Njerëzit me lidhje e t’njofshëm kanë marrë pozita, kanë zanë vene t’punës. Po vjedhin, uzurpojnë, marrin ryshfet, ju ka dal tamli përmbi përshesh. Këta që nuk po kanë punë, kryet për hava. Havaja nuk po ju qet me hangër. Ju, shyqyr që jeni qatje. Unë s’po kam çka me bo, kur po mërzitna, po dal n’kafe-restorant “Blini”. Aty po bajmë miting (meeting) me shokë. Po i kajmë hallet, po pimë kush kapuçino, kush makiato pa plumb secili sipas takatit, mue për veti ma shumë po ma kana birrën, bile edhe për drekë nuk po kthena në shpi. Shka me shku n’shpi kur edhe në restorant lançi (lunch) osht gati badihava. Golfi boll m’u ka vjetrue. Sot, Sadushi m’tha, kur po ta çon ni kerr të ri babuqi. Hiç nuk i fola, ku po di qysh i ki punt ti? Drejt me t’kallxu, boll inati m’erdh. Aj askushi me ma kalue me kerr. Në mramje po dal në internet kafe. Shka me bo? Nuk po kalon koha ndryshe. Sadbereja po m’dhimet qe po la vet në shpi, po edhe ajo po hin në çat (chat), bile kur po osht online po foli me ta. Shopingin po e baj në Benaf, ma lirë shumë aty senet. Leutrimi i ka lonë studimet. Hej njeri, - m’tha dje, shka me krye fakultetin, qe, Tefiki e kryti dhe boll kull djalë osht po punë nuk po i japin. Krejt me t’njofshem po shkon. Kush po ka lidhje edhe me diploma fals po punojnë. Si t’baj pak pare edhe unë e blej nji diplomë. Nashti u kanë mirë me ja pas gjet nji nuse me vizë Leutrimit. Po dreqi edhe po zgedh, valla. Kish ardh qatje me juve. Kish gjet shkado punë në t’zezë dhe nuk kish pas qare pa pune se këtu edhe huna në tokë m’i ra nuk e merr. Tash kurkush nuk e ka punën e sigurume këtu. Po varet cila parti po fiton. Sivjet janë zgjedhjet dhe nuk po di me ka me u bo. Ku dreqin me ditë se cila parti po fiton. Për qata njerëzia u myten tue ndërrue partitë për ditë. Me fitue partija jote, mirë. Me fitue ajo tjetra t’qet pa kapuç prej punës. Dardana, mesa jote, hiç nuk po hin mrena, shpia ju ka bo uk. U regjistrue n’kurs të anglishtes. Ka mësue nji namin anglisht dreqi. Kqyre çiko, i tha nana e vet, i ke bo do vjet … me ta gjet ni burrë Qy, qy ia kthej ajo, ti po m’gjon burrë? Në punë të mija mos u perzi! E di unë sa vjet i kam bo. Dhet iz mai problem, ok! Ramadushi i mahallës Te plepat ka marue ni dyqan mids Ledines t’madhe edhe ni çezme si fontanë. Po thojnë se kanë me ja prish këta të Katastarit, po fotografitë e tokës, e arave, e shpiave po thonë i kanë marrë shkijet me veti n’Serbi. Disa tjerë po thonë; ua ka mush gushën me ero Ramadushi ktyne që e masin tokën dhe nuk ja prishin kurrë as dyqanin, as fontanën. Paret, që m’the në telefon se po m’i ha xhepi, nime qashtu osht. Kerri, agregati, telefoni fiks, rryma, interneti, mobili i Trimit, Dardanës, i jemi po kushtojnë edhe mujt e shpesht, o babuq, sahora po shkojnë. Shfajc aparatin, e aletet që i ke pas prue para luftës i kam gjet te Zaimi i Lamit. I kish qit me i shit në pazar, pisi. Këto maqina e alete janë të babuqit tem, i thash, kur i pashë, po tha Zaimi, kam dashtë me ti prue disa here e me t’bo sëpraiz, po nuk qillojshe në shpi. I kam pas gjet mas