Operacioni “Hija”, zbulojë një rrjet të kontrabandës me armë në Podujevë,Lipjan dhe Vërmicë

KOSOVË, 6 Mars 2009 (VushtrriaPRESS)-Gjashtë të arrestuar dhe mbi 4100 fishekë të konfiskuar është bilanci i një hetimi mbi pesë muajsh të Drejtorisë Kundër Krimit të Organizuar të Policisë së Kosovës, ku u zbulua një rrjet i kontrabanduesve me armë. Hetuesit e Drejtorisë Kundër krimit të Organizuar kishin filluar muaj më herët hetimet kundër një rrjeti që dyshohet se operonte në Republikën e Kosovës duke bërë kontrabandim me armë. Në një operacion të koduar me emrin “Hija”, hetuesit e DKKO-së, të përkrahur edhe nga Njësiti Mbështetës Operativ, njësiti K-9 dhe Krim-teknika arrestuan 6 persona të dyshimtë: pesë shtetas të Republikës së Kosovës dhe një shtetas të Republikës së Shqipërisë. Një i dyshimtë është arrestuar në pikën kufitare në Vërmicë, tre në Lipjan dhe dy në Podujevë. Përveç personave të arrestuar, gjatë operacionit “Hija” u konfiskuan:
mbi 4100 fishekë të kalibrit 7.62 mm
2 vetura Golf 2 me targa KS
1 furgon me targa të Republikës së Shqipërisë
Mbi 75.000 € të konfiskuara. Operacioni i cili është duke vazhduar akoma, është kryer në lokacione të ndryshme në Kosovë si në Podujevë, Lipjan dhe Pikën kufitare në Vërmicë. Si pjesë e operacionit Policia e Kosovës ka bastisur edhe tri shtëpi në komunën e Podujevës, thuhet në një komunikatë të Policisë së Kosovës(PK).
VushtrriaPRESS
www.vushtrriapress.shqipo.com