Bir Saliu i nenes............
__________________________________________________ _____-
Komiteti i Sheriatit, i përbërë nga tre dijetarë të fesë islame, do të vlerësojë projektet që do të financohen
Të qenit një vend laik, nuk ka penguar qeverinë shqiptare që të bëhet pjesë e një marrëveshjeje, baza ligjore e së cilës është Sheriati, ose thënë shqip, ligji islamik. Nevoja për të përfituar mbështetjen financiare të vendeve të pasura arabe, duket se ka detyruar shumicën në pushtet, që, pasi e futi vendin tonë në Konferencën Islamike dhe Bankën Islamike për Zhvillim në fillimet e demokracisë, tashmë ta përfshijë atë edhe në Korporatën Islamike për Zhvillimin e Sektorit Privat, por që për të përfituar prej saj, do të duhet të respektojë normat dhe parimet e fesë islame.
Marrëveshja
Qeveria shqiptare ka nënshkruar marrëveshjen për anëtarësimin në Korporatën Islamike për Zhvillimin e Sektorit privat dhe, ditët e fundit, ia ka paraqitur atë Kuvendit për ta ratifikuar. Në bazë të marrëveshjes, kjo korporatë do të financoje ndërmarrjet private në Shqipëri, të cilat do të paraqesin projekte që sigurojnë sukses dhe që nuk bien ndesh me rregullat e Sheriatit, apo ligjit islamik. Përfitimi i vendi tonë si anëtare në këtë korporatë, do të jetë nëpërmjet sigurimit të financimeve për projekte të ndërmarrjeve të ndryshme private në Shqipëri. Këto ndërmarrje do të aplikojnë për financim nga Korporata Islamike për Zhvillimin e Sektorit Privat, dhe kjo e fundit do të bëjë përzgjedhjen e atyre projekteve që përmbushin kriteret ekonomike dhe të eficiencës, nëpërmjet Komitetit të Sheriatit, i cili përbëhet nga tre dijetarë të fesë islame. Do të jetë pikërisht Komiteti i Sheriatit, ai që do të japë për bordin drejtues të korporatës, orientimet nëse një kategori e caktuar investimi është e pajtueshme për Sheriatin dhe nëse ajo përmbush kriteret për t'u mbështetur financiarisht. Rregullat e korporatës janë strikte për sa i përket financimit të projekteve që bien ndesh me Sheriatin, i cili nuk lejon konsumimin, prodhimin apo tregtimin e disa produkteve të konsideruara si të ndaluara. Kështu, në këtë kategori produktesh të ndaluara në islam, përfshihet alkooli, mishi i derrit, dhe nënproduktet e tyre. Në këtë mënyrë, çdo biznes, i cili paraqet projekte që lidhen me prodhimin dhe tregtimin e këtyre produkteve, ose edhe disa shërbimeve të ndaluara, nuk do të merren për shqyrtim nga bordi i korporatës.
Korporata
Korporata Islamike për Zhvillimin e Sektorit Privat (ICD) është formuar në vitin 1999, si një nevojë e vendeve anëtare të Bankës Islamike për Zhvillim (IDB), për të nxitur dhe zhvilluar sektorin privat.
Anëtarët themelues të korporatës janë Banka dhe vendet anëtare të saj, që kanë nënshkruar marrëveshje dhe kanë bërë pagesën fillestare të aksioneve. Çdo anëtar pjesëmarrës, ka një votë për çdo aksion të nënshkruar e të paguar. Kapitali i korporatës është një miliard dollarë, nga i cili, 500 milionë janë për vendet anëtare themeluese. Kapitali i autorizuar aksionar do të ndahet në 100 mijë aksione, me vlerë secila 10 mijë dollarë. Vendi ynë, me anë të kësaj marrëveshjeje, ka nënshkruar njëkohësisht vetëm për 7 aksione me vlerë 70 mijë dollarë, ndërkohë që rritja e pjesëmarrjes në kapital, do të shihet në këndvështrimin e përfitimeve.
Neni 29
Komiteti i Sheriatit
1. Korporata ka një Komitet Shari'a-u, që përbëhet nga tre Akademikë euriditë islamikë, me njohuri të mira për transaksionet financiare. Anëtarët e Komitetit emërohen nga Bordi i Drejtorëve, për një mandat të rinovueshëm prej tre vjetësh
2. Komiteti i Shari'a-ut jep orientime nëse një kategori e caktuar investimi është e pajtueshme për Shari'a-un dhe shqyrton çdo çështje që i është referuar nga Bordi i Drejtorëve ose Komiteti Ekzekutiv, ose Menaxhimi i Korporatës.
3. Komiteti merr vendimin e tij, pasi shqyrton pikëpamjet e Menaxhimit dhe të ndonjë eksperti mbi çështje që mund të dëshirojë t'i konsultojë.
4. Vendimet e Komitetit të Shari'a-ut merren me shumicë votash nga anëtarët e tij dhe parashtrohen argumentet dhe arsyet, mbi të cilat është bazuar.
Shekulli
Krijoni Kontakt