Mrekullia që po ndodh në rivierë

ERALD KAPRI





Një udhëtim në fshatrat përrallorë të Jugut ku investimet e projektit të bregdetit kanë ndryshuar gjithçka në jetën e banorëve. Ç’po ndodh me rivierën shqiptare, përtej politikës? Një takim me banorët krenarë të zonës. Orikumi, Palasa, Dhërmiu, Allonja e Petro Markos, Gjileka, Vunoi, Iliasi, Manastiri i Shën Theodhisit, Qeparoi, Borshi dhe kalaja e tij, Lukova, Piqerasi, Shën Vasili, Saranda dhe Butrinti po fitojnë lavdinë e mohuar





Në shekuj, bregdeti Jon është përballur me harresën, i përçmuar edhe nga pushtuesit dhe diktatorët. Vitet e tranzicionit erdhën me premtime, por banorëve të rivierës u mbetej të besonin vetëm në krenarinë e tyre.



Në qendër të politikës prej javësh ka qenë zhvillimi i bregdetit. Përtej akuzave nga ekrani, bregdetit po i rikthehet vëmendja e premtuar. Përgjatë gjithë vijës bregdetare, që nga Orikumi e deri në Butrint, falë fondeve nga qeveria dhe KE-ja, po ndërhyhet në infrastrukturë, pjesë e Projektit të Menaxhimit të Bregdetit. Ironikisht, zhvillimi i kësaj zone ka qenë pjesë e çdo programi politik, por investimi, ndoshta i vetëm i rëndësishëm, është bërë në fillim të viteve ‘20 nga italianët të cilët ndërtuan rrugën e Qafës së Llogarasë. Sistemi komunist nuk preferonte t’i jepte jetë zonës, por frikë, duke ndërtuar pa fund infrastrukturë ushtarake edhe në manastire e vende të shenjta.

Përgjatë rivierës, po ndërtohet rruga e bregut. Pjesa më e madhe e saj ka përfunduar. Udhëtimi drejt Sarandës nuk është më një legjendë. Zgjerimi dhe shtrimi me asfalt i saj ka ndryshuar zonën. Nëse vëmendja e shtypit dhe politikës është përqendruar tek një investim gjigand si ai i rrugës Durrës - Kukës, pak flitet për një tjetër investim që shumë pak njerëz e kanë besuar se do të përfundonte. Udhëtimi nga Saranda në Vlorë dhe anasjelltas nuk është më një aventurë, por një mrekulli. Banorët e zonës dhe të gjithë ata që kanë pasur rast të udhëtojnë deri një vit më parë në këtë rrugë, janë në një mendjeje që “mrekulli” është fjala e duhur për të përshkruar atë që po bëhet në bregdet. Por nuk është vetëm rruga. Të gjitha fshatrat përgjatë rrugës po përfitojnë investime…

Rrugë, sheshe, ujësjellës dhe kanalizime të cilat mbyllen përpara sezonit turistik të këtij viti. Banorët e pakët flasin për ndryshimin e jetës së tyre dhe ata që janë larguar, telefonojnë të afërmit që kanë braktisur. Rruga drejt rivierës nis më lehtë me Tiranë - Durrës, por shkon më qetë me Lushnjë - Fier. Ndërtimi i kësaj autostrade ka përfunduar. Ndërkaq pas gati një ore udhëtim nisim të shohim përgjatë Jonit diçka që nuk e kanë parë shekujt.



Unaza e Orikumit



Bashkia e Orikumit ka përfituar një investim i cili do të hapë një perspektivë të re për turizmin në këtë zonë. Në kuadër të Projektit të Menaxhimit të Integruar të Bregdetit, me 870 milionë lekë të dhënë nga KE-ja, po ndërtohet unaza e re e qytetit. Një rrugë prej rreth 1800 metrash do të bëjë të mundur që pushuesit të shkojë direkt në plazh. Në zyrë gjejmë kryetarin e bashkisë, Kanan Braho, i cili na tregon se brenda datës 15 prill rruga do të përfundojë. “Do të jetë gati për sezonin turistik”, - tregon ai duke shtuar se rruga do të ketë perspektivë për një investim të ri për të shkuar deri në Karaburun. “Unaza nis në qendrën e qytetit, sipas planit të ri urbanistik dhe del direkt në plazh”, - thotë kryetari Braho, i cili thekson se ky sezon do të jetë ndryshe për Orikumin.

