A keni menduar ndonjëherë pse Zoti e ka caktuar të lindin njerëzit si fëmijë e nuk i ka krijuar të gjithë një nga një si njeriun e parë Ademin a.s.

Gjithashtu a ju ka shkuar ndonjëherë në mend pse Zoti e ka caktuar që disa njerëz të jenë më të pasur kurse disa të jetojnë në varfëri e nuk kujdeset më për njerëzit siç është kujdesur për dy njerëzit e parë?

Përgjigjet në këto pyetje i gjejmë në Kur’an:

8:28. Dhe, dijeni se pasuria e juaj dhe fëmijët tuaj janë vetëm një sprovë, dhe se te All-llahu është shpërblimi i madh.

64:15. S'ka dyshim se pasuria juaj dhe fëmijët tuaj janë vetëm sprovë, ndërsa ajo që është tek All-llahu, është shpërblim i madh.

Pra, Allahu xh.sh. e ka caktuar që njerëzit të lindin fëmijë dhe të kujdesen për ta derisa ta arrijnë moshën e pjekurisë, për ta sprovuar secilin nga ne se sa të durueshëm do të jemi në kryerjen e këtij misioni aspak të lehtë.

Shpesh ndodh që nuk kemi durim t’i dëgjojmë apo ti plotësojmë kërkesat e fëmijëve tanë kurse në këtë rast ata mërziten shumë kur ne ia kthejmë një përgjigje negative apo iu bërtasim.

Kjo është një vërejtje sidomos për nënat që në disa raste edhe i mallkojnë fëmijët e tyre.

Pa marrë parasysh sa të vegjël janë ata në fakt ne kemi lënduar zemrën e një qenie njerëzore!

Gjithashtu edhe pasurinë Allahu xh.sh. ja ka dhënë disave për t’i sprovuar se a do ta shpenzojnë atë në mënyrë të ndershme apo jo.

Nëse ndonjëherë në jetë na paraqitet ndonjë rast ku dikush kërkon ndihmën tonë financiare sepse është në gjendje shumë të vështirë kurse ne edhe pse e kemi mundësinë nuk e ndihmojmë atëherë ai do të mbetet shumë i dëshpëruar.

Sa të jemi gjallë në këtë jetë do të përballohemi me sprova e sidomos ne Muslimanët siç thuhet në Kur’an:

29:2. A menduan njerëzit të thonë: "Ne kemi besuar, e të mos vihen në sprovë?"

Por gjithmonë duhet ta kemi parasysh se pas durimit vjen shpërblimi siç na lajmëron Allahu xh.sh. në Kur’an:

11:11. Përveç atyre, të cilët kishin durim dhe bënin vepra të mira, të tillët kanë falje (të gabimeve) dhe shpërblim të madh.