Mr. Muharrem Omerdiq
Hyrje
Në shtypin islam (Titulli i origjinalit: Muharrem Omerdiq, Razdor i njegove posljedice, në veprën: Zhivjeti u Islamu, Stamboll, 1995, fq. 161 - 180. Përktheu: Nexhat S. Ibrahimi.) kohë pas kohe paraqiten shkrime që trajtojnë çështjen e (jo)harmonisë ndërmjet xhematlinjve dhe xhematit tonë.
Sado të shkruhet mbi dëmet e ndarjeve të tilla si nga aspekti fetar ashtu edhe nga ai shoqëror, as për së afërmi nuk do t'i kënaqim nevojat reale për këtë temë. Duke e marrë parasysh se ky lloj i problematikës është mjaft i gjallë, manifestim i realitetit të jetesës sonë të përditshme, në këtë drejtim do të duhej të ofrojmë më shumë vështrime, shkrime, shqyrtime shkencore dhe hutbe se që ka qenë rasti deri tash. Disa probleme si manifestim dhe pasojë e joharmonisë ndër xhematlinjt tonë duhet të kuptohen sa më seriozisht dhe të soditen në mënyrën sa më studioze me qëllim të gjetjes së zgjidhjeve sa më urgjente.
Frakcionizmi është fatal për besimin
I soditur nga pikëpamja e akaidit përçarja shpie në frakcionizëm, kurse frakcionizmi synon rrënimin e Bashkësisë e me këtë edhe të fesë. Sektarizmi ndër muslimanët është mohim i urdhëresës kur'anore dhe sunnetike mbi xhematin, mbi ruajtjen e kompaktësisë së Bashkësisë. Pjesëtarët e Islamit në këtë nënqiellin tonë e kanë ruajtur kompaktësinë e organizatës së vet fetare gjatë pesë shekujve të ekzistencës së tyre dhe janë të parëndësishme ato raste që do të dëftonin në disa elemente të përçarjes dhe ndarjes. Për fat të keq, kohëve të fundit ka ardhur në shprehje liderizmi në disa të ashtuquajtur "liderë" të cilët e kanë lajthitur një numër xhematlinjësh dhe janë shkëputur prej Bashkësisë dhe në këtë mënyrë kanë treguar vetëdije të ultë islame dhe ambicie të sëmura për t'u vetëdalluar. Ky është gabim i rëndë fetar i cili me asgjë nuk mund të arsyetohet, si theksohet qartë në thëniet e Muhammedit a. s.: "Kush nuk u nënshtrohet eprorëve të vet dhe kush ndahet nga Bashkësia, dhe në këtë gjendje vdes, ka vdekur me vdekjen e të pafeut." (Muslimi). Me këtë ka treguar jo vetëm në rreziqet e frakcionizmit ndaj Bashkësisë, por edhe ndaj besimit të cilitdo që bëhet frakcionist apo ndikon në frakcionizëm.
Disa frakcionistë për veten gjejnë arsyetim përse janë ndarë nga Bashkësia dhe në këtë përpiqen t'i bindin të tjerët, duke mos pasur parasysh interesin e përgjithshëm dhe pasojat për Bashkësinë dhe për tërë shoqërinë që nga kjo mund të rrjedhin. Besimtarët e sinqertë, edhe kur u cenohet interesi personal, më shumë do ta kenë parasysh interesin e përgjithshëm, duke e shpërfillur interesin e vet personal apo të familjes së tij.
Ibn Abbasi transmeton se Muhammedi a. s. ka thënë: "Kush në obligimet (të drejtat) e veta sheh diç që personalisht nuk i përgjigjet le të durojë (e mos të bëjë përçarje), sepse kush largohet prej Bashkësisë vetëm për një pëllëmbë dhe në gjendjen e tillë vdes, ka vdekur me vdekjen e të pafeut." (Muslimi).
Muslimi në përmbledhjen e tij të famshme të haditheve ka shënuar edhe një thënie të Pejgamberit a. s. në të cilën thuhet se tërë Bashkësia është e obligueshme të ngritet në këmbë kundër atyre që në te bëjnë përçarje, nëse duhet të pengohen në këtë me forcë, kushdo qofshin ata.
Thënia vijuese e Pejgamberit a. s. në tërësi zbulon rreziqet nga sektarizmi dhe sëmundjet shoqërore që shpiejnë deri te rrënimi i një Bashkësie: "Edhe juve po ju kaplojnë sëmundjet e popujve të kaluar: smira dhe urrejtja. Ato janë të tmerrshme sikur tehu i thikës. Nuk po them se ky është tehu i thikës që e rruen qimen, por tehu i thikës që e shkatërron fenë. Pasha Atë në dorën e të cilit është jeta ime, nuk do të hyni në xhennet deri sa nuk besoni, e nuk keni besim deri sa nuk duheni ndërmjet veti. T'ua zbuloj çka do t'u forcojë në këtë: Përhapejeni ndërmjet veti selamin (paqen)."