Lëmë qytetin dhe nisemi për më në jug. Maja e Llogarasë, edhe pse e ngrirë nga bora, kalohet lehtë. Udhëtimi në këtë qafë mali nuk është më një mit apo një “master” për shoferët, por një kënaqësi më vete. Nuk mund të humbasësh kënaqësinë për të bërë një foto në majë të kësaj qafe, me detin poshtë, me borën sipër dhe me diellin që të verbon. Majat e maleve janë të zbardhura sikur duan të thonë se “ndalohet qarkullimi”, por një lëvizje e syve pak më poshtë të shfaq një natyrë me pisha dhe bredha pa fund. Mbërritja në majë të qafës së Llogarasë duket si takim mes të gjitha stinëve. Të shkosh të bësh plazh në det, të ngjitesh për ski apo të sodisësh natyrën, vështirë të zgjedhësh.



Dhërmiu



Krejt pa kuptuar zbret poshtë dhe u afrohesh fshatrave të famshëm të Jugut të vendit. Historia është e ngarkuar me mite, me luftë e krenari për këto vende. Banorët nuk ngurrojnë të kujtojnë se në kohën e Turqisë kishin status të veçantë dhe nuk paguanin taksa. Nuk ngurrojnë të tregojnë se edhe në kohën e Mbretërisë së Zogut iu desh vetë Mbretit të vinte nga deti me anije në këto zona, që banorët krenarë të paguanin taksa. Përsëri më pak se çdo zonë tjetër. Ndërsa diktatura komuniste kishte një tjetër komunikim me ta... harresën. Për 50 vite, banorët e këtyre zonave ishin të vetmuar, një mollë jo e ndaluar, por e braktisur edhe nga vetë kupola e cila preferonte të pushonte 6 muaj në Pogradec. Dukej si “geto” për krerët e sistemit monist që nuk shkonin më poshtë se në Vlorë për të shijuar ujin e detit Jon.

Fshati i parë që na shfaqet është Palasa. Me ne është edhe Pirro Cenko, një nga përgjegjësit e projekteve në këto zona. Ai na tregon se fshati Palasë do të ketë një rrugë të re. Rruga ekzistuese që të çon në fshatin mahnitës do të ketë një unazë të re të asfaltuar. “Në fshat nuk ka më shumë se 40 shtëpi, por që kur u pa që rruga po ndërtohej, kryeplaku i fshatit na ka thënë se janë bërë 40 kërkesa të tjera nga banorët për shtëpi të reja”, - tregon Mada, një nga personat përgjegjës për të ruajtur kontaktet me banorët. “Duke parë këto kërkesa, vendosëm që të hapnim një kalim të dytë, për të dalë tek rruga nacionale”, - thotë Pirro, i cili shton se investimi do të përfundojë përpara gjysmës së muajit prill. Uji blu i deti na kishte shkëputur vëmendjen, duke harruar gropat që kjo rrugë nacionale kishte pasur më parë.

Hyrja në Dhërmi duket e zhurmshme. Ndonëse në shkurt, fshati nuk është më fantazmë. Ka një gjallëri të harruar për këtë stinë. Përgjatë gjithë rrugës nacionale, po kryhej një investim nga qeveria për zgjerimin e rrugës. Kujt i kujtohej se kur kaloje këtej, në rast se të dilte një makinë në krahun tjetër, mbase do të duhej të bëje qindra metra prapa për të hapur rrugën. Kjo tashmë është histori. Gjileka, një fshat që takon pas Palasës, do të ketë fatin që brenda dy muajsh të ketë një ujësjellës të ri. “Janë 460 shtëpi që do të përfitojnë ujë të pijshëm dhe të gjithë do të kenë sahatë”, - thotë Mada. Në kuadër të Projektit të Menaxhimit të Bregdetit, në këtë zonë krahas fshatit Gjilekë, do të ketë ujësjellës të ri edhe fshati Vuno, tepër problematik me ujin e pijshëm. Investimi ishte i KE-së në bashkëpunim me qeverinë, me një fond prej afërsisht 350 milionë lekësh.



