
Postuar më parë nga
Vista
Në Podujevë mbahet manifestim në përkujtim të lindjes së Muhamedit a.s.
E hënë, 16 Mars 2009 11:21
Përgatiti: Blerim HALILI
Në vazhdën e aktiviteteve dhe organizimeve në përkujtim të (ditë)lindjes së Muhamedit a.s. edhe në qytetin e Podujevës u mbajt manifestimi "Gjurmëve të të Dashurit tonë a.s." nën organizimin e Bashkësisë Islame të Podujevës dhe Asociacionit për Kulturë, Edukim dhe Arsim (AKEA).
Salla e Filmit e qytetit qe e mbushur përplot me besimtarë të cilët i dhanë kuptim manifestimit duke përcjellur rrjedhën e programit me interesim të lartë dhe emocionalitet të theksuar.
Pas hyrjes së përgjitshme nga ana e moderatores, u recituan disa ajete kur'anore nga Hakim ef. Iljazi, i cili gjallëroi zemrat e spektatorëve me zërin dhe melodinë e tij depërtuese.
Pastaj, para të pranishmëve flet Mulla Idriz Bilalli, kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame të Podujevës, i cili pasi shprehu mirëseardhjen dhe pas përshëndetjes për të pranishmit, përmendi të veçantat e këtij përvjetori, arsyet dhe nevojën e përkujtimeve dhe tubimeve të kësaj natyre. Në fund të fjalimit të tij, ai përmblodhi madhështinë e mesazhit të Muhammedit a.s. dhe rrugës së tij duke thënë: "Kemi arsye të tubohemi e të kujtojmë këtë Pejgamber të nderuar, i cili na ka lënë një biografi të pastër e të këndshme, na ka lënë një mision universal dhe të përjetshëm për çdo kohë dhe vend." Ai e përmbylli fjalimin e rastit duke falënderuar të pranishmit për prezencën, me theks të veçantë mysafirët dhe aktorët, mandej edhe aktivistët e AKEA-së, punën e të cilëve e vlerësoi lart.
Më pas, me interpretim ilahie, para të pranishmëve, për disa çaste u shfaq kori i përbërë nga Hakim Iljazi, Fahrudin Hashani dhe Idriz Podvorica, që i kënduan asaj për çka ishin mbledhur.
Në vazhdim të programit, për t'i dhënë shpjegimet e tij, për të paraqitur fjalimin e tij më këtë rast, fjalën e mori Muhamed ef. Fazliu, i cili u fokusua në shtjellime gjithëpërfshirëse mbi figurën, personalitetin dhe karakterin e Muhamedit as., duke u përqendruar gjithashtu në mënyrë të veçantë te cilësitë e tij të larta morale, shpirtërore e njerëzore.
Figurën dhe personalitetin e tij e përshkruajti si të gjithanshëm: komandant, udhëheqës, politikan, i drejtë, i devotshëm, i mëshirshëm, i thjeshtë, modest, adhurues i denjë i Zotit, dhe këtë e përmblodhi më citimin: "Nuk të kemi dërguar (ty o Muhammed) për tjetër veç mëshirë për botërat". Mëshirën e tij e cilësoi jo vetëm në raport me besimtarët, por në raport me të gjithë njerëzit pa dallim (edhe me pabesimtarët).
Për të argumentuar cilësitë morale, personalitetin burrëror, vetitë e devotshmërisë dhe përkushtimin e plotë ndaj fjalës dhe rrugës së Allahut xh.sh., ligjeruesi, z. Muhamed ef. Fazliu, përmendi rastet nga historia e dhembshme, prekëse e të Dërguarit a.s., kur ai është lënduar seriozisht nga të pafetë, si në Uhud, në Taif, e plot raste tjera dhe sahabët i thanë t'i mallkonte ata pabesimtarë që i shkaktuan plagët, e ai u tha: "Allahu s'më ka dërguar për mallkim, por që t'i udhëzojë ata" dhe lutej: "O Zot, i udhëzo ata se nuk dinë!".
Kjo qe rruga, ideja, ideali, misioni i të Dërguarit, këto qenë cilësitë e tij, që u paraqitën nga ana e ligjeruesit.
Pas kësaj pike në skenë u paraqit aktori Ismet Azemi, që bëri interpretimin ilahisë "O Allah" (me tekst të Sabri Bajgorës) dhe një ilahie tjetër (me tekst të Kemal Efendi Aruçit), i cili u prit mjaftë mirë edhe me duartrokitjet e të pranishmëve në sallë.
Në vazhdim, me kumtesën e tij "Historiku dhe argumentimi i kremtimit të mevludit" flet Bekim ef. Jashari, duke përmbledhur sqarimet e nevojshme dhe duke iu referuar rrugës së shumë prej dijetarëve eminentë islamë.
"Kremtimi i mevludit është vepër e lavdëruar"- tha ai, duke shpjeguar se ata që thonë se kjo është një risi, bid'at, me gjasë këtë qëndrim e mbajnë nga frika se mos po cenohet ndonjë fundament i besimit.
Si argumentim i lejimit dhe të qenit të këtij përkujtimi i lavdëruar, ai citoi hadithin e Profetit a.s., që e transmeton Imam Muslimi: "Kush e vë në praktikë një adet të mirë, i takon shpërblimi i atij që vepron sipas tij." Mandej ai citon edhe Imam Ibn Haxherin që thotë: "Ai që organizon mevlud, dhe shmanget nga veprat e këqija nga ai mevlud, mevludi është bid'at i mirë, dhe nuk i cenon fundamentet e sheriatit."
"Edhe Imam Ibn Tejmije e mbron këtë qëndrim"- shtoi z. Jashari.
Në fund të programit, për t'i dhënë vulën e mbresave dhe për të ndezur zjarrin e fuqishëm të ndjenjave, para të pranishmëve del aktori ynë, Basri Lushtaku, me interpretimin e monologut "Unë larg, ti afër" me tekst nga Fatmir Muja, në të cilin gërshetohet nga njëra anë dashuria, malli, kujtimi që janë edhe afërsia e çeliktë me të Dërguarin, dhe, nga ana tjetër rrëmuja, pluhuri, mëkatet, bota që janë vetë largësia mbytëse. Ky performim me gjuhën, tonin, theksin, fuqinë dhe ngjyrën artistike dhe me përjetimin e thellë shpirtëror, pushtoi me emocionalitet dhe përmallim, jo vetëm të pranishmit, por të dukej se edhe salla, bashllëku, hapësira ishin përlotur...
Shoqëruar me këto mbresa të pashlyeshme, u shënua edhe fundi i programit, i cili mëtojmë të na jep sinjal për vazhdimësi në nisma të tilla, që janë të pazëvendësueshme për kontribut në ndërgjegjësimin fetar, përjetimin e lirisë shpirtërore, çiltërisë morale dhe që jetësojnë pa masë ndjenjën e përbashkësisë me rrënjë qiellore, rrjedhimisht që të jemi më afër mesazhit dhe gjurmëve të të Dashurit tonë, paqja dhe mëshira e Allahut qofë mbi të!
Krijoni Kontakt