidhur drejtpërdrejtë me vendosjen dhe fillimin e punës së misionit europian Eulex në Kosovë, që do të zëvendësojë gradualisht misionin e Unmikut. Eulex do të ketë në përbërjen e tij një staf prej 3 mijë vetësh, prej të cilëve afro dy të tretat do të jenë të huaj e pjesa tjetër vendase. Misioni duhej që në fillim të dhjetorit të vendosej në Prishtinë e konsiston në formimin dhe kontrollin e policisë, të gjykatave e doganave. Se çfarë ka dashur të shprehë Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së në planin e tij ende nuk dihet asgjë. Nuk ka informacione zyrtare dhe po mbahet në një sekret total. E vetmja gjë që dihet publikisht është se OKB-ja do të përpilojë një marrëveshje të re bashkëpunimi midis Prishtinës dhe Beogradit. Deri tani asnjë zyrtar i lartë ndërkombëtar nuk është shprehur konkretisht se çfarë këto gjashtë pika paraqesin.
Fakti është se alarmi që ato kanë shkaktuar te shqiptarët është i madh, duke parë nëpërmjet këtij plani rikthimin e autoritetit të Beogradit në një sërë fushash nevralgjike të vendit apo të pjesë të caktuara të territorit të tij, pra në veri të Mitrovicës dhe në enklavat serbe.Akoma më e paqartë është gërshetimi i këtyre gjashtë pikave me misionin e Eulexit. Mbetet gjithçka për t’u parë kur plani i Ban Ki-Moon të zyrtarizohet ashtu si dhe për ta kundërshtuar atë.
Këtë moment do të doja të tërhiqja vëmendjen në dy çështje të rëndësishme. Së pari, Organizata e Kombeve të Bashkuara është gjithmonë një hap prapa asaj që ndodh në botë. Më shumë sesa revolucionarizuese për politikën ndërkombëtare është jo vetëm e vonuar në kohë në planet e saj por edhe konservatore. Për të thënë edhe tjetrën që aty ku ndërhyjnë Kombet e Bashkuara eksperienca dëshmon që çdo zhvillim është i destinuar të dështojë.
Kjo organizatë e plakur në efikasitet dhe larg qëllimit që u krijua pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore ka filluar gjithnjë e më shumë t’i ngjajë parardhëses së saj, Lidhjes së Kombeve. E drejta e vetos në Këshillin e Sigurimit ka bërë që të mos jetë funksionale e të mos arrijë të veprojë e të ndërhyjë fuqishëm në çështje kardinale të politikës ndërkombëtare. Ndaj dhe sot, më shumë i ngjan një Ojf ndërkombëtare apo një klubi shtetesh. Kur nuk arriti t’i jepte zgjidhje Ruandës e Bosnjës, por e degradoi situatën duke çuar vendet në masakra, si mund të shpresohet që mund të gjejë një zgjidhje midis serbëve dhe shqiptarëve. Plani prej gjashtë pikash nuk duhet të alarmojë shqiptarët edhe sikur ai të jetë në kundërshtim me interesat e tyre për faktin se asnjëherë nuk kanë për t’u zbatuar. Por vetëm do të flitet gjatë.
Nuk duhet harruar edhe një element tjetër i rëndësishëm. Plani nuk është se do t’u imponohet shqiptarëve. Ai do të vendoset në tavolinë për t’u shqyrtuar nga pala serbe e ajo shqiptare. Kështu do të fillojnë bisedimet që do të zgjasin pambarimisht në kërkim të një kompromisi i cili nuk ka për t’u gjetur kurrë derisa të vijë një ditë e të gjithë të lodhen e ta harrojnë.
Ka edhe një problem tjetër. Nëse Kombet e Bashkuara do të nisin bisedime për arritjen e një marrëveshjeje ajo duhet të ndodhë midis dy shteteve, një prej të cilëve nuk është njohur ende nga kjo organizatë. Çështja është se në çfarë rangu do të jenë bisedimet? Jo si shteti me shtet? Si do të thirren politikanët e kosovës? Si president e kryeministër apo si njerëz të mençur të “fisit kosovar”? Këto janë çështje që nëse diplomacia nuk kujtohet t’u japë një zgjidhje atë duhet ta kërkojnë vetë shqiptarët.
Kosova është një shtet sovran që do të vazhdojë të jetojë e të zhvillohet pavarësisht njohjes apo jo të OKB-së, fakt që nuk do të thotë sot asgjë në pragmatizmin e politikës ndërkombëtare.
Krijoni Kontakt