Hamza Kazazi: Kur u vra baba Hysni Kapo vodhi dhomen e gjumit
Shkoder 16 Tetor 2008 - 19:03
Rezarta Delisula
Gazeta Shqiptare
Ishte vetëm 31 vjeç, atëherë kur bashkë me dy fëmijë të vegjël dhe dy
valixhe në dorë, i nxorën në rrugë të madhe. I shoqi vrau veten në 17 shtator 1946 pas kryengritjes antikomuniste të Postribës dhe po të njëjtin fat pati dhe
vëllai i tij. Një tjetër kunat ia pushkatuan, ndërsa dy të tjerë i burgosën në Burrel. Jetonte në një dhomë të vogël ku çdo mbrëmje shtroheshin tri dyshekë poshtë.
Që nga 18 shtatori 1946, e deri kur mbylli sytë, Nasibe Kazazi, gruaja e Jup Kazazit, nisi pashmangshmërisht kalvarin e vuajtjeve.
Thonë, që kush i ka dy dhamët e parë të larguem, asht me fat në jetë. Për mue asht e vërtetë. Punë tjetër si shkoi rryma e jetës ma vonë, por unë pata fatin e madh që u martova, më deshti e deshta burrin ma të mirë që kishte
Shqipnia , i pat thënë djalit të saj gruaja që përpos presioneve arriti t'i mbijetojë regjimit komunist.
Sibja
Kështu e thërrisnin të afërmit Nasibe Bekteshin, vajzën e lindur më 25 korrik 1915 në familjen e madhe atdhetare. I ati, Hasan Bekteshi ishte spikatur për kontributin e veçantë që dha për afrimin e tre besimeve në Shkodër. Kishte luftuar kundra turqve e malazezëve qysh kur ishte 14 vjeç në krah me mikun e tij të ngushtë Muharrem Kazazin, me të cilin pas disa vitesh u lidhën edhe me krushqi. Hasani kishte bërë shkollën turke të asaj kohe dhe autodidakt mësoi të shkruajë e të flasë italishten. I dalë në Stamboll, Itali e Austri, si rrallë njerëz në atë kohë, ai i edukoi fëmijët e vet drejt shkollës se gjuhëve të huaja.
Vajzat Minire, Adile, Fahrije e Nasibe kryen shkollën e murgeshave në Shkodër. Minirja ishte vajza e parë myslimane shkodrane që shkoi në këtë shkollë. Ato dinin disa gjuhë të huaja dhe krahas merrnin dhe mësime muzike. Nasibja në
veçanti kishte talent për pikturë, dhe atë e konfirmojnë qëndismat e saj, dizenjon e së cilave e sajonte vetë.
Djali i tij Teofiku studioi ekonomi në Austri dhe më i vogli i të gjithëve, Selahedini, mjekësi në Itali. Profesor Doktor Selaudin Bekteshi (Selahedin në të vërtetë,
kështu i thonë në Shkodër) ishte ndër të parët që vuri bazat shkencore të pediatrisë e hematologjisë për fëmijë. Duke qenë se dy familjet, ajo e Kazazëve e Bekteshëve, kishin miqësi të ngushtë prej vitesh, vendosën të lidhnin edhe krushqi. Nasibja u fejua me Jupin, me të cilin njiheshin e pëlqeheshin. Dasma u
bë sipas zakoneve shkodrane, me kostum kombëtar të shtunën e me të bardha e moderne të dielën.
Jeta bashkë
Nasibja shkoi në Tiranë, ku i shoqi Jup Kazazi punonte si ekonomist në Ministrinë e Financave, mbas doktoratës për shkenca ekonomike në Torino të Italisë.
Ishte koha e Zogut , viti 1938.
I vjehrri, Muharrem Kazazi ishte në Shkodër. Zogu i kishte dhënë titullin Kapidan nderi edhe pse të pesë djemtë i kishte republikanë. Në atë familje u bënin diskutime politike e të gjithë mendonin për të mirën, avancimin dhe modernizimin e Shqipërisë e Kosovës. E rritur me ndjenjën e patriotizmit në shtëpinë e saj, ajo e gjeti këtë ndjenjë edhe më të theksuar në shtëpinë e Kazazëve ku hyri nuse.
