Agjensia e Lajmeve "SOT"

Gërdeci, ish ushtarakët akuzojnë: Të gjitha qeveritë shqiptare të përfshira në trafikun armëve

Prezantohet libri me titull, “Misteret e trafikut të armëve në Shqipëri”

Gjendja e armatimit të ushtrisë shqiptare në përfundim të luftës së dytë botërore, armatosja “deri në dhëmbë”, vit pas viti si dhe trafikimi i armëve e municioneve luftarake, nëpërmjet dëshmive dokumenta origjinale (pjesa më e madhe të pabotuara) nga arkivat e Ministrisë së Mbrojtjes, sillen në faqet e librit “Misteret e trafikut të armëve në Shqipëri” të autorëve Kujtim Boriçi, Eduart Abazi e Zyhdi Kroj, i cili sapo doli nga botimi.
Të gjitha qeveritë shqiptare kanë qenë të përfshira në trafik armësh dhe tragjedia e Gërdecit, është përgjegjësi politike. Kjo ishte deklarata e bërë nga kryetari i shoqatës së ushtarakëve në rezervë, Mehdi Pogaçe, gjatë prezantimit të librit “Misteret e trafikut të armëve në Shqipëri”, me autorë Kujtim Boriçi, Eduart Abazi dhe Zyhdi Kroj. Ky libër u publikua pesë ditë para përvjetorit të tragjedisë së Gërdecit. Misteret e trafikimit të armëve, demontimit e shitjes së tyre, pasqyrohen me fakte të dokumentuara më shumë se kurrë në librin me titullin e lartpërmendur.
Një almanac i vërtetë i arsenalit luftarak të ushtrisë shqiptare që prej vitit 1924, menaxhimit dhe trafikimit të tij në vite, që mbështetet në dokumenta historike dhe arkiva. Libri hedh në dritë me hollësi mbi fenomenet që çuan në tragjedinë e Gërdecit, e mbi historikun e trafikimit në Shqipëri që rrënjët e tij i ka shumë herët. Tre autorët me përvojë të gjatë si në fushën ushtarake ashtu dhe gazetareske zbardhin me fakte dhe referenca historike edhe mbi misterin e zhdukjes së avionëve shqiptarë, misterit të shitjes së 3200 katjushkave në Izrael, arsenalit që kërcënon tragjedi të reja etj. Në promovimin e librit kanë folur njohës të mirë të ushtrisë dhe të ndërmarrjeve ushtarake në vendin tonë. Deputeti Pirro Lutaj dhe shumë gjeneralë në lirim denoncuan praktikat e largimeve politike, që kanë sjellë disa tragjedi mes të cilave ajo në Gërdec nga ku mori spunton edhe libri. “Paratë e nxjerra nga lëndët e para të përftuara nga kjo teknikë, nga ky armatim kanë shkuar ose në xhepat e politikanëve ose edhe të mafias shqiptare dhe mafias ndërkombëtare të ingranuar në këtë aferë të pistë të trafikut të armëve. Ngjarjet e kohëve të fundit ku shikojmë se në bankën e të akuzuarve janë një grup ushtarakësh të lartë tregon se politika vazhdon të bëjë lojën e saj dhe t’i përdorë ushtarakët. Ky është një mësim për këta ushtarakë, dhe për ata ushtarakë që janë, të cilët natyrisht kryejnë detyrat e tyre, por asnjëherë nuk do t’i binden politikës në mënyrë të verbër”, tha Pogaçe.
Trafiku i armëve
Trafiku i armëve në Shqipëri, sipas fakteve dhe dokumenteve të paraqitur në këtë libër është kryer në të gjithë qeveritë shqiptare, madje edhe gjatë diktaturës komuniste. “Politika vazhdon të bëjë punën e saj dhe të përdorë ushtarakët”, u shpreh ish-ushtaraku Mehdi Pogaçe. Në të njëjtin mendim është edhe ish-ushtaraku tjetër Zyhdi Kroji, bashkautor në librin e sapo publikuar “Misteret e trafikut të armëve në Shqipëri”. “Jam përgjegjës për ngjarjen, por fajtor janë ata që kanë mbushur xhepat. Jam kritik nga qëndrimi që është mbajtur për situatën”, u shpreh Kroji. Libri u prezantua pesë ditë para përvjetorit të tragjedisë që ndodhi në Gërdec, ku nga shpërthimi i një fabrikë të demontimit të armëve, humbën jetën 26 persona. Mbetën të plagosur qindra të tjerë, ndërsa u shkaktuan dëme të mëdha materiale. Libri flet jo vetëm për misteret që fshihen mbas 15 marsit por edhe për trafikun e armëve që është luajtur edhe në qeveritë e tjera. Eduart Abazi, Zyhdi Kroj dhe Kujtim Boriçi flasin për trafik armësh edhe gjatë kohës së diktaturës, dhe pas saj, deri tek zhdukje tankesh dhe avionësh ushtarake. Në këtë libër gjenden gjithashtu të dhëna për depot e tjera që paraqesin rrezik aktual, por edhe të vërtetat e uzinave demontuese. Më poshtë do të lexoni disa nga pjesët e botuara në librin “Misteret e trafikut të armëve ne Shqipëri”.

