Ç’TË BËJMË, PAS KËTIJ ZHGËNJIMI SISTEMATIK?

Nga: Astrit Kosturi

Është fare e natyrshme, që pas një zgënjimi kaq të gjatë, të bëhet pyetja: Çfarë vjen pas këtyre zgënjimeve të njëpasnjëshme dhe si duhet të reagojë ndërgjegjja jonë kombëtare? Shkurt dhe thjeshtë shumëkush mund të thotë, se tani nuk dua t’ia di më për politikë, se do të shoh hallet e mia dhe se, çdonjëri nga ata të politikës lufton për xhepin e vet. Më tej akoma, veshi të kap gulç e mallkime për nervaprishjen dhe turullosjen totale që ka pjellë e ashtuquajtura politikë, për anarshinë institucionale dhe konfliktin e krizën sociale, që përbëjnë pragun e rrebelimeve popullore. Pra, është bërë refren heqja dorë nga politika e një pjesë njerëzish, deri edhe në mosparaqitjen para kutive të votimit. Dhe kjo është e natyrshme dhe një e drejtë qytetare, është llogjika normale e një populli të fyer, të tallur e të nëpërkëmbur, që në mënyrë sistematike e kanë bërë të shpresojë dhe po në këtë mënyrë e kanë shpërfillur me një moskokëçarje acaruese dhe ekstreme.
Në fakt situata ka nevojë për një analizë realiste, të ftohtë dhe të sinqertë. Përndryshe, bëjmë vetëvrasjen e radhës, duke u dhënë në duar çekun e bardhë në kuptimin dhe përkthimin korrekt të kësaj idiome, zaptuesëve dhe bandës politike, që realisht është konturuar si elitë mafioze në shërbim të interesave të tyre për sundim e pasurim.
Historia e kombeve na mëson, se mbas dramave dhe tragjedive të tilla të ngjashme me atë që po kalon populli ynë, fillojnë rilindjet e mëdha. Me një fjalë, jemi në orën e reflektimit dhe të zgjimit kombëtar pas kësaj letargjie të pashpresë.
Në kuptimin historik, duke i kërkuar ndihmë kujtesës, mbas viteve ’90 si rezultat i ardhjes së erërave lindore të ngarkuara me liri e demokraci dhe akumulimit të problemeve të krizës ekonomike, shpirtërore dhe sociale, e gjithë Shqipëria e lodhur, këputi zinxhirët dhe mbushi sheshet me thirrjet rrënqethëse: “Liri-Demokraci” dhe “ E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Ndërsa oratorët e asaj kohe, na premtonin demokracinë liberale …cektësia shqiptare e një populli të tërë besoi duke shpresuar, se gjithçka do t’i vinte si dhuratë nga bota, si ndjenjë keqardhje për vuajtjet pafund: “Erdhi demokracia, do bëhemi si evropa, do të jemi të lirë e të gjithë bosa!?…”
Kështu u servir demokracia … dhe opiumi gjumëndjellës shumicën e shqiptarve e vuri në pozicion pritës dhe ia fashiti brazdat e trurit.
“Të shkathtët”, finokët dhe pjella e atyre që s’mund të rrinin dot pa pushtet krijuan parti me emra e logo nga më të çuditshmet dhe bënë be e rrufe, se për këtë popull do të bënin gjithçka. Produkti u gatua dhe u shpërnda siç kishte qejf populli ta perceptonte, se ndryshe budallallëqet e të mëdhenjëve nuk do të kishin më vlerë. Imazhet reale, ishin ato të njerëzve të punës, të dijes dhe të shkencës, të biznesit dhe kulturës, që krijoheshin nga marëdhëniet reale, nga raportet konkrete të punës, dhe që formësoheshin në rrugën e gjatë e të mundimshme të realitetit të ri të deformuar. Pikërisht, në këtë udhëkryq, sa e sa shpirtëra u dërrmuan e u thërrmuan, u lodhën e u këputën, nga mashtrimi i qëllimshëm dhe hakmarrës, i burracëve politikanë.
Në gjithë këto vite … kush mbeti jashtë debateve të kota, zënkave e mërive? Kush humbi të drejtën dhe e gjeti atë? Kush u tall e abuzoi me pushtetin dhe dha llogari?
Edhe prej hekuri të kishim qënë, do të ishim këputur me siguri … !
… Akoma, nuk e kemi kuptuar se jemi viktima të politikës? U bëmë dhe mbetëm, viktima të mashtruesëve dhe të të papërgjegjshmëve! Dhe akoma s’e kemi mësuar, që padronëve të politikës u intereson, që gjithësecili prej nesh dhe të gjithë së toku, të harrohemi në akullin e vetmisë!? Të mos mësojmë nga zhgënjimet e të tjerëve për t’i bërë mësime, po kemi qejf të gjithë ta provojmë vetë talljen dhe shkeljen e atyre që na konsiderojnë kukulla? Përse duhet të harrojmë, që atyre u intereson, të jemi të ndarë e të përçarë, në zënie, sherre e grindje pafund. Mundësisht, që kurrë të mos jemi dy bashkë, dy në një mendje…?! Qënia bashkë i tremb dhe i tmerron mafiozët e politikës, tashmë me shtet dhe pushtet …!
Në ato fillime, mungonte informacioni dhe njohja për demokracinë, e për pasojë Shqipëria u gjend e papërgatitur, për ta përballuar atë shpërthim dhe këtë ndërrim sistemesh, të quajtur tranzicion. Të mësuar, në sistemin e diktaturës, ku gjithçka pritej nga qeveria, dhe po të kërkoje diçka më shumë, të degëdisnin dhe mund ta paguaje me kokë, pothuajse të gjithë vazhdonim të mendonim njëllojë. As bëhej fjalë fare për liri e pavarësi, bile edhe nga koka duhej t’i hiqje këto ndjenja të bukura kalorësie, sepse edhe t’i përfytyroje nuk kishe të drejtë !?