Pas punës si ekonomist në ministri, Jupi pranoi të merrte një punë me më
rëndësi e të bëhej ministër në qeverinë e re të Mustafa Krujës në vitin 1942. Për
të pranuar nuk qe vetëm kërkesa e Mustafa Krujës, por kryesisht insistimi i Xhevat
Korçës, që u bë edhe ai ministër i Arsimit, ish-profesor i Jupit në gjimnazin e Shkodrës.
Jupi sa u ba ministër, bleu nji makinë Fiat të zakonshme e më tha se nuk donte as makinë prej tyne (italianëve) e se ishte i qetë me të vetën , - u tregonte Sibja fëmijëve të saj rreth të atit, të cilët atë nuk patën mundësi ta njihnin mirë. Nasibja thoshte dhe e dinte mirë që i shoqi gjatë asaj periudhe ka ndihmuar jo vetëm ballistët e legalistët, por edhe komunistët. Edhe pas shumë vitesh shpesh ajo revoltohej dhe ndihej e fyer që komunizmi, disa fanatikë të këqij e dallkaukë e njollosnin me gjëra të paqena, të kundërta e krejtësisht të pavërteta,
bashkëshortin e saj. Jupi ndenji vetëm 6 muaj në drejtim të ministrisë dhe pas dorëheqjes së bujshme, bashkë me të shoqen menduan për disa pushime në
Shën Naum. Atje, ajo u takua e rrinte me Meli Dishnicën. E kishte shoqe,
megjithëse Meli ishte e re komuniste. Më vonë Meli pati një punë të zakonshme
në një zyrë kuadri. Mesa u ka treguar e ëma, Meli ishte njeri i mirë e nuk i shihte gjërat si komunizmi dhe respektonte ata që kishin ideale të tjera. Ishte pikërisht Shën Naumi, ku Ymer Dishnica i propozoi Jupit të bashkohej me Partinë Komuniste.
Fillimi i vuajtjeve
Nasibja jetoi e lumtur rininë e vitet e para të martesës deri në vitin 1943 kur filluan persekutimi fashist, problemet e luftës e në fund të 1944-s, tmerri i terrorit komunist. Jupi doli në mal në drejtimin e çetave balliste të veriut. Nasibja me të shoqin shiheshin rrallë, kur hynte ndonjëherë fshehurazi në Shkodër i veshur si katundar si dhe për pak kohë në Bogë, ku ajo me djalin shkuan në bjeshkë. Në Bogë i vinte ndonjëherë i shoqi, gjithmonë i armatosur. Nasibja ishte shtatzënë dhe në pranverën e vitit 1943 jetonte e fshehur, pasi kërkohej prej italianëve
për tu internuar në Itali. Fjalët ia kishin sjellë shqiptarë që punonin në
administratën e komandën italiane. Nasibja u fsheh në shtëpinë e Qazim Ulqinakut, ku ishte dhënë e motra Fahrija, e po në atë shtëpi më 18 gusht të vitit 1943 lindi vajzën, emrin e së voglës e zgjodhi Jupi, e pagëzoi Liri. Pa u bërë dy javë nga lindja e vajzës, ai organizoi dhe komandoi Luftën e Reçit përkatësisht
më 30-31 gusht.
Pas kapitullimit të Italisë, ai ndenji pak kohë në Shkodër e pas ardhjes së gjermanëve del përsëri në mal. Atje ishte bashkë me misionin anglez për veriun, kolonelin Neel (Nil) e kapitenin Hebberdine të R.A.F. Për këtë periudhë,
koloneli Neel më 19/10/1991, i ka shkruar vajzës së Jupit, Lirisë, se Jup Kazazi ka qenë një hero e se ai e kapiteni kishin mbetur gjallë në atë kohë dhe kishin
shpëtuar nga gjermanët në saje të tij. Këto dy emra ia kishte lënë Jupi Nasibes,
pas nëntorit të vitit 1944, që po t'i ndodhte ndonjë gjë nga komunizmi, të
kërkonte ndihmë internacionale, për të e fëmijët.
Jup i dashtun po rrezikon jetën tande të re për atdhe e për liri, por mendo për mue e në rradhë të parë për djalin tonë , e ai i përgjigjet: E dashtuna Sibe, mendoj shumë për ty, por po rrezikoj edhe jetën që Zuku (si ç i therrasin djalit) me gjithë ty ta gzojnë Shqipninë e lirë . Ky është një fragment i komunikimit të tyre, pa lindur ende vajza, Liria.