luftës në shpi të Tasiqit. Ding me sene të shyptarëve e kish pas mush shpinë krimineli… bezbeli, nuk ka mujt krejt m’i çue në Serbi se nuk kish lon kurgjo. Kush ka mujt aty ka marrë. Mirë, mirë, i thash, secili u deshtë m’i marrë senet e veta, jo edhe t’hujat. Po atëherë, me niherë mas luftës, njerëzit e traumatizuem nuk kanë ditë se shka osht e tij dhe shka osht e huja. Donte me u arsytue diqysh llomshti. Këta të partive e kanë nis fushatën elektorale. Po premtojnë se kanë me nreq teleferik me ec për hava deri në maje të Lubetenit, me shtrue rrugët me shkue n’ara e n’mal, me hap vene t’punës, me udhëtue pa viza nëpër Evropë. Sa herë e përmendin Kosovën kurrë nuk harrojnë pa ia shtue edhe bishtin “multietnike”. Fjalë në hava sa të duesh. Nime, kanë asfaltue do rrugë, po nji shi me ra, ni diell i fortë me nxe po gërryhet, po shkrihet asfalti. Golfi gati m’ka ra për toke. E kanë lshue amortizerat, trapi i parë e i mram. Rrugët krejt me gropa. Tash nuk po muj me hyp golfin në trotuar me parkue se po zatet. Ifuzi i Sanejes ua ka zanë dritën e frymën kojshive, ka marue shpi katër kat, me bazen mrena e nxemje solare. U bo riç (rich) me nji dyqan afër shkollës t’mesme tu shit enërxhi drink e cigare. Disa po thonë se Ifuzi përveç enërxhi drink, cigare e cingli - migla tjera shet edhe mill të bardh. Tatari i raft në fije. Policia, hajnat e vegjël po i zanë, po t’mdhajt s’po mujnë. Policët me mbiemna që ju marojnë me -viç hala nuk po punojnë. Po presin shka po ju thotë Beligradi. Pse me punue, rrogat po i marrin, rrymën nuk e pagujnë, po rrinë në shpi dhe po vajtojnë pse u bo Kosova e Pavarme? Kurrë mos knofshin! Edhe këta t’hujt i kanë marr vesh se po kajnë me lotë përpjetë. Nanuqi a po gatuen llokuma për mëngjes? T’mira boll m’i hangër me mermelladë t’kaçave e çaj Cejloni. Ani tash me tupanin e saçin elektrik keni m’u knaq me pite e flija, nanuqi nuk priton. Sivjet e kemi ma lehtë me shkue n’deti. Rruga për në Durrës po thonë do me u nreq. Disa lider partish, veç për inati t’Sali Berishës, nuk po kanë qef me u krye rruga. Mirë, thojshe ti se shyptari për inati t’resë thotë m’dekt djali. Valla vjet, kur shku’m rrugës vjetër n’deti, Sadberen e Dardanën i ka pas myt tugi prej kthesave të m’dhaja. Edhe mue dy ditë m’u kanë merr ment. Leutrimi, dreqi i fortë, si mbërrimë në Durrës menjiherë i tha nanës vetë: “Po dal pak me shokë” . Kur u ktheva i rash kah Qafë-Thana. Ngat, atij qytetit ku u bo marrëveshja mes shyptarëve e maqedonëve na nali policia. Na mori dokumentet dhe, jo i keni grah shpejt, jo rrotat i paskit dyz t’hankta, jo ku jeni kanë. Leutrimi i nxori 5 ero e do lekë qe na paten met dhe nji shishe konjak Skënderbeu ja dha policisë. “Dobro, sega odite”, na urdhënuen policët, demek shkoni. Shishen e konjakut naj kthyen, nuk kem nevojë për ujë me ngjyrë t’konjakut, thanë. Libija e Egjipti nuk po na pranojnë. Ky sehirbazi i Serbisë, Jeremiqi u paska thanë Gadafit e Mubarkut … se osht nip i myslimanëve, po nuk ju ka tregue se raca e tij për ni ditë i ka vra 8000 myslimanë në Srebrenicë. Valla