“Ngjallet” Petro Marko



Në sheshin e fshatit Dhërmi (në Allonjë siç i thonë vendasit sheshit), ku ka lindur shkrimtari shqiptar Petro Marko, është kryer një investim. Një rrugicë me kalldrëm që nis nga rruga nacionale dhe përfundon tek dera e shtëpisë së braktisur të Petro Markos. Në qendër të sheshit me kalldrëm ndodhet edhe çezma, një pikë takimi për të rinj e pakët të Dhërmiut dhe përgjatë gjithë rrugicës janë edhe shtyllat e larta për ndriçim që do t’i kishte zili edhe ndonjë shesh kryesor në qendër të Tiranës. Krejt rastësisht takojmë dyqanxhiun e Allonjës, i cili ishte komshi i Petro Markos. “Kam kënaqësi të shkoj në punë në mëngjes, por më shumë kur kaloj në mbrëmje”, - na thotë ai. Dera e shtëpisë së Petros ishte e hapur, ndoshta për të treguar se ishte mërzitur nga braktisja prej vitesh. Kalldrëmi në këtë zonë është një risi. Kompania zbatuese e projektit mori “konsulencë” në Berat e Gjirokastër. Nuk ishte e lehtë në fillim për të rikthyer një traditë të vjetër. Sheshi dhe rrugicat në Dhërmi janë një model i mirë për të rikthyer jetën dhe turizmin në një nga zonat më të mira të bregut.

Por ky nuk ishte i vetmi investim që i ishte dedikuar kulturës dhe historisë. Pak më tutje vinte fshati Ilias. Me makinë shkohej më lehtë në këtë fshat të ndërtuar mbi gurë, sepse rruga nacionale ishte zgjeruar. Përkrah fshatit ndodhej Manastiri i Shën Theodhisit. Ndokush mund të ketë dëgjuar atë, një manastir shekullor, por që gjatë viteve të diktaturës shërbente si kampe fjetjesh për ata që bënin zbor. I harruar, i braktisur nga komunizmi i cili e përdhosi duke e kthyer në kamp ushtarak, por tashmë ky ishte vetëm një kujtim i dhimbshëm. Në kuadër të të njëjtit projekt, ishte ndërhyrë duke bërë një rrugë 1.5 kilometra për të shkuar deri te manastiri. Brenda prillit rruga do të jetë e asfaltuar duke dhënë një mundësi për të harxhuar disa minuta për të parë një mrekulli. Manastiri qëndronte ende në këmbë, ndonëse në gurët e tij gjen shënime nga punëtorët e diktaturës që i kishin kthyer në fjetore. Pas këtij gjumi të gjatë, Manastiri i Shën Theodhosit pret vizitorë, ndërsa besimtarët e parë kishin ardhur para nesh dhe në një nga dhomat e tij kishin vendosur qirinj dhe ikona në nderim të besimit të tyre. Në të dalë të manastirit, një plakë e vetmuar përshkonte rrugën për të shkuar në shtëpinë e saj. E vetme banonte afër manastirit, ndërsa na tregon se ishte e bija e Selim Hasanit, një shkrues tepër i njohur i këngëve labe, të cilit edhe Dritëro Agolli i ka kushtuar një poezi. Ajo nxiton të na ftojë në shtëpi për kafe. Nxitojmë! Rruga është në përfundim, por në sytë e saj ka një dritë dyshimi. Dyshim që i ngjallet njeriut në prag të një ngjarjeje të madhe. A thua vërtet? Inxhinieri i projektit e siguron se brenda muajit mars mbaron dhe asfalti dhe nëna labe na uron rrugë të mbarë, duke na thënë se dera e saj është e hapur në çdo kohë për të pirë kafe, por pse jo: “Edhe të provoni nga rakia jonë”.