Që prej 25 nëntorit të vitit 1944 ajo nuk e pa më të shoqin. Ata komunikonin mes letrave të rralla dhe fjalëve. I vetmi person që e takoi ishte Lejla Ulqinaku, vajza e motrës së saj.
Ditari
Ka ruajtur për vite me radhë, ditarin e shkruar nga i shoqi i saj, Jup Kazazi kur ishte në mal. E mbante fshehur dhe e ruante si sytë e ballit, sa herë që dhoma e vogël e tyre, ku jetonin të tre pas vetëvrasjes së burrit të shtëpisë, bastisej nga
sigurimi. E ruante jo vetëm se aty kishte hedhur shënime bashkëshorti i saj, por
nëse do të gjendej, shumë nga njerëzit do vuanin pasojat. Edhe pse në ditar kishte sigla, mund të gjendeshin vendet e rrjedhimisht njerëzit.
Hamzai, djali i Jup Kazazit kujton: Nana ma diftoj ditarin kur bana 17 vjet, e më paralajmëroi se sido të vinte puna unë nuk disha gja. Nana nisi me më
tregu hollsi e ngjarje, zhvillimin e tyne, spjegimet e më foli gjansisht për babën
...Ditari fillon me 25 nëntor dhe shkruan se erdhi në shtëpi Salvator Kurti e
lajmëron që Jupi me të katër vëllëzërit janë denuar me vdekje nga partia komuniste.
Kështu për herë të tretë u detyruan të dalin në mal, por këtë herë ishte ndryshe, ata merrnin pushkën në krah e iknin nga vllaznit shqiptare. Nana thoshte shumë herë që bahen edhe gabime në çdo luftë e po thona se i denuen vllaznit
Kazazi, po me Hamidin, ma të voglin, që sapo kishte mbarue gjimnazin e s'ishte
përzi me asnji gja, çka kishin? , - kujton Zuku, ndërsa shpjegon se Hamidi priste
të mbaronte lufta e të kryente edhe ai studimet universitare si vëllezërit e tij.
I rrethuar nga komunistët, pas kryengritjes së parë antikomuniste të Postribës, Jup Kazazi vret veten më 17 shtator 1946.
Për Nasiben e dy fëmijët e vegjël nisën vitet e rënda të persekutimit e vuajtjeve.
Tmerri
Kazazëve iu grabit gjith çka kishin, nga mobiljet e deri te sendet zbukuruese, librat e dorëshkrimet. Bashkë me to, u sekuestrua libri i përkthyer nga Jup Kazazi, vepër e Tuçeviçit që fliste për Kosovën, e cila s'u botua, si dhe dorëshkrimi i një
studimi për organizimin e shtetit shqiptar kryesisht në ekonomi e financa.
Veç shtëpive në Shkodër iu sekuestrua e mor gjithçka edhe në shtëpinë që Jupi kishte në Tiranë, nga Hysni Kapo.
Nasibja me dy fëmijët mbetën tek shtëpia e nënës së saj, tek Bekteshët. Janë kopjet e letrave që nëpërmjet nji avokati, ajo kërkonte mobiljet e dhomës së
gjumit si pronë të sajën, si paja që sillte nusja e nji dhome gjumi të pahapun që kishte ble e motra Adile Boletini e lanë atje deri sa ta sillte në Shkodër. Këtë dhomë gjumi e mori Bedri Spahiu , - kujton i biri.
Sipas tij më vonë motrat e Qemal Stafës, të cilat ishin shoqe me Nasiben, i kishin thënë asaj se pse nuk i kishte çuar disa sende tek ato.
Ajo jetoi ditët kur erdhën në Shkodër një pjesë e krerëve të politikës shqiptare, kryesisht të Ballit, duke filluar prej Mithat Frashërit, Hasan Dostit, Ali Këlcyrës, Mentor Cokut... e Jupi iu organizoi ikjen me peshkarexhë e vetë nuk u largua.
Nana diftote se pati ngule kambë kryesisht e shoqja e Ali Këlcyrës e ju thoshte se ishin të rinj e të mos rrezikonin jetën, por të bajshin si ma të vjetrit, se për t'u kthye ishte kollaj , - kujton i biri i Jupit.
