Rrëshen. Tubim për ribashkimin e Mirditës në kufinjtë natyrale të saj.
Drejtuesit e disa prej komunave që aktualisht u përkasin qarqeve të Shkodrës, Lezhës, Dibrës dhe Matit firmosin projektin per bashkimin me Mirditën. Merr pjese deputeti Ndue Shpani, dhe shumë drejtues të tjerë rajonalë.
Mirditë. Nëse do të vizitosh shumë nga ekstremet e disa rretheve që kufizohen me Mirditën, do të konstatosh lehtësisht veshjen karakteristike të grave mirditore, por edhe dialektin, besimin fetar e shumë prej dokeve e zakoneve të tjera të vetë Mirditës gjeografike. Një konstatues i pavëmendshëm mund të mendojë se një ndikim i tillë i mirditasve në rrethe të tjera mund të ketë ardhur prej afërsisë e bashkëpunimit të Mirditës me zona kufitare rreth saj. Por në të vërtetë nuk është kështu.
Por nga ato që përcjellin arkivat apo edhe shënime të kronikanëve të kohës, mund të konstatosh se deri në vitin 1945 Mirdita ka qenë në një territor shumë më të gjerë nga sa është sot. Në cilëndo prej arkivave me dokumente të kohës, vëren se Vigu që sot është i Shkodrës ka qenë tokë e mirditasve dhe banorët e saj po të tillë. Gjithashtu, krahina të tëra si Uraka, Bazi, Shkopeti etj., që aktualisht gjenden nën juridiksionin e Matit, janë me mirditas dhe trevë safi mirditore. Pa pjesë nuk ka mbetur edhe Lezha, e cila jo vetëm ka “pushtuar” malet me gështenja masive të Molungut deri në afërsi të Rrasfikut, por ushtron prej 50 vitesh sovranitetin e saj të padrejtë në shumë komuna, të cilat përbëhen nga Kalori, Ungrej etj. Po ashtu, edhe Puka vijon të mbajë pjesë mirditase si Gjegjani, Gojani, Rrasi, deri në afërsi të Fushë-Arrësit.
Një çudi më vete përbën krahina e Fanit, e cila përbën një pjesë të konsiderueshme të Mirditës. Si shumë zona të tjera, edhe kjo kaloi nën juridiksionin e Kukësit. Për rreth dy dekada me radhë, kjo zonë u qeveris nga Kukësi, por nuk dihet se për çfarë arsyeje kjo ju bashkëngjit sërish Mirditës. Për një fakt të tillë, ndonëse dihet nga të gjithë, pak kush apo askush nuk ka guxuar të flasë hapur, edhe pas vitit ‘91 kur mori fund diktatura, e cila prodhoi një situatë të tillë për Mirditën. Në fillim të viteve ‘90 sikur u fol për këtë çështje, por më së shumti për konsum politik, ndërsa nuk u mor asnjë masë administrative për të rregulluar këtë padrejtësi, e cila ndonëse në miniaturë i ngjan faktit, sipas të cilit vetë kombit shqiptar ju rezervua një fat i tillë, duke i ndarë pjesë të rëndësishme të saj në pesë shtete të tjera që e qarkojnë atë. Përse ndodhi një veprim i tillë...........?
Në Rrëshen nisma e parë serioze!
Duke e konsideruar padrejtësi të kohës, një grup nismëtarësh kanë ndërmarrë iniciativën për ribashkimin e të gjithë trevave mirditase në një nënprefekturë të vetme. Grupi iniciator përbëhet nga ish-deputeti z. Luigj Gjoka, një ish i burgosur politik Zef Përpjetri, si dhe Filip Gjomarkaj, pinjoll i derës së kapedanit të Mirditës.
Ata prej disa muajsh kanë punuar në grup për ribashkimin e Mirditës, ndërkohë që intensiteti i punës është shënuar pas takimit me kryeminstrin Sali Berisha, i cili ka dhënë mbështetjen e tij.
Takimi kryesor u zhvillua në sallën e qëndrës kulturore të Mirditës, ku edhe morën pjesë deputeti i Kuvëndit z. Ndue Shpani, kryetari i Qarkut Lezhë z. Bardh Rica, Kryetari i Komunës së Vaut Dejës Shkodër z. Gjon Marku, Ded Përshpali nënprefekt i Pukës, Ndue Cara kryetari i komunës së Gjegjanit Pukë, Pal Çoku kryetari i komunës Ulzës Burrel, Arben Doçi kryetar i komunës Zejmen në Lezhë, Mark Ruçi kryetar i Bashkisë Rubik, Aleksandër Lala kryetar i komunës Orosh, etj.
Ky takim është hapur dhe moderuar nga Gjon Dedaj, kryetari i Bashkisë Rrëshen, ndërkohë që ish deputeti Luigj Gjoka në cilësinë organizatorit tha se jemi të mendimit se një nismë e tillë korrigjon një padrejtësi të madhe, por gjithësesi ne nuk po diktojmë, por po i paraprijmë një projekti qeveritar që do të startojë pas pak kohësh. Ndërkohë që Filip Gjomarrkaj tha se që në fëmijëri, në burg a interrnim, jemi mbrujtur me dashuri për Mirditën dhe mirditorët, dhe tentativa për ta ribashkuar Mirditën i shërben një qëllimi të tillë.
Më gjatë ka folur Zef Përpjetri (Ndoci) i cili gjithë jetën e ka kaluar në burgje dhe inetrnime. Ai tha se me shumë mirditas të tjerë mblidheshim në burg, ku edhe diskutonim për Mirditën. Shpesh herë thonim: A do të vijë ajo ditë që në Mirditë të bëheshin sërish kuvende?. Ne besonim se PO, por fatkeqësisht shumë prej tyre sot nuk janë gjallë për të ndhmuar në këtë proces. Ai vuri në dukje se tashmë Mirdita ka një armatë të tërë intelektualësh për dhe dy dhurata të çmuara, siç janë Katedralja dhe rruga e re Durrës-Kukës. Ndërsa Kryetari i Qarkut Bardh Rica evidentoi faktin se një rast i tillë ishte ezauruar edhe në rrethin e Kurbinit, ndërkohë që këmbënguli në një nismë të tillë, duke ofruar të gjithë mbështetjen e tij dhe të institucionit. Në mbështetje të tij dhe të kësaj nisme janë shprehur të gjithë drejtuesit e njësive vendore që përkasin rretheve si Shkodra, Puka, Mati dhe Lezha. Një nismë të tillë e kanë mirpritur edhe kryetari i komunës së Oroshit z. Aleksandër Lala, i cili tha se sjell përshëndetjet e zemrës së Mirditës, siç është Oroshi, ndërkohë që Mark Ruçi kryetari i Bashkisë Rubik duke ofruar gjithë mbështejen e tij, tha se një nismë e tillë kërkon vëmendje dhe përkushtim, pasi kërkon kohë dhe durim. Edhe znj. Marie Biba ish – kryetare e Bashkisë Rrëshen tha se e përkrah këtë ide në të mirë të Mirditës dhe zhvillimit të saj. Diskutantë të tjerë nga salla kanë përshëndetur dhe falenderuar iniciatorët, ndërkohë që kanë evidentuar faktin se kjo ishte disi e vonuar.
Në fund të gjithë të pranishmit kanë firmosur një peticion ku i bëhet thirrje qeverisë për të mbështetur këtë nisme, e cila sipas organizatorëve do të rrikthejë Mirditën ne kufinjtë e saj natyrale.
Aleksandër Ndoja
Burimi www.bashkiarreshen.com
Krijoni Kontakt