Talebanët e moderuar serbë
Nëse Barack Obama kërkon elemente të moderuara në mesin e talebanëve për të biseduar për paqe në Afganistan, pse të mos kërkojmë edhe ne ca talebanë të moderuar në Serbi?
Nga Berat Buzhala më 11.03.2009 në ora 13:00
Para disa ditësh u publikua lajmi se Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës po kërkon elementë të moderuar tek Talibanët për t’u ulur me ta e për të biseduar për mundësinë e arritjes së paqes në Afganistan.
Më përcillni me kujdes: Po kërkon elementë te moderuar në mesin e Talebanëve. Gati më shumë do të kisha shpresuar se do ta gjejë një copë plazhi në Arktik, se këso elementesh dialoguese tek formacioni më radikal në planet.
Por ja që Obama po e provon edhe ketë mundësi.
Edhe a e dini pse?
Sepse SHBA-të kanë nevojë për paqe. S’ka lidhje që Osama Bin Laden, apo dikush prej talebanëve ende nuk ka shkuar për të rënë në gjunjë afër rrënojave ku dikur gjendeshin Kullat Binjake. Bile banorët e shpellave të Vaziristanit edhe sot e kësaj dite tallen me tragjedinë njerëzore që kishte goditur SHBA-të me 11 shtator 2001.
Presidenti Obama i ka anashkaluar gjithë këto fakte dhe ka kërkuar bisedime, sepse shtetit të tij i duhet mbyllja e konfliktit të pashpresë në Afganistan, më shumë se sa talibanëve paqja me civilizimin perëndimor. Madje nuk dëgjova as s’e lexova asnjë kritikë për ketë hap të numrit një të administratës amerikane. Askush nuk i tha që “pa ardhur Bin Laden për të rënë në gjunjë para memorialit të viktimave të 11 shtatorit, porsi Wili Brandt, nuk bën të takohesh më të.”
Para disa ditësh Kryeministri Hashim Thaçi e ftoi për t’u takuar në Prishtinë, Presidentin serb Boris Tadiç. Bile, nga frika e reagimit publik, për mendimin tim më shumë se sa kishte nevojë Kryeministri Thaçi e nënvizoi faktin se takimi duhet të kryhet në zyrën e tij, atë të Kryeministrit të Republikës së Kosovës. Pra insistonte në togfjalëshin “Republika e Kosovës”. Vetëm sa nuk e shqiptoi shkronjë për shkronjë statusin e shtetit tonë.
Kur, ja, erdhën reagimet e para. Ende pa i lexuar dhe dëgjuar këto shpërthime, ma ndjeu zemra se tek Wili Brandti do të ndalen kolumnistët dhe politikanët kundërshtues.
Sipas kritikëve, Boris Tadiç duhet të vijë në Kosovë, mundësisht në Prekaz dhe të gjunjëzohet përpara krimeve të shkaktuara prej forcave serbe gjatë luftës në Kosovë. Mandej ne ulemi e bisedojmë me ta.
Shumë frazë e mirë për ta dëgjuar. Mirëpo ata që po e përmendin Wili Brandtin, po harrojnë të tregojnë se kjo përulje para viktimave në qytetin e Varshavës ka ndodhur rrafsh 25 vjet pas përfundimit të luftës së Dytë Botërore.
Unë nuk po them që është shumë herët të presim prej një lideri të Serbisë të gjunjëzohet para ndonjë monumenti që dëshmon barbarinë e shtetit fqinj. Ndoshta Serbia kurrë nuk do të dorëzohet dhe kurrë nuk do ta pranojë krimet e kryera këtu. Kemi këso shembujsh. Turqia dhe Armenia nuk kanë marrëdhënie shembullore me njëra tjetrin, por liderët e të dyja vendeve takohen, ndonëse para disa dekadave rreth 1 milion armenë u vranë prej forcave turke/otomane, e Turqia ketë krim kurrë nuk e ka pranuar.
Zoti na ruaj të kërkoj falje.
Tash t’i kthehemi problemit tonë me Serbinë dhe ftesës së bërë prej Thaçit për takim me Tadicin.
Unë e kam vetëm një problem me ketë ftesë: Nëse kjo ishte vetëm sa për t’i mbushur faqet e para të gazetës, apo ishte e sinqertë. Do të doja të ishte e sinqertë dhe do të doja që për një takim të tillë të insistohej. Nëse Tadiç kërkon falje për krimet në Kosovë apo jo, është çështje e tij dhe popullit serb. Nëse ata vendosin të jetojnë nëpër shekuj pa u rrëfyer për krimet e kryera në Kosovë, prapë është çështje e tij dhe popullit serb. Ti nuk mund ta detyrosh tjetrin të ndihet fajtor. As një kërkim falje me detyrim nuk është kërkim falje çfarë ne do të dëshironim. Mirëpo, unë mendoj se edhe më tutje ne, më shumë se sa Serbia, kemi nevojë për normalizim të raporteve ndërshtetërore, ose nëse serbëve u bie më lehtë, do të mund t’i quajmë ndërfqinjësore.
Ne jemi ata që duhet pareshtur të kërkojmë edhe prej fuqive të mëdha që të na ndihmojë në normalizimin e marrëdhënieve dhe të na ulë më zor në tavolina.
Le të jetë ky një takim krejt formal.
Është në interesin tonë që Serbia, edhe nëse nuk e njeh shtetin e Kosovës si të pavarur, të pranojë që së paku të ulet me ne e të bisedojë për aspektin human të bashkëpunimit. Tash ju thoni se humanizmi dhe Serbia janë dy pole të kundërta. Në rregull, mund të jetë ashtu, por ne asgjë nuk humbim, nëse provojmë të gjejmë anën e mirë të shtetit serb. Përkundrazi ne fitojmë shumë nëse raportet së paku de fakte relaksohen.
Janë disa dhjetëra shtete botërore që edhe më tutje luhatën nëse duhet të na pranojnë si shtet të pavarur apo jo. Definitivisht ato nuk na njohin, nëse ky territor ku ne jetojmë është në gjendje permanente të luftës, apo tensionit. Ndoshta nuk na njohin edhe nëse Thaçi e Tadiçi puthen natë dhe ditë, por së paku në rastin e dytë gjasat janë më të mëdha.
Pranimi i pasaportave tona. Tabelave të veturave. Produkteve tona. Të gjitha këto mund të ishin tema të mira për t’u provuar që të bisedohen. Edhe nëse nuk pranojnë asgjë, prapë nuk humbim asgjë. Madje as nuk koritemi, sepse për kërkesa të tilla praktike do të na përkrahin të gjitha ato shtete që na kanë njohur pavarësinë.
Shtetet nuk janë persona fizik, e burrështetasit nuk është mirë të ndiqen prej emocioneve. Po të ishte për emocione Obama nuk do të kërkonte takim as më krahun e djathtë e as atë të majtë të talibanëve. Mirëpo qëllimi i administratës dhe administratave është që të krijojnë strategji që shkojnë në favor të qytetarëve të gjallë.
Krijoni Kontakt