ENVERAT SHPËRFILLIN LIGJIN
Lulëzim KRASNIQI
“Duhet ta dini“ shkruan Machiavelli në veprën e tij “Princi“, “se ka dy metoda luftimi, njëra me ligj, tjetra me forcë; metoda e parë është ajo e burrave, e dyta ajo e kafshëve“…
1. Vendimi i qeverisë për moslejimin e pranimit të studentëve të rinj në këto institucione ka shkaktuar telashe të mëdha dhe komplikime të mëtutjeshme në arsimin e lartë, duke e vënë në krizë të thellë shoqërinë e Kosovës (Shqiptarët) në aspektin e arsimimit.
Ministria e Arsimit e ka zbatuar një vendim të tillë me dinakëri, ngase një vendim i tillë nuk është zbatuar ashtu siç është lëshuar nga Qeveria respektivisht nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Hashim THAÇI .
Papërgjegjësia e Ministrisë së Arsimit përkatësisht e Ministrit të Arsimit, z.Enver HOXHAJ, dhe e bashkëpunëtorëve të tij ka qenë që të diplomuarve në Institucionet Private të Arsimit të Lartë t’u mos u lejohet vazhdimi studimeve për Master, duke shkelur në tërësi normat juridike vendore dhe ndërkombëtare (shkelje që do të përmenden më poshtë), edhe pse një gjë e tillë nuk ekziston në vendimin e lëshuar nga Qeveria ( nënshkruar nga zëvendëskryeministri, Hajredin KUÇI ), pika 5 e këtij vendimi decidivisht thotë që asnjë bartës privat i arsimit të lartë nuk i plotëson kushtet të regjistrojë studentë të rinj në vitin akademik 2008/2009. Nga kjo del se ministri i Arsimit, z. Enver HOXHAJ ka gabuar rëndë duke shkelur vendimin me të dy këmbët dhe qëllimisht i ka dëmtuar të diplomuarit në IPAL. Pra ministri Arsimit, z. Enver HOXHAJ bën veprim ( e quaj veprim e jo vendim, sepse nuk ka bazë ligjore ) të gabuar, i cili është në kundërshtim me vendimin e kryeministrit, z. Hashim THAÇI, ndërsa studentët paguajnë faturën! Ndërsa Procesi i Bolonjës parasheh që studimet master janë vazhdimësi e studimeve Bachelor.
Më këtë veprim profesor Enver HOXHAJ (ish - mësimdhënës në Institucionet Private të Arsimit të Lartë, si në ciklin Bachelor, ashtu edhe në Master) ka shkelur Kushtetutën e Republikës së Kosovës , nenin 47 – E drejta e arsimimit, nenin 7 – Vlerat dhe nenin 24 - Barazia para ligjit; Kodin e Përkohshëm Penal të Kosovës, neni 158 – Shkelja e Statusit të Barabartë të Banorëve të Kosovës; Ligjin mbi Arsimin e Lartë; Statusin e Universitetit Publik të Prishtinës; Kartën e Bolonjës , Konventën e Lisbonës mbi Njohjen, Deklaratën Universale për të drejtat e njeriut, Konventat Ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Papërgjegjësia e ministrit të Arsimit dhe e bashkëpunëtorëve të tij nuk ka të ndalur. Ata deklarojnë përmes mediave të shkruara dhe elektronike se diplomat e të diplomuarve në Institucionet Private të Arsimit të Lartë u njihen , ndërsa në anën tjetër askund nuk ekziston një vendim me shkrim nga ministria e Arsimit ( vendimi me shkrim është publikuar në ueb faqen e ministrisë para dy dite, edhe pse në vendim shkruan që i njëjti është lëshuar më 10.11.2008, vërtetë qesharake, sepse një vendim i tillë nuk ka ekzistuar më parë ) që u janë njohur këto diploma, dhe kështu ministri me deklarata të tilla kontraverse e vë në lajthim opinion publik në Kosovë. Për Canning – un opinioni publik ishte “ fuqia ndoshta më e tmerrshme e futur në veprim në krejt historinë e njerëzimit ”. Me këtë rast ministri i Arsimit me deklarime të tilla ka pasur për qëllim që ta minimizojë problemin duke i ndaluar rreth 21000 studentë në Institucionet Private të Arsimit të Lartë mos të protestojnë kundër veprimit të ministrit . Sipas kësaj po del se veprimi i ministrit të Arsimit nuk ka qenë racional dhe nuk është mbështetur mbi parimet morale por në dinakëri.
