Përfaqësuesi i këshillit iniciativ për rindërtimin e Burmali xhamisë, Ramadan Ramadani bën të ditur se me shtatë maj të këtij viti në vendin ku ka qenë dikur Burmali xhamia do të ketë një organizim të madh, ku do të jetë si një shenjë proteste, në të cilën do të tregohen të gjitha dëshmitë për Burmali xhaminë si dhe do të bëhet falja e namazit. Ramadani gjithashtu rikujtoi edhe njëherë  opinionin se para 3 ditësh i ka nisur një letër Bashkësisë Fetare Islame me kërkesën që ky institucion të jep mbështetje këtij manifestimi ku parashihet edhe falja e namazit në shesh. "Ne me datën 20 prill kemi dërguar një letër kërkesë ku ne shpalosim agjendën tonë për organizim të një manifestimi kulturor dhe ku ne mendojmë se është mirë të jetë edhe aktiviteti i namazit i cili ka qenë i paralajmëruar edhe nga ne edhe nga ata dhe që të kryhet prapë sikur shumë gjëra që kanë ndodhur rreth Xhamisë Burmali, e ajo është me një konsensus të gjerë tek popullata. Paralajmërojmë popullatën se me 7 maj do të ketë një ngjarje dhe manifestim të madh, ne besojmë se edhe namazi do të kryhet atë ditë, ditën e premte dhe shpresojmë që të kemi përkrahjen e BFI-së", deklaroi Ramadan. Ai gjithashtu komentoi deklaratën e kreut të BFI-së, Sulejman Rexhepi, ku disa ditë më parë ai mohoi se ka pranuar një letër nga Këshilli Iniciativ. "Ajo që ne me këtë rast dëshirojmë të cekim dhe është mirë të dihet se ne bëjmë dallim mes institucionit dhe njerëzve që mund të jenë aty. Këto janë gjëra që nuk mund të mësohen në shkollën e Kumrovecit, por ne gjithmonë si popull i dimë se si institucionet janë të përhershme por që mandatet janë të kalueshme dhe në fund të fundit askush nuk ka mandat që të turpërojë dikën apo të turpërojë një aspiratë një shekullore të kësaj popullate", tha Ramadani. Ndërkaq, nga Këshilli iniciativ për ndërtimin e xhamisë Burmali edhe njëherë kanë përsëritur qëndrimin se nuk do të heqin dorë nga rindërtimi i xhamisë në sheshin e Shkupit edhe në qoftë se vendoset që aty mos të ndërtohet Kisha Ortodokse Shën Konstantini dhe Elena, pasi që siç shprehen nga këshilli iniciativ kërkesa e tyre për xhaminë Burmali daton shumë më herët.