babuq, shyptarët hiç nuk kishin pas ditë se ka e kanë mik e ka anmik. Janë kanë pas myt tu lon emna fëmijëve: Naser, Sadat, Gadaf, (n’Kosovë e Maqedoni), Marks, Stalin, Vladimir, n’Shypni) bile edhe kangë për ta knojshin. Nejse, shyqyr qe jeni qatje, rrymë e ujë keni non stop. Këtu edhe ilaçet fals janë. Daja Tafë e ka fitue tenderin mi lye dy shkolla. Qysh bre dajë, i thash, ti as mistri nuk ki, qysh i lyen shkollat? Heee u përgjigj, unë e shpalli tenderin tash vetë dhe ja jap tjetër kujt. Kallxoj nanuqit se gëzohet për vllavin, që po fiton hiç pa u lodh. Baci Qerim ka pas bo plan me martue Kreshnikun kësaj vere, po nuk po mundet me gjet muzikë. Krejt kangëtarët ishin t’zant për sivjet. Kreshniku nusen moti e ka prue n’shpi, po pati qef mos me shty edhe nji vjet dasmën. Për pak me harrue me t’kallxue se m’ka thirr Marengleni prej Durrësit. “Hë, tha, mirë je? Në ç’muaj do vish për pushime? Dëgjo, dhomën do ta kesh sivjet me klimë, ventilator siç thoni juve, krevat, shtrojë, çarçafë e komodinë të re, muret e banjos i kam veshur me qeramikë të importuar nga Italia, dushin fringo …” Ma boni qefin Marengleni që veti për Sadberën, Dardanën e Leutrimin edhe juve kurrë asnjiherë nuk e le pa ju përshëndet. Mos u bon marak që nuk po ta lon antenën satelitore me qit n’ballkon për me shikue RTK, KTV, RTV21. se kurgjo nuk po qesin. Politikanët si n’Shypni, si n’Kosovë e Maqedoni po donë me hangër mish njani-tjetrin. Gazetat po rrejnë se janë të pavarme. Para do ditësh erdh për vizitë në Kosovë Leka Zogu. Disa u gëzuen për vizitën e mbretit, kurse disa tjerë thojshin nuk osht mbret, as kurgjo. Gazetat po shkrujnë se edhe Skënderbeu, Nana Tereze nuk janë kanë shyptarë. Mirë tha nji ditë Baci Beq, kaje bre nanën kur gjithkushi u bo gazetarë e historian. T’hujt kanë shkrue e po shkrujnë ma mirë për neve se na për veti. Këto ditë, shteti shyqyr dha urdhën m’i vra qentë endacakë se nuk guxojshim me dal n’rrugë prej tyne. Ishalla nuk merr vesh për këto vrasje Brizhit Bardo se ka m’i qit punë qeverisë. Shka me kallxue tjetër? Baci Ramë e ka harrue venin se ku i ka fsheh paret e s’po munet m’i gjet. Djemtë e rejat nuk po i çojnë ma pare se po i thonë; “as s’po di m’i rujt, as m’i harxhue”. U bo copa tu’ lyp, po badihava. Shyqyr, i rriti vjetët me dy ispat dhe tash po merr pensionin 40 ero se ka pas met kurrqysh. “Rama, i paska thanë Sadberës gruja e tij, Nailja, dry dreqi osht, i di ku i ka paret, po nuk kallxon.” Valla, qashtu nashti osht se teta Ale nuk rrenë. Ha, desh harrova me t'kallxue se ka ardh prej Turqisë djali i bacit Veli, Sherafedini, po do me ndërtue nji fabrikë me marue çamçakëza shuga fri (sugar free.) Kryetari i komunës u myt tue rreh gjoks se prej kur e ka marr pushtetin ai, në komunën tonë kanë filluar të investojnë me të madhe edhe të huajt. Mirë thojshe ti se politikani i mirë osht ai që nuk e tepron me rrena, po tanët valla ... Nejse babuq, se Sadberja e paska bo gati qullin për flija. Me neve po vjen në Brezovicë edhe Sela me Azën. Selam krejtve natan! Tung!
S.A
Krijoni Kontakt