Në çdo bashkësi shoqërore duhet të respektohet rendi dispozitat që ajo i sjell me qëllim të rregullimit të raporteve ndërnjerëzore. All-llahu xh. sh. me Kur'an ua ka përcaktuar pasardhësve të Muhammedit a. s. normat e mirësjelljes së përgjithshme. Ato janë aplikuar nëpërmjet praktikës së Pejgamberit a. s. dhe shokëve të tij besnikë. Dhuna më e madhe kundrejt Bashkësisë është të nxitet përçarja, konflikti dhe joharmonia. Është detyrë e të gjithë muslimanëve që të ndikojnë dhe të veprojnë në vendosjen e rendit, paqes dhe drejtësisë, si në bashkësinë e vet ashtu edhe në mesin e njerëzve të tjerë. Ky është obligim fetar, si i individit ashtu edhe i Bashkësisë si tërësi.
"Nëse dy grupe besimtarësh bien në kundërshtim, pajtojini ata, e në qoftë se njëri nga ata, megjithatë i bën dëm tjetrit, atëherë luftone atë (grup), i cili ka bërë krime derisa t'u bindet normave të All-llahut. Nëse binden, atëherë pajtojini ata pa mbajtur anën e askujt, dhe jini të drejtë! All-llahu njëmend i do të drejtët." (El-Kur'an, El-Huxhurat, 9).
Sikur Muhammedi a.s. të mos kishte punuar në pajtimin e armiqëve shekullor në tokat arabe, në eliminimin e anarkisë që dominonte në ato hapësira, nuk do të mund të arrinte kurrfarë rezultate në misionin e Tij që e ka arritur për një periudhë relativisht të shkurtër kohore prej 23 viteve. Për këtë është lavdëruar prej Zotit xh. sh., që, me mëshirën e Tij, ka qenë i butë ndaj njerëzve, por sikur të ishte fodull dhe i vrazhdë, do të mbetej vetëm dhe të gjithë do të largoheshin prej tij. I urdhërohet falja, lutja për ta dhe konsultimi me ta që është themel i shoqërisë së shëndoshë njerëzore dhe i ekzistimit të saj. (Krahaso: Kur'an, Ali Imran, 159).
Me ardhjen e Islamit në nënqiellin përvëlues arab është vendosur rendi dhe qetësia, janë krijuar kushtet për jetë të sigurtë dhe dinjitoze të njeriut. Shumë shfarosje për shkak të gjakmarrjes qenë ndaluar, fiset qenë pajtuar dhe ndërmjet tyre qenë vendosur marrëdhëniet martesore e të tjera, qenë mbrojtur të drejtat e të ligshtit, qe garantuar siguria e jetës, e pasurisë dhe e nderit etj. Pejgamberi a. s. i ka obliguar pasardhësit e vet me detyrën dhe emanetin se duhet të ndalen violentët dhe fodullët, sikur edhe atë se duhet të pengohen të gjithë ata që thyejnë parimet e së vërtetës dhe të drejtësisë shoqërore. Personin që ka lajthitur duhet butësisht ta kthejmë në rrugë të vërtetë dhe ta përudhim të bëjë mirë. Nuk mund të konstituohen themelet e forta të përbashkësisë në Bashkësi deri sa nuk konstituohen relacionet e mirëfillta të drejtësisë dhe të interesit të përgjithshëm.
Domethënia dhe mesazhi i ajetit të theksuar kur'anor mund ta ketë kuptimin edhe për individin që duke e avansuar interesin e tij ia kthen shpinën interesit të Bashkësisë dhe punon të rrënimin e kompaktësisë së saj. Domethënia e ajetit, po ashtu, mund ta ndërlidhet edhe me Bashkësinë që jodrejtësisht vepron kundrejt grupit apo individit të caktuar, në pajtim me një thënie të Pejgamberit a. s.: "Besimtarët janë sikur një organizëm: nëse një pjesë e tij pëson për shkak të sëmundjes, kjo i shpie në pagjumësi dhe ethe edhe pjesët tjera të organizmit." Nuk guxojnë të pajtohen në padrejtësi, në të pavërtetën, në dhunë, në përçarje, në frakcionizëm e të tjera, sikur që thotë Pejgamberi a. s.: "Pasardhësit e mi nuk do të pajtpohen në të pavërtetën."
Prandaj, kur të vijë deri te raportet e tendosura ndërmjet dy personave, apo më shumë syrësh, apo në Bashkësi të mbretërojë joharmonia për çfarëdo çështjeje, është detyrë e të gjithë besimtarëve që ta japin kontributin e vet në vendosjen e rendit, qetësisë dhe harmonisë. Pa rend, paqë dhe harmoni nuk ka as përparim, as ekzistencë. Të tolerohet rrëmuja është mëkat, asgjë të mos ndërmerret në eliminimin e rrëmujës është dëshmi e imanit të dobët, si ceket në një hadith:
"Kush nga ju e sheh një të keqe - … (dhe përpiqet ta evitojë ate) me zemrën e tij (pasivisht), ky është imani më i dobët."
Muslimanët duhet medoemos të jenë në harmoni dhe unik në të gjitha çështjet e jetës së bashkësisë dhe të tubuar rreth parimit kur'anor: "Kjo feja e juaj është fe e vetme (e drejtë), kurse unë jam Zoti juaj, prandaj vetëm mua të më adhuroni." (El-Kur'an, El-Enbija', 92).
Fatkeqësisht, shumë muslimanë nuk i përmbahen ajetit të theksuar, sepse më së shumti energji shpenzohet në përçarje, në fesad, në fitne, kurse në Kur'an është thënë: "…Shpifja është më e rëndë se vrasja. …". (El-Kur'an, El-Bekaretu, 191), sepse me këtë nuk vritet individi, por tërë Bashkësia. …
Krijoni Kontakt