Mërgim Mavraj ka vendosur përfundimisht që të mos luajë as me Shqipërinë dhe as me Gjermaninë. Qendërmbrojtësi kosovar ka qenë kandidat për një vend në kombëtaren kuqezi, madje me ndërmjetësimin e FSHF-së është pajisur me pasaportë shqiptare. “Në të ardhmen do të luaj për vendin tim, Kosovën. Përfundimisht kam hequr dorë nga mundësia që të luaj me Gjermaninë, apo Shqipërinë dhe pres të luaj për Kosovën”, ka thënë Mavraj për “Kohën Ditore”.
Mbrojtësi kosovar, Mërgim Mavraj, po fiton gjithnjë e më shumë hapësira te Bohumi. 22-vjeçari ishte titullar në dy takimet e fundit në kampionatin gjerman. Ai ishte ndër futbollistët më të vlerësuar në ekip. Bohumi para dy javësh mposhti Shalken me rezultatin 2-1, ndërsa në javën e fundit barazoi 1-1 në transfertë me Arminian.
“Trajneri më ka thënë se kam luajtur mirë në takimet e fundit. Edhe mediat kanë shkruar se jam përshtatur shumë mirë në skuadër dhe kam kryer punën si duhet. Natyrisht edhe vetë jam i kënaqur me paraqitje. Megjithatë, për të mbetur në ekipin e parë, duhet që të luaj mirë në mënyrë konstante, pra të mos kam rënie të formës. Unë jam duke u angazhuar maksimalisht për ta bindur trajnerin se e meritoj të jam titullar, por fjala e fundit i takon atij”, ka thënë Mavraj. Lojtari deri tani ka regjistruar nëntë paraqitje, pesë prej tyre si zëvendësues. Ai te Bohumi kaloi në verë të vitit 2007 nga Darmshtadi. Kampionatin e kaluar 2007/08 u aktivizua në dy takimet e fundit. Me Bohumin ka kontratë deri në qershor të vitit 2011.
Krijoni Kontakt