Mallkimi i shenjtit



Në krah të rrugës nacionale, ndodhet fshati Ilias i cili për herë të parë në shekuj po përfitonte një investim publik. Në këtë fshat po sigurohet një sipërfaqe e cila do të përdoret për parkimin e makinave të vizitorëve. Edhe ky investim është i të njëjtit projekt. Fshati ndodhej në anë të rrugës, i ndërtuar mbi shkëmbinj dhe me gurë. Pamja e parë të tregonte një “Berat” të vogël, ku shtëpitë dalloheshin nga dritaret. Por fshati nuk mund të kishte 1001 dritare. Vendalinjtë tregojnë se kur Shën Thomai kaloi nga këto anë shekuj më parë, u kërkoi ujë banorëve të fshatit të cilët nuk e ndihmuan. “Ilias, fshat për mbi gurë, 30 shpi mos u bëfsh kurrë”, - mallkoi fshatin Shën Thomai. Ndoshta rastësi, por fshati sot kishte 29 shtëpi. Edhe kur një banor kërkoi të ndërtonte, si për të thyer mallkimin e shenjtit, autoritetet ndërhynë, pasi ndërtimi ishte pa leje. “Të kishte kaluar Shën Thomai nga Golemi”, - bën shaka një prej miqve. Pirro dhe Mada na tregojnë se për investimet kanë kontribuar edhe vetë banorët duke dhënë një përqindje. Ata thonë se kanë bërë me dhjetëra mbledhje me ta për të vendosur çdo detaj për investimet. “Zakonisht mblidheshim te rrapi dhe dëgjonim banorët me radhë. Na kanë mësuar numrat e telefonit dhe prej Kanadaje dhe Amerike na kanë telefonuar për të mësuar për investimet”, - tregon Mada, për të larguarit nga fshatrat drejt emigracionit. “Ata që kanë ardhur dhe kanë parë, thonë se është bërë më mirë se në Greqi”, - vazhdon ajo.

Si gjithnjë, në Himarën qytet ndalohet për një pushim. “Çdo shkurt e kam pasur lokalin mbyllur dhe vetëm në prill e hapja pasi atëherë fillonin lëvizjet e para”, - na tregon Bredi, pronari i një bari të vogël në Himarë, i cili kishte nisur punë me herët këtë vit. “Himara do të ketë më shumë pushues këtë vit ... duket”, - siguron ai. Në shkallët e bashkisë takojmë kryetarin Vasil Bollano. “Himara nuk do të jetë e njëjta pas disa viteve”, - premton kryetari i bashkisë. Në Himarë po ndërtohej sistemimi i ri i kanalizimeve dhe ujit të pijshëm, iniciativë e projektit.

Koha nuk na premton dhe nisemi përsëri. Makina ecën shpejt, e pamundur për këtë rrugë nacionale, por investimi kishte përfunduar. Nga Himara e deri në Sarandë rruga ishte zgjeruar dhe e shtruar më asfalt. Na u desh vetëm pak kohë që të dilnin në Qeparo. Fshati ndodhet si i fshehur në këtë gji deti, me shtëpi guri, por që ndonjë i papërgjegjshëm kishte bërë “kështjellën” e tij vetëm pak metra nga uji. Takojmë kryeplakun e fshatit i cili na shoqëron për të dalë në plazh. Ecim në një rrugë të re e cila falë projektit u bë e mundur që për herë të parë në plazhin e Qeparoit të shkosh me makinë. Fale Projektit të Menaxhimit të Bregdetit, rruga do të përfundojë përpara sezonit. “Këtu poshtë do të ndërtojmë edhe një parkim”, - na thotë kryeplaku. Era e fortë në plazh na ndalon kënaqësinë e soditjes dhe nisemi për të dalë në fshat. “Përgjatë rrugës nacionale që kalon në fshat, do të ndërtohet edhe një trotuar”, - thotë Pirro.



“Muri kinez”



“Prit, se s’keni parë më të bukurën”, - ndërhyn Pirro dhe e ndjekim nga pas me makinë dhe nisemi sipër, për në kalanë e Borshit. Ecën pak minuta dhe përpara duket kalaja mijëvjeçare. Vite me radhë e harruar, por ndërhyrja e projektit kishte bërë të mundur që nga rruga e deri tek kalaja të ndërtohej një rrugë e gjitha me kalldrëm e cila të çon në kala. “Qenka bërë si muri kinez”, - thotë miku ynë me humor. Rruga gjarpëronte në mal dhe nga poshtë kalasë dukej si emblema kineze. Kalaja është vlerësuar me nota të veçanta për vlerat e saj historike. Ende në këmbë qëndronin muret e saj të lashta, si dhe kupola e xhamisë që turqit e ndërtuan në shekullin e 15-të. Nga poshtë saj, ishte e vështirë të shikoje ndërsa përtej dukej deti blu i Jonit. Kalaja i kishte rezistuar çdo pushtuesi, përveç turqve, që ishin të vetmit që e kishin pushtuar 200 vite pas vdekjes së Skënderbeut.

