Dy javë para anëtarësimit me të drejta të plota në Aleancën më të madhe të lirisë dhe sigurisë në botë , NATO, Shqipëria hedh dhe një hap tjetër më pranë integrimit në familjen evropiane, me anëtarësimin në Asamblenë parlamentare të Mesdheut, EURO-MED.
Lajmi zyrtar iu bë i ditur të martën kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topallit dhe delegacionit parlamentar që e shoqëron atë, gjatë punimeve të Asamblesë parlamentare të Mesdheut , në Bruksel.
Topalli shprehu falënderimin dhe mirënjohjen e thellë në emër të Parlamentit të Shqipërisë, delegacioneve të pranishme në mbledhje, si dhe përfaqësuesve të të gjitha vendeve anëtare të EMPA-s.
Ajo, duke vlerësuar EUROMED si “shprehje parlamentare” legjitime e Procesit të Barcelonës- Bashkimi për Mesdheun, nënvizoi se delegacioni shqiptar ndjehet shumë i lumtur që sot anëtarësohet në këtë strukturë, në një detyrë të përbashkët për të përmbushur objektivat e EUROMED, për të gjetur zgjidhje problemeve, e ndërmarrë nisma në interes të mirëkuptimit, besimit dhe bashkëpunimit”
Një falënderim të veçantë Topalli ia drejtoi kryetarit të Parlamentit Evropian Pottering dhe presidentit të radhës së Asamblesë parlamentare Euro–Mesdheut, njëherësh kryetarit të Parlamentit të Jordanisë, Al-Majali.
Asambleja Parlamentare Euro-Mesdhetare (EURO-MED) është institucioni parlamentar i Procesit të Barcelonës me pushtet konsultativ, i bazuar në Deklaratën e Barcelonës. Konferenca Euro-Mesdhetare e Barcelonës ka lançuar Partneritetin Euro-Mesdhetar me pikësynim promovimin e paqes dhe prosperitetit përmes një strategjie të përbashkët mbi çështjet politike, të sigurisë si dhe ato ekonomike, kulturore dhe shkëmbimeve humane.
Asambleja përbëhet nga 260 anëtarë, 130 mes te cilëve anëtarë të parlamenteve kombëtare të BE-së dhe anëtarë të Parlamentit Evropian si dhe 130 anëtarë të parlamenteve të vendeve të Mesdheut. Gjatë punimeve të Asamblesë parlamentare Euro-Mesdhetare (EMPA), Topalli pati disa takime me përfaqësues të Parlamantit Evropian por dhe me kryetarë të parlamenteve të vendeve anëtare të EMPA-s.
Ndër takimet më të rëndësishme ishin ato me presidentin e Parlamentit Evropian, Pottering, presidentin në detyrë të Këshillit Evropian, Schwarzenberg, me kryetarin e Parlamentit të Jordanisë, kryetarin e Parlamentit të Marokut, kryetarin e Parlamentit të Monakos, kryetarin e Parlamentit të Egjiptit etj.
Në takimin me kryetarin e Parlamentit të Egjiptit, Topalli u përqendrua në çështjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës, theksohet në një komunikatë të Kuvendit të Shqipërisë. /
Krijoni Kontakt