Athinaja, Zbulohet perëndesha 2000-vjeçare greke
» Dërguar më: 17/10/2009 - 14:08
Fatmira Nikolli
Ishin ditët e para të muajit gusht, kur ekipi i arkeologëve, pjesë e projektit "Liburna", gjeti perëndeshën greke. Diku në afërsi të Karaburunit, ajo ka qëndruar e "fshehur" prej shekujsh, që kur anija në të cilin pati gjetur strehë u fundos në det. Nuk duket qartësisht veshja që ajo mban, por nga fotografitë, shihet se në kokë mban të hedhur diçka. Sipas mitologjisë, ajo përherë ishte e armatosur. Figura e saj ishte e mirëvlerësuar dhe gëzonte respektin e të gjithëve.
Athinaja
E zbuluar në ditët e para të muajit gusht në afërsi të Karaburunit, kjo perëndeshë e mitologjisë greke ka përmasa të vogla. Shekujt nën ujë e kanë mbuluar bronzin me një lloj ndryshku, që ka marrë ngjyrë bojëqielli. Në skulpturë paraqitet si bust, ku mund të shihet vetëm koka dhe supet. Bashkë me të është gjetur edhe një pjesë ku mendohet se ajo ka qenë e vendosur. Edhe ajo është e ndryshkur. Arkeologët mendojnë se ka qenë e aplikuar në ndonjë vazo bronzi ose pjesë peshoreje antike, që ka qenë e vendosur në një anije tregtare. Por, për vendin ku ajo ka qenë vendosur ka edhe një hipotezë tjetër. Sipas arkeologut Adrian Anastasi, ajo mund të ketë qenë e vënë në altarin e bordit të një anijeje. Athinaja është e punuar në bronz dhe pritet t'i nënshtrohet një restaurimi. Ajo i përket shekullit të I-ë ose të II-të pas Krishtit, pra është një skulpturë në bronz 2000-vjeçare. "Zakonisht objekte si Athinaja që kemi zbuluar ne, janë të dhëna që lidhen me elementë plotësues në bordin e anijeve gjatë antikitetit. Në vetvete kjo skulpturë ka vlera arti si skulpturë, ku historianët e artit antik e marrin në konsideratë. Ajo ka një teknologji të mirë përpunimi të bronzit dhe po ashtu, edhe të gdhendjes në të", - tregon për gazetën shqiptare, Adrian Anastasi, i cili është pjesë e ekipit të arkeologëve të projektit "Liburna".
Projekti "Liburna"
Projekti "Liburna" ka të bëjë me arkeologjinë nënujore shqiptare. Këtë vit kërkimet u kryen nga data 25 korrik deri në datën 10 gusht dhe ishte pjesa e tretë e misionit të projektit "Liburna". Athinaja ka qenë zbulimi më i rëndësishëm i këtij viti. Statuja e perëndeshës greke mendohet se i takon shek I-II pas Krishtit dhe është ruajtur në gjendje jo të keqe. Drejtimi shkencor i tërë projektit i është besuar bashkërisht dr. Adrian Anastasi (Instituti i Arkeologjisë) e prof. Giuliano Volpe (Università di Foggia). Objektivat e projektit janë të shumëfishta dhe i referohen si procesit të njohurive historike e arkeologjike, ashtu edhe zhvillimit kulturor, ekonomik e social të Shqipërisë, në veçanti për efektet pozitive që ky lloj aktiviteti mund të ketë në zhvillimin turistik e në nisjen e iniciativave të reja ekonomike. Midis vendeve të Mesdheut Perëndimor, Shqipëria qe deri vonë vendi në të cilin kërkimi nënujor rezultonte akoma pak i zhvilluar, me gjithë rëndësinë e jashtëzakonshme të brigjeve të saj, plot me porte antikë, mesjetarë dhe modernë. Gjatë viteve të regjimit komunist aktiviteti nënujor ishte në fakt i ndaluar, ndërsa pas rënies së tij, e sidomos në fazën e rrëmujave të mëdha që njohu vendi në vitet '90, ka nisur një aktivitet dramatik dhe shqetësues i vjedhjes së trashëgimisë arkeologjike nënujore të pasur, e deri vonë të paprekur. Projekti "Liburna" synon kontribuojë në vlerësimin e pasurisë arkeologjike nënujore shqiptare dhe në shfrytëzimin e saj turistik. Por, tjetër synim i tij është edhe kontributi në zhvillimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit shkencor e kultural midis Shqipërisë dhe Italisë.
Athena
Athena është perëndesha që personifikon urtësinë njerëzore, e cila ka një vend të dalluar në panteonin olimpik e meqë adhurohej veçanërisht në qytetin më të shkëlqyer të klasicizmit në Athinë, ajo fiton një shkëlqim akoma dhe më të veçantë. Veç miteve të ndryshme lokale e të epiteteve të ndryshme, miti sundues është se ajo lindi nga koka e Zeusit, e armatosur dhe gjithnjë e virgjër. Personifikon dijen, largpamësin dhe bëhet mbrojtëse e qytetit të Athinës, duke zhvilluar më shumë dijen dhe artin. Athena ishte hyjneshë e luftës, urtësisë, artit, shkencës dhe zejtarisë. Sipas mitologjisë romake, asaj i përshtatet hyjnesha MINERVA. Kishte lindur nga koka e Zeusit, duke valëvitur me shigjetën e saj karakteristike. Edhe pse merrej si hyjneshë e luftës, ajo kurrë nuk është treguar me veti luftarake. Përkundrazi, zihej si e urtë, e mençur dhe gjithnjë e gatshme që t'i ndihmoj trimat dhe heronjtë, sikur ishin: Persei, Akili, Odiseu dhe shumë të tjerë. Dashuria të madhe që ajo ndjente ndaj tyre, nuk kishte të bënte aspak me erotikën. Duke mbetur virgjëreshë tërë jetën, ajo kishte vendosur që kurrë mos të martohej, edhe pas ofertave të shumta që kishte nga zotat tjerë. Ajo ka ndihmuar njerëzit në realizimin e dëshirave dhe synimeve të tyre. Athinaja kishte lindur nga koka e Zeusit duke valëvitur me shigjetën e saj karakteristike. Athinaja dhe Poseidoni dëshironin të merrnin të njëjtin qytet. Kështu që u ngjitën mbi shkëmbin e Akropolit dhe në praninë e të gjithë qytetarëve vendosën që ai që do sillte dhuratën, më të çmuar do merrte dhe qytetin. Poseidoni goditi me tredhëmbëzorin e vet brinjën e një kodre dhe hapi një pus të madh, uji i të cilit ishte shumë i kripur, njëlloj si i detit, mesa duket dhurata e tij nuk tërhoqi vëmendjen e qytetarëve, ndërsa Athinaja nga ana tjetër solli si dhuratë një pemë ulliri, gjë e cila ishte shumë më e mirë pasi u ofronte njerëzve ushqim, vaj dhe dru. Athinaja rezultoi fituese nga dueli i realizuar me Poseidonin, prandaj dhe qyteti u quajt Athinë.
gsh.
Krijoni Kontakt