Raporti i Hysni Kapos dhe Shefqet Peçit që dënoi me vdekje Ramizenë
“Ramizeja arrin që të mohojë që të gjitha, vetëm për të kënaqur epshet e saja. Influencon edhe tek Zahoja”
Në këtë pjesë të dramës së dashurisë mes Ramize Gjebresë dhe Zaho Kokës, që u mbyll me pushkatimin e të parës dhe përjashtimit nga partia të djalit nga Vunoi, do të keni rastin të lexoni raportin origjinal të udhëheqjes së Brigadës së Pestë dhe të dërguarve nga Tirana. Ishte pikërisht ky raport që më pas u shëndrua në vendim gjyqi që çoi në fundin fatal për Ramize Gjebrenë, faji i vetëm i së cilës ishte se dashuroi në kohë lufte. Më poshtë po rendesim raportin dhe firmat e autorëve.
KOMITETIT QËNDROR TË P.KOMUNISTE SHQIPTARE
RAPORT
Në kohën kur Partia jonë me themele të çelikta, e çimentuar prej shokëve tanë që kanë derdhur gjak, është më e forte se kurrë; në kohën kur Ushtria Nacionalçlirimtare po shtohet dhe forcohet dita-ditës duke u dhënë grushte të forta okupatorit dhe tradhëtarëve, pikërisht në këtë kohë kur armiku po bën ofensiva të vazhdueshme kundra forcave tona liridashëse, kur anëtarët e Partisë Komuniste duhet të jenë shembull në luftë, sakrifica, sjellje dhe të mendojnë vetëm për një gjë: realizimin e qëllimit tonë, konstatohet me hidhërimin më të madh se midis dy drejtuesve të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Brigadës së Pestë të neglizhohet puna dhe të mbrijnë të cënojnë moralin proletar, pikën më të dobët ku armiku na ka luftuar dhe po na lufton.
Kur armiku me forca të shumta në të gjitha anët goditi qarkun tonë, komanda e Brigadës vendosi që të pesë batalionet të shpërndaheshin në pesë sektorë për ta pritur armikun me luftë në çdo anë. Batalioni i III-të u dërgua në krahinën e Himarës për shkatërrimin e komunikacionit dhe të ndalonte lëvizjet armike, ku e kreu detyrën plotësisht. Për çdo batalion, përveç drejtuesve të batalioneve, u ndanë edhe shokët që përbëjnë Shtabin
( e Brigadës), si dhe ata që bëjnë pjesë në Seksionin Politik, me qëllim që puna të shkonte më mirë. Në batalionin e III-të, që komandohet prej shokut Mehmet Ali Shehu, prej komisarit Zenel Hamiti, prej zv.komisarit Zaho Koka dhe prej zv.komandantit Hysen Çino, shkoi për të vazhduar punën politike dhe organizative shoqja Ramize Gjebrea, anëtare e Seksionit Politik në Brigadë dhe si drejtuese e rinisë së Brigadës dhe e Agjit-Propit. Gjatë kohës të qëndrimit të shoqes në fjalë në krahinën e Himarës, konstatohet se Ramizeja bije në relacione dashurie me zv.komisarin e batalionit, Zaho Kokën, siç do ta shifni dhe në raportet e bashkangjitura të bëra prej komisarit të batalionit, shokut Zenel Hamiti, prej partizanit Tanush Shyti, prej anëtarit të Komitetit të Rajonit, shokut Lefter Kasneci, si dhe shokut Xhake (Ramadan Xhangolli), që ka raportuar aty dhe këtu na i raportoi verbalisht.
Shtabi i Brigadës, porsa mori raportet e sipërme, mori masat e duhura për arrestimin e tyre dhe formoi gjyqin për t’i dhënë fund sa më parë këtij skandali, që mbriti të kuptohet haptazi dhe prej disa partizanëve që ndodheshin përqark.