Ministri i Arsimit, Enver HOXHAJ ka kryer vepër penale, Shkelja e Statusit të Barabartë të Banorëve të Kosovës neni 158 I KPPK – së, vepër penale që hyn në kapitullin e veprave penale kundër lirive dhe të drejtave të njeriut, e cila është e sanksionuar me ligj prej gjashtë muaj deri në pesë vjet. Në këtë rast studentëve të UP – së u lejohet të vazhdojnë Master ( më vjen shumë mire që kolegët tanë studiojnë dhe nuk bredhin rrugëve si ne ), ndërsa studentët që kanë diplomuar në Institucionet Private të Arsimit të Lartë nuk u lejohet Masteri. A jemi edhe ne shtetas të Republikës së Kosovës, a nuk është ky diskriminim?! ( ja një shembull, vëllai im dhe motra ime vazhdojnë studimet Master në UP, ndërsa unë nuk mundem t’i vazhdojë studimet as në UP e as në Institucionet Private të Arsimit të Lartë ), shtrohet pyetja, çfarë të drejte kanë më shumë vëllai im dhe motra ime kur ne prej një nëne kemi lindur? Ne ( të diplomuarit ) nuk mund ta bartim tërë barrën e akreditimit mbi supet tona vetëm pse kemi studiuar në Institucione Private të Arsimit të Lartë ( të cilat kanë qenë të licencuara në kohën kur ne kemi studiuar dhe këto licenca janë dhënë nga ministria e Arsimit e Qeverisë së kaluar ) kurse pjesa tjetër e studentëve të diplomuarve sipas Procesit të Bolonjës që kanë studiuar në UP i vazhdojnë studimet në Master ( edhe njëherë deklarohem se nuk kam asgjë kundër, por vetëm po bëjë krahasime ), kur dihet se edhe UP – ja gjendet në Proces të Akreditimit, kur Ligji mbi Arsimin e Lartë i trajton njëjtë si Institucionin Publik të Arsimit të Lartë ashtu edhe Institucionet Private të Arsimit të Lartë ( kur Kushtetuta shkelet çdo interpretim i ligjit është i tepërt, sepse kushtetuta është akti më lartë juridik i një shteti dhe çdo normë tjetër duhet të jetë në përputhje më kushtetutën ).
Ne nuk jemi kundër Procesit të Akreditimit, sepse një proces i tillë ka për qëllim që ta përmirësojë kualitetin në Arsimin e Lartë, por jemi kategorik kundër diskriminimit që bën Ministria e Arsimit përkatësisht ministri Enver HOXHAJ që ne ta humbim një vit akademik pa kurrfarë arsye dhe të jemi peng e veprimeve të ministrit dhe e Procesit të Akreditimit në Institucionet Private të Arsimit të Lartë. Vlen të theksohet se përveç që po pëson një gjeneratë e tërë e të diplomuarve të vitit akademik 2007 / 2008, kanë pësuar dhe janë dëmtuar edhe dy gjenerata të të diplomuarve të viteve 2005 / 2006 dhe 2006 / 2007. Prandaj veprimi i ministrit është i qëllimshëm, antikombëtar, i kundërligjshëm dhe i tejkalon përgjegjësitë e tij. Në bazë të fakteve të lartcekura ministri do të duhet të përgjigjej para organeve të drejtësisë.
2. Rektori Universitetit të Prishtinës, Enver HASANI, ish - profesor në Institucione Private të Arsimit të Lartë, më 06.10. 2008, në intervistën e dhënë për RTK – në, në emisionin e mëngjesit deklaron se studentët që studiojnë në IPAL janë “mall i lirë“ , “mall i dobët“ dhe kështu me deklarime të tilla të pamatura dhe të palogjikshme dhe jo pragmatike, na dëmton dhe na degradon , kur dihet se edhe ai vetë ishte pjesëmarrës në prodhimin e këtij malli.