Enis Boletini, djali i motrës së Nasibes, në kujtimet e tij shkruante se ka qenë prezent kur dy serbo-malazezë të arratisur nga komunizmi i tyre iu drejtuan Jupit si i vetmi njeri që mund t'iu siguronte mjet për të ikur, por sërish ai qëndroi në Shqipëri, e jo pa qëllim, po për t'u bërë lideri i kryengritjes së parë antikomuniste në Evropë.
Pa fund
Të nesërmen e vrasjes së Jupit, Nasiben e thërrasin te shefi i Sigurimit, Zoi Themeli, i njohur si i tmerrshëm e kriminel i pamëshirshëm, sidomos ndër ato vite në Shkodër. Ai i komunikoi zyrtarisht vdekjen e të shoqit. Ju po vritni njerzit ma
patriotë e ma të mirë që ka Shqipnia. Ju s'dini çka po bani , - bërtiti me kurajë gruaja e mjerë së cilës iu desh ta çonte jetën vetëm, rrethuar nga vuajtjet e persekutimi. Në atë moment oficerët Dul Rrjolli e Dulaq Lekiqi, iu vërsulën që
ta godisnin e ta burgosnin, por për çudi, tregonte më vonë Nasibja, shefi i ndaloi duke iu thënë që ta linin, se ajo nuk dinte çfarë thoshte sepse sapo i kishte vdekur i shoqi. Dhimbja e nënës së re ishte e madhe. Kishte dy fëmijë për të rritur, e kunetërit në burg për t'i çuar ndonjë shportë me ushqime. Ishin të famshme shportat e burgut për shumë e shumë familje shkodrane e të krahinës. Ajo përgatiste shportat për të kunetërit, Zenelin e Hamidin që në fillim ishin në
Shkodër; Zeneli, në spital të burgut i plagosur. Përveç tyre edhe shtëpia e Bekteshëve çonte shportat për të motrën e saj Adile Boletinin, që bëri pesë vjet burg e akuzuar për bashkëpunim me Jupin e të vëllait Teofikut që edhe ai me të
njëjtën akuzë bëri pesë vjet dhe më vonë edhe internim. Nasibja kishte kurajën
të komunikonte me të motrën dhe mënyra që kishte gjetur ishte e rrallë, përmes ibrikut ose tenxheres së zinkut e emaluar. Atë që s'mund ta shkruante
në letra, e bënte në fundin e tenxheres të cilën më pas e zhyste në hi, që të dukej si e palarë. Kur e motra doli nga burgu i thoshte se guximi i saj e mbajti të lidhur me atë çfarë ndodhte jashtë, atë që ishte e ndaluar në burg. Ajo më pas
tregonte se prej grave iu shkonte informacioni edhe burrave që ishin sipër, të
cilët kishin bërë në dysheme një brimë të vogël sa të kalonte një tub i vogël letre më i hollë se një cigare. Sibja vetë shpëtoi disa herë nga internimi, e kjo falë
raporteve mjekësore të doktor Shirokës, mik i vjetër i familjes. Ajo vërtet kishte nevojë për një ndërhyrje kirurgjikale, por raportet ishin që ajo të mos lëvizte nga vendi.
Isha pesë vjeç por nuk më shlyhet prej kujtese kur nanën deshtën me e çu
peshë ata të sigurimit me gjith dyshek edhe filluen ta çojnë. Por mbas pak, oficeri u tremb e tha që ta lejshin se mos ju mbeste në dorë. Mbas pak vjetësh e pati ba
me të vërtetë operacionin, në Tiranë te Doktor Shiroka , - kujton Hamza Kazazi. Sipas tij, edhe për këtë ndërhyrje dyshuan në Shkodër dhe e çuan nënën e tij para komisionit për të verifikuar nëse ishte operuar apo jo.