************************************************** **********************************
Dëshmi dhe dokumenta zyrtare të pabotuara, publikuar në librin “Misteret e trafikut të armëve në Shqipëri

Vitet 2003-2004, si u shkatërruan dhe u shitën tanket për skrap
Në faqen zyrtare të kompanisë “MEICO”, nuk rezulton si zë shitja e tankeve luftarakë, qoftë në gjendje gatishmërie, qoftë dhe në pjesë të çmontuara me destinacion skrapin. Por, dihet që dhe tanket u shkatërruan apo u shitën në një formë apo një tjetër. Shkatërrimi, shitja apo abuzimi financiar e ligjor me tanket (ndëshkuar dhe me gjobë nga KLSH), për shkak të sekretit apo interesave të personave që u morën me to, edhe sot mban shumë të panjohura, mistere. Burime zyrtare në Ministrinë e Mbrojtjes pohojnë se në vitet 2003-2004 janë shitur për skrap 30 mijë ton metal nga tanket, pjesë të tyre apo të armatimit luftarak të instaluara në këto mjete të blinduara. Referuar dokumenteve zyrtare (hyrje-daljeve dhe personave që u morën me procedurat përkatëse), procedurat e shitjes së tankeve për skrap (kështu është cilësimi në dokumente), ju besuan kompanisë “MEICO” që për shumë vite drejtohej (shkarkohej, riemërohej) nga Ylli Pinari. Burimet e mësipërme konfirmojnë se nga shitje-shkatërrim, abuzim me tanket, me këto të ardhura, në Ministrinë e Mbrojtjes u futën 20 automjete të tipit kamionçina. Vlera e një automjeti të tillë të sapodalë nga fabrika, sipas specialistëve, është më pak se 20 mijë dollarë.
Përtej faktit të “shitjes” së tankeve për skrap, në media, por dhe zyrtarisht, u përfol për abuzime dhe përfitime të funksionarëve shtetërorë e grupeve të interesuar e me lidhje me qeveritarët. Këtu nuk po ndalemi në akuzat konkrete (“shitje”, “abuzim”, “vjedhje”, “trafikim”, “miliona lekë të vjedhura” etj..) që politikanët shqiptarë të kaheve të ndryshme politike i bëjnë (kërcënojnë) njëri-tjetrit. Por, asnjëherë, nga qeveria e kohës, ajo që erdhi pas saj dhe institucionet e larta shtetërore nuk konfirmuan, apo më saktë mbuluan një fakt, atë të ndëshkimit me gjobë nga Kontrolli i Shtetit për shkelje në këtë “shitje” tankesh. Sipas konfirmimeve nga të dy institucionet (KLSH e Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Mbrojtjes është gjobitur nga Kontrolli i Lartë i Shtetit me një gjobë 1.2 milionë euro. Shumë pyetje mbeten pa përgjigje rreth këtij misteri. Apo pista e shitjes, e trafikimit të armëve e municioneve, minimalisht përfitimet financiare në aferat antiligjore mbeten tabu mes palëve që janë të përziera në to.