Duke marrë parasysh se çështja ishte mjaft serioze dhe duhesh para se të merrej vendimi i duhur, të rriheshin të gjitha problemet që do të na paraqiteshin në këtë rast dhe duke patur pamundësinë të merreveshim vesh me Komitetin Qëndror mbasi, të dy të dashuruarit e kuptuan se shokët drejtuesa të Ushtrisë ishin në dijeni dhe për të evituar çdo gjë (tradhëtinë e tyre), e pamë të arsyeshme që gjyqi të formohet më i gjerë dhe jo vetëm prej atij të Brigadës. Kështu, që në këtë gjyq morën pjesë këta shokë:
komandanti i Brigadës, komisari, zv.komisari, sekretari organizativ i Seksionit Politik, kulturoro-arsimori, sekretari politik i Qarkorit të Vlorës dhe i deleguari i Komitetit Qëndror të Rinisë Komuniste Shqiptare, shoku Xhake.
Gjyqi mori në pyetje shoqen Ramize duke i kërkuar të shpjegojë ngjarjen përsa i përket relacioneve dashurore me Zaho Kokën. Deklaratat e para të saj përshkruhen në procesin nr.1 (shifni procesin). U muar në pyetje Zaho Koka. Deklaratat shifen në procesin nr.2.
Meqenëse deklaratat ishin në kundërshtim, u thirr përsëri Ramizeja, e cila deklaroi sipas procesit nr.3. U pa i nevojshëm ballafaqimi dhe mbasi u ballafaquan, u firmos procesi nr.4. Siç do ta shifni dhe nga proceset në fjalë, në procesin e mbajtur herën e parë mohohet çdo gjë prej Ramizesë. Mohoi gjithashtu dhe thëniet e shokut Xhake, që ja shfaqi në prenzencën e saj para gjyqit. Gjithashtu edhe në procesin e dytë të Ramizesë, shihet se mundohet të mbulojë të vërtetën. Vetëm kur u bë ballafaqimi, duke parë se Zahua ja faktonte të gjitha, u shtërngua të pranojë duke u munduar në çdo mënyrë që të justifikohet. Mbasi firmosën që të dy procesin e fundit, gjyqi i formuar posaçërisht, duke marrë parasysh zhvillimin e ngjarjevs, duke marrë parasysh realitetin e raporteve të shokëve që i kishin paraqitur me shkrim dhe verbalisht, si dhe nga sa u konstatua në deklaratat e Zahos dhe Ramizesë, studioi:
Ramizeja.- Shoqe me përgjegjësi, edukatore e rinisë së Brigadës, e zhvilluar nga çdo pikëpamje. Zotron vijën e Partisë fare bukur, e fejuar legalisht para partisë, udhëheqëse në terren dhe ushtri. Në një kohë kur Ushtria jonë ndodhej në vuajtjet më të mëdha, në këtë kohë kur shokët komunista duhet të tregohen më të fortë se kurrë, të mbajnë lart moralin e Ushtrisë, të jenë shembull në vuajtje dhe sakrifica, Ramizeja arrin që të mohojë që të gjitha, vetëm për të kënaqur epshet e saja. Influencon te Zahoja dhe bashkërisht dëfrejnë. Para gjyqit nuk është treguar aspak e sinqertë. Bindemi pra se e përmendura është tradhëtare e Partisë, shkelëse e moralit proletar dhe tradhëtare e shokut të cilit i ka premtuar fejesën (Nako Spirut). Nuk ka asnjë fije komunisti, mbasi ka mohuar çdo gjë. Me zë të përbashkët çfaqet mendimi që e përmendura të pushkatohet para forcave partizane.
Zaho Koka.- Njeri i vendosur për Partinë. I pa zhvilluar siç duhet. Di vijën e Partisë, influencohet prej shokëve me përgjegjësi. I pa fejuar. Deklaron se e donte me qëllim martese, duke mos e ditur fejesën e saj. I ngarkuar me përgjegjësi, jo pse është në gjendje, por sepse ishte besnik i Partisë dhe gjatë detyrës, me ndihmën e shokëve do të zhvillohej. Është shkelës i moralit proletar. Më shumë për këtë te ai ka influencuar Ramizeja, që ishte në një pozitë më të lartë dhe më vonë këtë dashuri e ka vazhduar me konshjencë.
