Sh...sh...sht nënë, se barku nuk ka pasqyrë!


Shkruan: Mirsad Sylja

Në qytetin tonë një gjyshe po kuvendonte me nipin e saj dhe po i thoshte: - Dielli lind çdo ditë bir dhe lëshon rrezet e tij të dobishme në tokë. Rrezet qëndrojnë për një kohë të gjatë në tokë, e pastaj largohen për të pushuar pak, e për të ardhur përsëri ditën tjetër. Jo për njerëzit, por për bimët dhe kafshët bir!... E njëjta gjë ndodh edhe me shiun. Shiu bie në tokë, sepse për të kanë nevojë bimët dhe kafshët. Ai nuk bie për njerëzit! Jo, jo, nuk bie për ta... - Po pse gjyshe nuk bie shiu për ta? Çfarë kanë (bërë) njerëzit, pse nuk e meritojnë shiun, ujin, rrezet e diellit?
- Eh, mor bir, do të rritesh e do ta kuptosh më mirë këtë!
- Mirë gjyshe, por po më bën përshtypje, se pse njerëzit qenkan sot më të këqij se kafshët e bimët, pse ata nuk e meritojnë shiun, ndërsa kafshët e bimët e meritojnë atë?! - Po mor bir, është e vërtetë, sepse njerëzit sot janë bërë shumë të këqij. Janë larguar nga rruga e Zotit. Njerëzit sot, punës së keqe e të turpshme, i thonë punë e mirë dhe e moralshme. Kanë humbur çdo gjë të mirë bir! Mundohen të të shfrytëzojnë dhe pastaj kur e kryejnë punën e tyre, as që të flasin më me gojë... Pra janë mosmirënjohës. U bën shumë të mira dhe thonë se ua ke për borxh që t’ua bësh. Ka edhe nga ato bir, të cilët hiqen si besimtarë të mirë (burra me mjekra e gra të mbuluara), mirëpo fatkeqësisht nuk kanë asgjë të përbashkët me besimin, përveç emrit, mbulesës apo mjekrës!

Dije bir dhe mos e harro se, “Kokat e zbrazëta, janë shumë më të rrezikshme sesa fishekët e mbushur me barut.” E sot ka shumë koka të zbrazëta. Është fatkeqësi e madhe. E ndihmon njeriun, lodhesh duke e ndihmuar, harxhon mund për të dhe në qoftë se një ditë nuk mund ta ndihmosh (për arsye të ndryshme), ai të fyen, të shan pas shpine tek te tjerët dhe pastaj të thotë:

- “Unë erdha tek ti për të mirë, se mund të shkoja diku tjetër.” Janë mosmirënjohës të mëdhenj. Mos e harro bir, se ‘të jesh faqezi nuk është ndonjë gjë shumë e madhe, sepse njerëzit të njohin për të tillë, por ama të jesh mosmirënjohës, je dhjetëfish faqezi!...’(1) Bashkëpunojnë njerëzit vetëm në punë të pandershme. Vetëm në idiotësira. Nuk ka më turp, ka ikur turpi...! Ai që ka pak turp quhet i prapambetur, bir (!) dhe njerëzit nuk e quajnë të kohës, por e quajnë trashëgues të dokrrave të vjetra, me fjalë të tjera nuk e përfillin...

As që u shkon ndërmend njerëzve të lexojnë dy rreshta nga Libri Hyjnor. Që ta vënë në zbatim as që bëhet fjalë, por të paktën të lexojnë diçka, se ndoshta u bën pak dobi. Biri im! Sot gjaku i qenit është bërë më i shtrenjtë se gjaku i muslimanit (Djaloshit në këtë moment i kujtohet qeni që ka në oborrin e shtëpisë dhe pyet gjyshen, përse?), sepse muslimanin sot e vrasin pa asnjë farë dhembshurie, pa asnjë farë arsye. Ndërsa qenin, njerëzit e sotëm e marrin, e lajnë, i japin për të ngrënë, kujdesen për të dhe në fund e marrin me vete në shtrat për të fjetur. (Po pohon djaloshi me kokë, sikur do të thotë: I kam parë se si veprojnë!) Ndërsa muslimanin e vrasin, e presin në emër të ‘terrorizmit’. A shikon pse është më i shtrenjtë sot gjaku i qenit se ai i muslimanit?!

- Ah mor bir, kur babai dhe xhaxhai yt ishin të vegjël, nuk kisha se çfarë t’iu jepja për të ngrënë! Burri më kishte vdekur dhe isha fill e vetme. Shpeshherë u jepja nga një copë bukë dhe një vezë të zier, të cilën e ndaja në dy gjysma, ua jepja dhe u thosha:

- “Sh...sh...sht, hani nënë se barku nuk ka pasqyrë e nuk ju shikon kush se çfarë keni ngrënë!...” Kështu e kam rritur babain dhe xhaxhain tënd. Kështu ishte pjesa më e madhe e qytetit tonë, që sot e harxhon paranë pas alkoolit, bixhozit, imoralitetit, etj.

A e shikon se si janë njerëzit bir? E për çfarë të na i sjellë Zoti shiun e rrezet e diellit, që janë jetë për gjallesat? A i meritojmë ne njerëzit e sotëm këto mirësi?!...
Është afruar shumë dënimi, mor bir i nënës... Menjëherë djaloshi vendos fesin e bardhë në kokë (sepse ishte mësuar që çdo herë që falej e lutej, pasi merrte abdes, vendoste fesin në kokë e pastaj fillonte namazin e lutjet) dhe fillon e lutet:
O i Madhi Zot, o All-llah! Të lutem na fal!!
O Mëshirues! E di, O Zoti im, se e meritojmë dënimin Tënd, bile e kemi hak, por të lutem, mos na dëno ashpër!
I Gjithëfuqishmi im! Të lutem, na jep edhe pak kohë për përmirësim e reflektim! Ti më mjafton për çdo gjë, Ti je mbrojtësi im më i mirë! Amin!

_http://www.alb- drejtesia. com/al/news. php?readmore= 697

___________ _________ ___
(1) Këtë fjalë të urtë e kujtoj shpesh nga profesori im i paharruar Dr. Honoris Causa Faik Luli (Mësues i Popullit), pastë rahmet.