************************************************** **************
Dekreti i ish-Presidentit Ramiz Alia për shitjen e armëve
Shitja masive e armëve shqiptare nëpër botë, njëkohësisht dhe trafiku i shumëpërfolur, sipas dokumenteve që gjenden në Ministrinë e Mbrojtjes, nis në fillimvitin 1991. Në këtë vit, është një dekret i firmosur nga Presidenti i vendit, Ramiz Alia, në bazë të të cilit u përpiluan vendime e urdhra të qeverisë e ministrive për shitjen e armëve dhe municioneve jashtë vendit. Mbi bazën e këtij Dekreti, është përpiluar Vendimi i Këshillit të Ministrave Nr.616, datë 07.07.2002 (i qeverisë “Nano”) dhe Vendimi i Këshillit të Ministrave Nr.138, datë 14.03.2007(i qeverisë “Berisha”). Të dy këta urdhra kanë objekt të njëjtë, përkatësisht: “Për procedurat e trajtimit të armatimit dhe teknikës së Forcave të Armatosura që hiqen nga përdorimi”. Në bazë të këtyre vendimeve, në harkun kohor 1992-1997 janë shitur rreth 300 milionë fishekë e afro 50 mijë armë këmbësorie. Është favorizuar Kosova dhe më vonë UÇK (vitet 1995-1999), por dokumentet janë të klasifikuara TSRV (Tepër Sekret të Rëndësisë së Veçantë). Pra, numri i personave që kanë dijeni është shumë i kufizuar. Konfirmimet e mësipërme shoqëruar me dokumentet përkatëse, si dhe ato në vazhdim, u ofruan nga një ushtarak i lartë i Ministrisë së Mbrojtjes, me një karrierë të gjatë në këtë institucion, punonjës aktual që njeh në detaje dhe mekanizmin e shitjes (apo trafikimit-sipas akuzave), të armëve e municioneve luftarake. Por, për shkak të marrëdhënieve të punës, preferon të mos identifikohet me emër.


************************************************
Armët dhe municionet që u grabitën më 1997
Trazirat e marsit 1997, ku shteti u bë inekzistent e vendin e pushtoi kaosi, ku ligjin e bënin bandat e rrugës, ku u regjistruan mbi 3000 viktima të pafajshme, është një nga ngjarjet më të rënda të kombit shqiptar, e paprecedent në kontinentin europian. Fakti që për këtë tragjedi, ende nuk ka përgjegjës ligjorë (edhe pse ata dihen në opinionin vendas e ndërkombëtar), e bën më të dhimbshme dhe të rëndë këtë ngjarje. Për më tepër, kur shtetarë të kohës apo të tjerë me përgjegjësi direkte apo indirekte në këtë tragjedi, jo vetëm nuk po përballen me ligjin, por bëjnë të pafajshmin, akuzojnë njëri-tjetrin, tregon së paku që klasa politike e këtij vendi, jo vetëm nuk garanton ecjen e vendit përpara, integrimin në bashkësinë europiane, por vazhdon me praktikat mesjetare të ndërtimit e funksionimit të shtetit. Në trazirat e marsit 1997, ku u “shkri” policia e ushtria, objektet e para që u bastisën ishin depot me armatime dhe municione luftarake. Ky arsenal u bë objekt i vrasjeve masive, hakmarrjeve, por dhe i trafikimit ndërkombëtar. Referuar dokumenteve zyrtare, konfirmimeve të funksionarëve shtetërorë të kohës, por dhe më vonë, nga ky i fundit, krahas trafikimit ordiner, u përfshinë dhe persona apo struktura të veçanta shtetërore që u majmën financiarisht me pasurinë kombëtare. Lidhur me sasinë e armëve dhe municioneve që u rrëmbyen në trazirat e vitit 1997, ka shumë pika referimi, por që nuk kanë përputhje me njëra-tjetrën.
Kështu, dhe nga publikimi zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes (Gazeta “Ushtria”, datë 7 tetor 2005) lidhur me arsenalin e rrëmbyer nga depot në trazirat 1997, nuk përkojnë me fletë-inventaret e Drejtorisë së Armatim-Municioneve të Ministrisë së Mbrojtjes para se të ndodhte shkatërrimi i shtetit dhe ushtrisë. Në publikimin e bërë nga gazeta zyrtare e Ministrisë, shifrat janë më të vogla se inventaret dhe shifrat e publikuara nga media e funksionarë të shtetit gjatë këtyre viteve. Duke i qëndruar konsekuent qëllimit të referimit vetëm dokumenteve zyrtare, arkivave dhe duke shmangur analizat e përgjegjësitë për shitjen, trafikimin e armë-municioneve (se nuk është ky qëllimi i këtij libri), po japin statistikat e inventarit të armatim-municioneve që u morën nga depot në trazirat 1997.