Para gjyqit është treguar deri diku i sinqertë, ku tregohet diçka si komunist, megjithëse duhej të kishte raportuar më parë. Duke marrë parasysh se fajet e njërit dhe të tjetrit nuk janë të njëllojshme dhe duke patur parasysh se elementët që japin shpresë, të mundohemi t’i ngremë lartë, megjithëse janë fajtorë, mbas shumë diskutimesh u vendos që Zaho Koka të merrte këtë dënim: Shkarkim nga përgjegjësia, përjashtim nga Partia dhe të dërgohet në një qark tjetër.
Vdekje Fashizmit,
Liri Popullit
Zonë e Lirë, 7/III/ 44
Komandanti i Brigadës (Shefqet Peçi)
Komisari i Brigadës (Hysni Kapo)
zv.Komisari (Manush Myftiu)
Organizativi i Seksionit Politik (Hito Çako) Çobani
Kulturoro-arsimori (Bilbil Klosi)
Sekretari Poltik i K. Qarkor (Pajo Islamaj)
I deleguari i K. Qëndror të Rinisë K.Sh.(Xhaka)
AQSH, Fondi 14, V.1944, Dosja 17/1, Fletët 1, 2.
Deklarimet gjatë seancave
RAMIZE GjEBREA:
Më 29 janar kam fjetur në Vuno. Më 30 kam fjetur me Xhakën dhe Zahon në një shtëpi afër Himarës. Më 31 deri më 5 shkurt kam qëndruar te Koço Çali bashkë me Xhakën dhe Zahon. Nga data 5 deri më 11 kemi qëndruar në shpellën e Ilqes. Prej këtej kemi ikur për në Himarë në shtëpi të F.Bollanit, ku edhe kemi fjetur. Pastaj kemi fjetur dy netë në Jal. Prej këtej kemi fjetur në Vuno. Jam nisur për këtu (në Ramicë) në datën 23 shkurt, por për arsye të borës, fjetëm me Zahon në një stan, deri më datën 26. Prej kësaj date u nisëm në Kallarat. Në ditët e fundit Zahua ka qenë i sëmurë dhe unë jam interesuar e kujdesur për të.
Një gjë që më ka kompromentuar është mbulimi që më ka bërë Zahua me kapotën e tij në shpellën e Ilqes dhe në Jal . Jemi mbuluar me një kapotë, pasi unë s’kisha.
Zahua këshillohej me mua për çdo punë. Bashkë kemi vendosur shpërndarjen e kompanive. Shpërndarja e forcave është bërë në njësite. Në njësitin që përbëhej nga djem vunjotas qëndrova dhe unë me Zahon.
Me Zahon nuk kam kam bërë asnjë veprim, veçse kur flinim në Jal bashkë me partizanë të tjerë, meqënëse unë mbërdhija, ngrihesha shpesh dhe isha e detyruar ta shtyja që të liroja vend. Dija që shoku nuk ish i fejuar. Denoncimet e ardhura nga shokët i mohoj kategorikisht, pasi ato nuk përfaqësojnë realitetin.
ZAHO KOKA :
Kemi bërë lëvizje për arsye ushtarake bashkë me Ramizenë.
Në shtëpinë e Koço Çalit kemi qenë bashkë, pasi në atë ditë do të bisedonim mbi punë të batalionit. Kur më thërriste ndonjëri, Ramizeja nuk më linte që të largohesha. Në shpellë kemi fjetur nën një pallto. Kjo gjë vazhdoi kështu deri sa qëndruam aty. Edhe në Jal kemi fjetur së bashku në të njëjtat kushte.
Kur do iknin shokët për në Mesaplik, unë qava pasi isha sëmurë dhe s’ikja dot me ta. Ramizeja u shkëput prej shokëve dhe erdhi e qëndroi me mua.
Kemi kënduar këngë dashurie.
Ramizesë i kam thenë se më kanë dashur shumë vajza, por unë s’kam dashur të kem mardhënie me asnjërën. Në fillim s’kam ndier dashuri për të, më vonë po, por nuk kam pasur guxim. Kam kuptuar që më dashuronte dhe unë e dashuroja, por pa i thënë njëri-tjetrit.
Unë nuk e kam ditur që ajo ka qenë e fejuar.
Nuk ja raportova Partisë këtë mardhënie, sepse kam pasur turp.
korrieri
Krijoni Kontakt