Propozimi
Më asht ngulitë në kujtesë edhe pse isha i vogël. Isha bashkë me nanën dhe në rrugë takojmë nji zojë që e njifshim e qe edhe asaj i kishin pushkatue të shoqin. Ajo, mbas muhabeteve të zakonëshme, i drejtohet nanës: Moj zoje,
pse nuk ban si unë që bana ndamjen (formale) me burrin mbas vdekjes, e më
kanë vue në punë mësuese. Edhe ty me mbiemnin tand e edhe prej emnit të vllait, të marrin në punë mësuese si mue . Nana ime ju përgjegj: Zoje, mos ma
merr për të keq, por unë, me burrin që kam pasë e kam dashtë aq shumë për së gjallit, e nuk mund ta baj kurrë që ta ndaj mbas vdekjes. Pranoj çdo vuejtje e persekutim e jam e sigurt që do të kemi. Edhe ty të justifikoj e të kuptoj, se e ke ba për fmijet e jo për vedi, por unë e gjykoj kështu , - kujton Zuku. Nasibja nisi punë si mësuese vizatimi, e siç kujtojnë fëmijët e saj, kur diktatori do të vinte në Shkodër për kongresin e rinisë, rreth vitit 1948, asaj i dhanë të qëndiste një
flamur të madh kuq e zi, të cilin e bëri për 48 orë, por në këtë punë s'e lanë
shumë. Më pas i ngarkuari për të ngritur repartin e qëndisjes, e thirri sërish Nasiben dhe e emëroi teknike që krijonte modelet, por edhe këtu për biografi të
keqe e hoqën shpejt. Pas tyre nisën punët më të rënda për një grua. Punoi në fabrikën e tullave, por që gjithçka bëhej me dorë, e më pas në fermën e Rrënxit ku bënte tri orë rrugë në këmbë për të shkuar. Puna e fundit ishte
në zhugë në hyrje të Shkodrës, poshtë kalasë. Bëhej tjerrja e zhugës, në
këmbë, në lagështirë e në prezencë avujsh sode kaustike. Kur djali dhe vajza e saj nisën punë, nuk e lanë më të punojë.
Kujtime fëmijësh
Vëllai i Nasibes, profesor Selahedin Bekteshi ishte në Tiranë. Sipas shumë të njohurve në Shkodër, ata thonë se ai përve meritës si mjek, shkencëtar dhe humanist, pati meritën e kurajën që mbajti në shtëpi vajzën e Jup Kazazit
Lirien, përpos presionit të vazhdueshëm që i bënin autoritetet e larta.
Zuku ndërkaq rrinte me të ëmën. Një fëmijëri zhgënjyese, ëndrra të prera në mes, e më vonë të vrara e copëtuara. Kur isha 8 a 9 vjeç, si nxanës i mirë,
shkolla më kishte vue në listë për dy javë në kampin e fmijve të Shirokës. Duke hypë në nji kamjon të mbuluem, thirrën emnin tim. Ishte shoku i bashkimeve professionale . Prej mbiemnit, më pyet se i kujt isha, e mbasi thash emnin e
babës, më zbriti poshte e më tha se nuk do shkojsha , kujton Hamzai apo Zuku si çe thërrasin miqtë pas kaq shumë vitesh. Ai ishte vetëm 9 vjeç dhe nuk e kuptonte se pse e zbritën sa tha emrin e të atit, ndërsa e ëma e mjerë e
ngushëllonte: Mos u mërzit djalë, se ka Zot e asht i madh. Kush ban keq e paguen. Ai njeri bani nji faj të madh . Sipas historive që tregojnë vetëm pak kohë më pas, shokun e bashkimeve profesionale e futën në burg për vjedhje.
Djali i vogël nisi të mësohej me harbutërinë që e ndiqte thuajse kudo. Kur ishte 16 vjeç e pasi kishte studiuar violinë për 5 vjet në shtëpinë e kulturës, drejtori i sapo emëruar Rrustem Sykja në bazë të luftës së klasave e përjashton të riun,
si djalin e Jup Kazazit. Ashtu, një ditë me bukë e një ditë jo, duke ja lënë vetes mangët e duke i çuar për 18 vjet radhazi ushqime kunetërve në burgun e Burrelit, e lodhur nga punët e rënda e sfilitëse, me shpirtin e dërrmuar nga fati që iu
përplas vrullshëm në jetë, me përpjekjet për t'u dhënë fëmijëve të saj më të
mirën, e për t'iu mësuar të ndjeheshin krenarë për babanë që kishin, Nasibe Kazazi ndërroi jetë më 9 mars 1982 në moshën 67 vjeçare me
atak kardiak. Sot e kësaj dite kur Liria dhe Zuku kur kujtojnë të ëmën, mbushin sytë me lot e preken thellë dhe, me zërin e mekur nga lotët që përtypin, mundin vetëm të thonë; Ajo ishte nji grue e madhe.
Krijoni Kontakt