Ata të paktë njerëz, që e dinin se ç’ishte demokracia, vendosën me hile tullat e para në këto themele të brishta. Kjo kështu do të ndodhte, përderisa shpirti i njeriut i lënë në instiktet e tij, është i prirur për fuqi e pasuri të pakufizuar dhe përderisa demokracia reale dhe mekanizmat e saj nuk u vendosën kurrë. Kjo ishte pasojë e një izolimi të gjatë dhe i mungesës së informacionit real, por kurrësesi tani pas afro njëzetë vjetësh...
Në fjalime e debate patetike, mafia politike është rrekur të rrisë kredencialet dhe aksionet e veta me togëfjalësha të pakuptimtë, apo të panjohura për shumicën e shqiptarëve. Kështu dora-dorës, politika e devijoi misionin e saj … sepse ndryshe, njerëzit që u vunë në krye, nuk mund të përfitonin … !
Pra, kjo s’ka si të quhet politikë, përderisa as në ndjenjë, as në teori dhe as në praktikë, nuk ka asgjë të përbashkët me të. Pra, i vetmi produkt që prodhohet nga kjo llojë politike, është gjendja stresante për gjithë popullësinë, lodhja dhe stërmundimi pa rendiment. Kjo u bë dhe është akoma industria e elitës mafioze, që pjell çdo ditë maskarallik dhe anarshi.
Që në lashtësi, që në kohën e Aristotelit, me politikë nënkuptohej arti i komunikimit njerëzor. Pra, politika konceptohej ndjenjë, ishte marrdhënie, ishte komunikim real njerëzor dhe shpirtëror. Edhe në kuptimin filozofik, politika përkufizohet si teori e praktikë e ndërtimit të shtetit dhe organizimit të qeverisjes. E thënë thjeshtë fare: Ndërsa një komunitet, krijohet thuajse rastësisht nga vendosja e fiseve apo familjeve në një teritor të caktuar, organizimi shtetëror dhe qeverisja nuk janë spontane.
Dhe ne … paturpësisht mbetemi kafeneve me orë pafund, duke bërë tifo për lojën e fëlliqur e bajate të pushtpushtetarëve, që premtojnë se janë duke na mashtruar përsëri … !? Dhe i lutemi zotit, që të mos na përsëritet i njëjti ritual, ai i mospërfilljes dhe harresës që vjen pas tyre. I lutemi zotit të na bëjë më të vëmendshëm… ! Për të mos i harruar, pikërisht këta, që kishin fituar vetëm mjeshtërinë e të dukurit ndryshe nga ç’ishin në të vërtetë dhe u bënë zanatçinj të hipokrizisë e të dyfytyrësisë.
Kështu, në këtë farfeje … kanë dalë nga loja të sinqertët, të mençurit, të zotët, të sukseshmit e botës akademike, të artit, biznesit dhe e gjithë shoqeria shqiptare ndjehet e huaj. Dhe a mund të qëndrojmë përherë sehirxhinj duke parë këtë dramë qesharake e mjaftë të dhimbshme njëherazi e të vërejmë se sa të vegjël e mjeranë … janë ata që kanë në duar fatet tona? Atëhere, pasi të vendosim se ç’duhet të bëjmë, le të kujtojmë pak:
... Mbas marrjes së pushtetit në 2005-ën, Berisha i djegur nga qulli i bërë me duart e tij në ’97-ën, kishte filluar t’i frynte kosit. Filloi që ditën e dytë, fushatën për të çimentuar karriken dhe pushtetin e tij personal. Pasi i kishte trembur të korruptuarit e PS dhe të gjithë ata që s’u kishte lënë gjë pa thënë, bëri marrëveshje dhe kontrata me më mafiozët dhe kontabandistët e Shqipërisë dhe botës. Sepse pa tek ata fuqinë dhe forcën e mashtrimit. Sepse mendoi për pushtetin e tij personal dhe kishte vendosur që këtë vend ta bënte me maskarenjtë dhe vetëm për ata. Paralelisht me strukturat e PD, u ngritën dhe dolën haptazi, njohjet personale, lidhjet klanore, fisnore e korruptive, që nga qëndra deri në bazë. Në çdo hallkë dhe pranë tij u vunë besnikët dhe servilët, të fortët dhe ata që ulërinin më shumë. Nyja gordiane ishte zgjidhur sheshit me pazare e dallavere, që përbënin energjinë e linjës informale dhe abuzive. Ata që mbetën të humbur ishte populli, ata që mbetën të fyer, të tallur e të tradhëtuar, ishin demokratët e thjeshtë, baza e Partisë Demokratike. Nëse ata, kanë vendosur, të na gënjejnë përsëri me premtime, do të na habisin me kurajon, paturpësinë dhe pafytyrësinë e tyre. Ata nuk kanë më moral të kërkojnë vota, por të përgatiten për të lënë pushtetin dhe të japin llogari, siç duhet të veprohet në të tilla raste mashtrimi. Të dyja partitë e mëdha, duhet ta analizojnë këtë proces të fëlliqur, të ridimensionohen dhe të funksionojnë në mënyrë demokratike, pastaj të kërkojnë votë e përgjegjësi para popullit dhe kombit…
Ajo, që do t’i detyrojë ta bëjnë këtë, është zgjimi popullor. Dhe... ora e zgjimit po na bën apel, për të qënë të përgjegjshëm.