Artikull i dëshmorit të kombit Bahri Fazliu (1971-1998): “Ta përqafosh 81-shin, ta braktisësh 90-shin”, i shkruar 14 vjet më parë
Mars ’81. Populli braktisi kasollen që po ia zinte frymën dhe mori në sy ndërtesën.Aty ku s’ka vend për shpirtrat e njerëzve, një ditë s’do të ketë vend as për trupat e tyre. Kasollja vuan nga vogëlsia, nga ngushtësia. Të jetosh në kasolle do të thotë ta durosh hijen e ndërtesave. Muret e brishta të kasolles iu bëhen të padurueshme banorëve kur këtyre iu kujtohen muret e forta të ndërtesës. Kur ky padurim kthehet në qëllim, kasollja kthehet në gërmadhë.
Më ’81 kasollja u shemb përdhe. Më ’81 u hodhën themelet e shtëpisë së re. Muratori popull po derdhte energjitë e tij, talentin, guximin, artin për ta ngritur një kala të fortë e të pathyeshme. Bashkë me gurët në themel ai vendosi gjakun e tij.
Kur në themel të ndërtesës qëndron gjaku, kulmi i saj do të jetë PËRMENDORE.
Mars ‘81 – mars ’89. Në godinën e re populli çdo ditë vë nga një gur.Mars ’90… populli braktis godinën e re të papërfunduar dhe në ajër përpiqet ta ndërtojë ndërtesën.
’81-shi, me madhështinë e tij, braktisi kasollen, sepse aspironte ndërtesën; ’90-shi, me mjerimin e tij, braktisi themelet e ndërtesës dhe shkon rrugës së kasolles.Ideali, të parin e bën madhështor, të dytin e bën të përbuzur.Kur në themel të ndërtesës qëndrojnë dokrrat, ndërtesa e ngritur do të jetë hije.Mars ’95. Nëse ’81-shi ishte themeli i një ndërtese, ’95-shi është kulmi i një kasolleje prej letre.Popullin e mbetur pa kasolle duan ta bindin se ka shtëpi!Popullin, që derdhi gjak për themelet, duan ta bindin se ky gjak është i panevojshëm për ndërtesën! Popullin murator duan ta kthejnë në lypsar!
Ta nderosh ’81-shin do të thotë ta përbuzësh ’90-shin. Të mësosh nga ’81-shi do të thotë ta dënosh ’90-shin. Të veprosh kësisoj, do të thotë ta dëgjosh zërin e historisë, zërin e së ardhmes. Prandaj, ta braktisësh ’90-shin e ta përqafosh ’81-shin – ja e tëra çka i duhet ’95-shit.
Bahri Fazliu, “ÇLIRIMI”, mars 1995
__________________________________________________
*Ky shkrim ka arritur për Botim në VushtrriaPRESS, nga Lëvizja për Bashkim.
www.vushtrriapress.shqipo.com
__________________________________________________ _________
Foto:Dëshmori i Kombit Bahri Fazliu (1971-1998)
Krijoni Kontakt