Largohemi nga Borshi dhe ecim në rrugën e bregut. Rrugës, në fshatrat e komunës Lukovë, po bëheshin investime të tjera nga projekti. Fshati Piqeras do të ketë një sistemim të ujit të pijshëm, njëkohësisht edhe fshati i Lukovës. Shën Vasili, i njohur për burgun në kohën e diktaturës, i përmendur nga kujtimet e At Zef Pllumit, kishte dalë më në pah. Rruga nacionale që e përshkon tejpërtej, ishte zgjeruar dhe asfaltuar, ndërkohë fshati do të ketë sistemim të ujit të pijshëm.

Njëkohësisht përgjatë rrugës së bregut projekti ka vendosur tabela anës rrugës në shqip dhe anglisht, në çdo vend që ia vlen për t’u vizituar. Tabelat udhëzonin për plazhet, fshatrat si dhe vendet arkeologjike.



Parku i Butrintit



Mbërritja në Sarandë dukej më ndryshe nga rruga. Çlodhemi pak në hotel dhe nisemi për në Parkun e Butrintit. Rruga prej 16 kilometrash deri në park ishte përmirësuar. Kur mbërrijmë atje, marrim vesh që banorët janë mbledhur për të diskutuar për Planin e Menaxhimit të Parkut Kombëtar. Nisemi për në fshatin Mursi, në komunën Xarë.

Në qendrën komunitare të fshatit ishin mbledhur kryesitë e komunave së bashku me kryetarët e Xarës, Ksamilit. Ekspertët prezantuan planin e ri dhe nga banorët u vendos që të ruhet parku. Nuk do të lejohet kullotja e bagëtive dhe peshkimi përreth parkut. Në këtë takim ishte i pranishëm edhe zëvendësministri i Mjedisit, Taulant Bino. “Ideja e këtij plani është që kur të vish të vizitosh Butrintin, të mos rrish vetëm pak orë dhe të ikësh, por të kesh mundësi të vizitosh edhe ekosistemin e zonës”, - na thotë Bino. Banorët e Mursisë na presin mirë dhe në kafen e fshatit na qerasin me kapuçino. Fshatarët jetonin mirë, ndonëse me kujtime të hidhura nga diktatura. Ky fshat ka pasur edhe gra të dënuara politike dhe në total numëroheshin 1200 vite burg të bëra nga banorët e këtij fshati. Sot, shumë prej tyre e kishin të lidhur të ardhmen e tyre me Mursinë. Fshati dallohet për kultivimin e shalqirit, i cili me mijëra tonë eksportohet kryesisht në Kosovë.

Më tutje, në fshatin Çukë po ndërtohej impianti i përpunimit të ujërave të zeza të qytetit të Sarandës. Mbikëqyrësi i punimeve na thotë se impianti i ri do të nisë punën në vitin 2010. Qyteti do të zgjidhë përfundimisht problemin.

Në Sarandë jeta kishte nisur të ishte më aktive. Pronari i hotelit, Astriti, na tregon se muaji shkurt ishte si shkretëtirë për Sarandën, por ai thotë se këto dy vite, në hotelin e tij ka pasur punë. Një shëtitje në bulevardin kryesor nuk kishte si të mungonte. Lokalet buzë detit ishin mbushur me banorët e Sarandës dhe turistë të cilët kalonin pasditen. Vështirë të mendoje se duhej të ktheheshe në kryeqytet.

Projekti i Menaxhimit të Integruar të Zonës Bregdetare apo i Bregut të Jugut, siç njihet rëndom, po hapte një faqe të re të turizmit të zonës, duke përmirësuar infrastrukturën publike dhe ndihmuar me planet territoriale.

Në kthim në radio dëgjoj lajmet e ditës. Lajmi kryesor: “Shembjet e 12 shtëpive në Jalë...” Në pak orë munda të shoh mjaft projekte përgjatë bregut, shumica e të cilëve drejt përfundimit. Projekte të tjera janë në vijim. Është një punë që po ndryshon jo vetëm gjendjen e banorëve të zonës, është një punë që jo vetëm nxit turizmin si industri, por mbi të gjitha, rrallë të qëllon të ndihesh turist në vendin tënd. Pasuri të pashfrytëzuara që po dalin në dritë. Në Tiranë vijon “debati” për Jalën, në bregdet banorët të flasin për mrekulli. Një mrekulli që pata fatin ta përjetoja ditën e fundit të muajit shkurt.


02/03/2009

standart