Shqiptarët nën pesë përmbytje Biblike

Nga Qemal Sakajeva

Këtu kutërbon era e Mashtrimit.

Nuk është gjë ajo e Gënjeshtrës.

Ndryshimin mes tyre e ka përcaktuar me kohë një ideolog francez duke thënë se " Populli i fal ata që e gënjejnë,por nuk fal ata që e mashtrojnë".

Filozofi, kur ka menduar të përkufizojë kështu, ka pasë parasysh francezët. Po të kishte gjykuar mbi shqiptarët e sotëm, mbase do të shkruante që, populli i fal të tri palët: Edhe ata që e gënjejnë. Edhe ata që e mashtrojnë. Edhe ata që gënjejnëmashtrojnë.

Dëshmi për këtë janë pesë përmbytjet biblike. Nën të pesta, gjithmonë, është gjendur populli. Llumi i trashë i vështirësive, për popullin ka qenë varr balte. Për qeverisjet e socialistëve- koshere mjalte.


Përmbytja e parë: Fajdet

Kjo histori tashmë dihet. Socialistët, atëherë në opozitë, i krijuan piramidat. Demokratët, për nga padija, për nga interesat për të mbajtur pushtetin, gabuan dhe disa herë e kanë njohur publikisht gabimin. Ata edhe paguan. Gabimin e paguan me çmimin e humbjes së pushtetit, dobësimin e partisë së tyre dhe ardhjen në pushtet të arkitektëve të fajdeve: Nomenklatura e Partisë së Punës, që nga Komiteti Qendror deri tek organizata bazë. Nomenklatura e sigurimit të shtetit që nga ministria e Brendëshme deri te informatori vullnetar i lagjes së fshatit të humbur.

Struktura luftarake e bashkuar për marrjen e pushtetit, fabrikoi dinakërisht, gjysëm fshehur dhe krejt hapur Fajdet. Si një eksploziv financiar,bëri kamikaze financat e popullit,që i vendosi në themelet e pushtetit. Vendi u përmbyt nga humbja.

Politika socialiste, pasi ua shkatërroi ekonominë njerëzve të mjerë, fajdet i keqpërdori për të rrëzuar shtetin. Pasi, pushteti u mor prej tyre, i duhej thënë popullit se, çdo të bëhej me kërkesën "Duam paratë tona". Do t'i merrni qind për qind, u premtoi Fatos Nano në Vlorë pak ditë para zgjedhjeve 1997. Dhe ja ku jemi, shumë vite pas Përmbytjes Fajde: Huadhënësit të varrosur thellë nën llum. Kthimi i parave diku në harresën e mashtrimit të madh. Premtuesi për kthimin e tyre Kryeministër.

Kush mban përgjegjësinë e Përmbytjes dhe Mosdaljes prej saj?

Përmbytja e dytë: Armët

Edhe kjo histori gjendet në dritë të diellit. Cilët u sollën me armë për të filluar terrorizmin për pushtet? Kush i futi ata mes popullit protestues? Cilët bënë thirrje për t'u armatosur? Çfarë gazetash dhe autorësh kërkuan luftë? Si u bë goditja e parë dhe si u vranë njerëzit e shtetit? Çfarë do të ishin ata që pinë gjak njeriu?

Shteti demokratik humbi kontrollin nga kjo goditje frontale terroriste. Viktimat thellë në varr. Vrasësit s'kanë për t'u burgosur kurrë për krimin terrorist të kryer ftohtësisht.Politikanët në pushtet.

Por,Përmbytja e Armëve mbuloi çdo individ, thuajse pa përjashtim, gati pa mosdalje nga ky shtresim vdekjeprurës.

Dhe ja ku jemi. Pas Përmbytjes Armë: Armëmbajtësit e gjallë me vete kanë qefin. Armërrëmbyesit s'dihet se ku gjenden. Urdhërdhënësit në pushtet.

Kush mban përgjegjësi për Përmbytjen Armë dhe mosdaljen prej saj?

Përmbytja e tretë: Krimi

Specialistët, me siguri, e kanë tërësinë e katalogut të llojeve të krimit. Në diktaturë, monopolin e krimit e kishte shteti. Sot krimi ka marrë pushtet dhe shoqëria shqiptare është nën Përmbytjen e Krimit të gjithëfarllojshëm: Ekzekutime të mëdha politike nga zyrat e shtetit, siç akuzon opozita, vrasje të fëlliqura brenda familjes, marrje jete vetëm për pak para,vrasje të paguara për hiçgjë, mbytje veç e veç dhe kolektivisht dhe lloj- lloj të tjerash deri ku nuk mbërrin as mendja e artit.

