Ekzistojnë dyshime të mëdha se në periudhën 1998-1999, gjatë luftës në Kosovë, serbët përmes Maqedonisë kanë bërë tregti me organe njerëzore të shqiptarëve të vrarë kosovarë, kanë bërë të ditur disa burime për gazetën “Lajm” të Maqedonisë.
Sipas këtyre burimeve, serbët përmes Maqedonisë dhe Bullgarisë kanë bërë tregti me këto organe njerëzore, të cilat më pas kanë përfunduar në Rusi.
Këto dyshime edhe më shumë i ngrit prania e “mantelbardhëve” rusë në Maqedoni, në kohën e luftës në Kosovë. “Gjatë asaj kohe në Maqedoni janë vërejtur një numër i madh i mjekëve rusë”, thonë burimet e kësaj gazete.
Këto dyshime kanë zgjuar interes të madh edhe tek disa qarqe të Kosovës me çka kanë nuk përjashtohet mundësia të fillojnë hetime për të ardhur deri tek e vërteta, thekson kjo gazetë.
Në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Maqedonisë kanë deklaruar se nuk posedojnë informacione të tilla. Zëdhënësi i policisë, Ivo Kotevski tha se deri më tani tek MPB-ja nuk ka arritur ndonjë kërkesë për të filluar hetime për një gjë të tillë.
Autoritetet e Kosovës edhe sot e kësaj dite nuk dinë se ku janë me mijëra shqiptarë të zhdukur për të cilët që nga koha e luftës nuk ka asnjë gjurmë.
Ndryshe, para një jave Komisioni qeveritar për të zhdukurit në Kosovë ka bërë të ditur se rreth 20 shqiptarë nga Kosova, të vrarë, dyshohet të jenë varrosur në varrezat e Shkupit në Butel.
Sipas kryetari të këtij komisioni, Prenkë Gjetaj, dyshohet se këto kufoma, pasi janë vrarë nga forcat serbe në vitin 1999, janë hedhur në lumin Lepenc, e më pas lumi i ka dërguar në Maqedoni.
“Kemi informata se këto kufoma janë hedhur në lumin Lepenc, në vitin 1999, dhe për këtë ne e kemi njoftuar Ministrinë e Punëve të Jashtme, që këtë çështje ta trajtojë me homologët e tyre nga Maqedonia, në mënyrë që të na lejohet qasja në ato varreza”, ka thënë Gjetaj.
Pas këtij reagimi të Prishtinës zyrtare Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) e Maqedonisë ka thënë se është e gatshme të bashkëpunojë me Kosovën për gjetjen e kufomave e rreth 20 shqiptarëve nga Kosova, që dyshohet se janë varrosur në varrezat e Butelit në Shkup.
Ministri i MPJ-së, Antonio Milloshovski tha se janë të gatshëm për bashkëpunim nëse bëhet një kërkesë e tillë nga pala kosovare. /Lajmpress/Telegrafi/
Krijoni Kontakt