Rektori Enver HASANI në këtë rast na ka fyer publikisht (deklarimet e një rektori në publik, si për mirë si për keq kanë peshën e tyre intelektuale, morale dhe ligjore) dhe kështu na ka degraduar dhe na ka dëmtuar në tregun e punës. Dihet që fyerja sipas KPPK – së është vepër penale dhe hyn në kapitullin e veprave penale kundër nderit dhe autoritetit, kështu që edhe rektori duhet të përgjigjet para organeve të drejtësisë(edhe rektori si pjesëtar i barabartë i kësaj shoqërie duhet të jap llogari ligjore për veprimet e tij të kundërligjshme). Duhet ta kuptojmë të gjithë që UP – ja nuk është pronë private e askujt (realisht, rektori e ka privatizuar dhe individualizuar UP – në, e këtë proces e kanë ndihmuar dhe lobuar edhe ministri i Arsimit me bashkëpunëtorë të tij), Universiteti i Prishtinës është pronë shoqërore dhe si i tillë duhet t’i shërbej interesave të shoqërisë dhe jo interesave të individit .
3. Menagjerët e Institucioneve Private të Arsimit të Lartë, as që janë lodhur t’u dalin në ndihmë të diplomuarve në institucionet e tyre, por përkundrazi i kanë penguar në mënyra të ndryshme duke propaganduar me tërë stafin e tyre: me rektorët, prorektorët , dekanët , Këshillin e studentëve kundër këtyre të diplomuarve brenda këtyre institucioneve.
Duhet theksuar se menagjerëve iu intereson vetëm biznesi dhe mbushja e arkave të tyre me të holla të prindërve, vëllezërve dhe motrave tona të cilët kanë investuar në arsimimin e familjarëve të tyre.
Studentët janë duke paguar tarifa të larta në Institucionet Private të Arsimit të Lartë, nëse e krahasojmë me standardin jetësor në Kosovë, ndërsa në anën tjetër këta menagjerë të vetëquajtur “ të suksesshëm “, të hollat e studentëve nuk i kanë shfrytëzuar racionalisht, por iracionalisht. Thjeshtë nuk kanë ofruar kushte për studim në raport me tarifat që kanë paguar studentët.
Menagjerëve duhet t’ia kujtojmë se ato pallate të ndërtuara ( ndërtesa të institucioneve private të arsimit të lartë ) dhe veturat e shtrenjta ( me të cilat reklamohen, duke shitur mend dhe kapadaillëk para studentëve të tyre dhe qytetarëve të varfër të Republikës së Kosovës ) i kanë si rezultat i investimeve tona në dijen tonë, e jo si rezultat i tyre, e jo si rezultat i punës tyre.
Nga kjo po del se këta menagjerë janë vegël e ministrit Enver HOXHAJ, sikur që ishin vegël e ministrit të qeverisë së kaluar Agim VELIU.
4. Studentët – të diplomuarit në IPAL janë të manipuluar nga menagjerët dhe stafi i tyre dhe kështu kanë rënë në grackë të tyre dhe të ministrit të Arsimit Enver HOXHAJ duke mos e kuptuar se çfarë po ndodh me të ardhmen e tyre. Unë nuk mundem ta kuptojë se këta studentë kanë studiuar për të qenë të manipuluar, për të mos e kuptuar se çfarë po ndodh me të ardhmen e tyre apo për të kundërtën.
5. Unë mendoj që institucionet zgjedhën për t’i zgjidhur problemet e qytetarëve dhe jo për të krijuar probleme, siç është rasti me ne, me magjistrat e mjekësisë dhe me inxhinierët e biologjisë.
Këto raste më së miri lidhën me mendimin e filozofit R. Llukiq : “Njeriu është qenie e mendjes, e ndjenjave dhe e pasioneve, dhe qenie që s’di, madje edhe me vetëdije bën mëkate. Njeriu sa të jetë më i fortë, ai gjithnjë e më shumë gabon, jo vetëm se është i “forte“, por, ai gjithnjë e më shumë mundet me ndikuar në të drejtën, ka edhe mundësi të bëj më shumë të këqija sepse mendon se ka edhe më shumë të drejtë, më shumë dije se të tjerët, me fjalë tjera, e mashtron vetën se është duke vepruar drejtë“.
Ministri i Arsimit, Enver HOXHAJ i “fuqishëm“ fiton në duel kundër studentëve të pafuqishëm“ .
Urime fitorja ministër, sepse keni punuar me zell dhe me përkushtim!.....
Autori i shkrimit është përfaqësues i Asociacionit të Diplomuarve në Institucionet e Private të Arsimit të Lartë - ADIPAL.
Krijoni Kontakt