Kjo është përmbytja makabre në gjak, të cilën pushteti nuk e ndalon, sepse edhe krimi pjell para. Populli nuk e frenon, sepse tulatja, gjykon ai, është "jeleku antiplumb" më i sigurtë. Eshte thënë në shtyp se numri i viktimave të krimit ka arritur disa mijëra. Sa është tani nuk ka statistikë të re . Por, ata janë aq shumë, sa do të kishin mjaftuar për të fituar një luftë çlirimtare.

Viktimat gjenden në varrezë.Vrasësit ose të pakapur, ose të padënuar, ose edhe në burg.Kurse pushtetarët paguhen mirë si në vendin e sigurisë.

Po kush mban përgjegjësinë e Përmbytjes së Gjakut dhe mosdaljen prej atje?

Përmbytja e katërt: Vjedhja

Vesi, për të cilin s'mbahet mend qyshkur, të thuhet se e përbuzin brenda burgut dhe e dënon rëndë ferri, është vjedhja. Por, në Shqipëri, Vjedhja Zyrtare, është më shumë se Përmbytje Kusarimi. Në libra të shenjtë, thuhet se ka qenë dikur Koha e Ujqërve. Atëhere pra, kur kishte pak njerëz e të varfër,por shumë ujqër, këta, njerëzit s'kishin veçse ca thasë me bukë, si shpëtim, për të përballuar rrugëtimin e rrezikshëm për diku. Kur sulmoheshin nga ujqërit, u hidhnin bukë lukunive dhe, mrekullia ndodhte atëhere: kur buka sosej, edhe ujqërit largoheshin.

Vjedhja Zyrtare këtu i përngjan Kohës së Ujqërve. Kur shqiptarët të mos kenë më asgjë, edhe në zyrat e shtetit do të ndalojë vjedhja që, ndërkombëtarët e kanë quajtur korrupsion.

Dhe ja ku jemi pas Përmbytjes Vjedhje Zyrtare: Populli ikën nga vendi për bukën e gojës. Kusarët pasurohen. Qeveria asnjë nuk e ka çuar në gjyq.

Kush mban përgjegjësinë e Përmbytjes së Vjedhjes Zyrtare dhe mosdaljen prej atje?

Përmbytja e pestë: Uji

Shqipëria, po thuhet në media, gjendet nën ujë.

Jo, populli është i varrosur nën llum.

Qeveritë ateiste fajësojnë Zotin dhe parardhësit, ose sajojnë njeri të dehur, për t'u shfajësuar mbi përmbytjen e kryeqytetit. Por paraardhësit janë po ata vetë, ardhësit qysh gjashtë vite e ca më parë, qeverisës dhe ende në pushtet.

Makuteria për fitime e ka lënë të gjithë popullin përballë e të pambrojtur nga Përmbytja Ujore: Kanale të prishur, ledhe të dëmtuar, lumenj të masakruar, urdhërdhënës të papërgjegjshëm. Humbjet nga fajdet s'janë gjë përpara dëmeve të mëdha nga Përmbytja e Ujit. Gati gjashtë vjet të qeverisjes socialiste, të ardhur në pushtet me fitore plebishitare, siç kanë thënë, i kanë lënë shqiptarët, në mënyrë plebishtare, të vuajnë të gjitha vështirësitë që u erdhën nga përmbytjet: Jetët e tyre, shtëpitë, tokën, bagëtitë deri te veshjet e trupit.

Populli i ujërave gjendet nën llum. Të kamurit janë thatë, ngrohtë e ngopur.Qeveria ateiste fajëson Zotin dhe paraardhësit, kur paraardhësi është vetvehtja- në të njëjtin kabinet qeveritar.

Kush mban përgjegjësi për Përmbytjen Ujë dhe ngecjen e shqiptarëve nën të?

Përmbytja e gjashtë: Mos ardhtë!

Populli thotë "Ç'ka thotë goja, nuk bëhet"

Nuk ka mbetur tjetër e keqe, veç edhe Lëkundja e Dheut. Zoti qoftë me ne. Por, secila nga të pesë përmbytjet e ndodhura në pesë vjet, do t'i mjaftonte e tepronte çdo populli tjetër të madh. E jo më neve, të paktë e të varfër.

gazeta55