Korçë, palestra prish varrezën e 100 klerikëve
Zbulim tronditës gjatë punimeve. Pezullohen punimet. At Kotnani: Kemi fakte
Gërmimet për ngritjen e një palestre për shkollën kanë zbuluar eshtrat e 100 dhespotëve dhe kanë vënë në alarm Kishën Ortodokse në Korçë. Të gjendur përpara një fakti të tillë, kryetari i bashkisë ka kërkuar dhe pezullimin e punimeve si dhe zhvendosjen e palestrës për në një vend tjetër. Alarmi është vënë kur nga gërmimet e ekskavatorëve kanë dalë në sipërfaqe disa eshtra. Ndërsa punëtorët e firmës nuk kanë treguar asgjë nëse kanë konstatuar diçka të dyshimtë gjatë punës, apo të kenë parë eshtra në gropat ku po punojnë në thellësi. Ka qenë ky momenti dhe dëmtimi i një pllake varri, që ka bërë që Kisha Ortodokse të shqetësohet kur nga dokumentet e vjetra por dhe të dhënat e saj në atë vend, janë të varrosur plot 100 dhespotë. Për këtë, në ndihmë të klerit kanë ardhur jo vetëm dokumentet, por edhe historianët dhe qytetarët e vjetër korçarë, të cilët mbajnë mend se këtu edhe 20 vjet më parë, gjatë sistemit komunist kur janë kryer punime, janë gjetur eshtra.
Të paktën 100 varre të dhespotëve në Korçë, siç pretendohet nga ana e kishës të cilat ndodhen në oborrin e një shkolle në territorin afër Mitropolisë dhe katedrales së dikurshme "Burimi Jetdhënës", janë kthyer në problemin kryesor të Kishës Ortodokse dhe bashkisë së qytetit. "Nuk është e vërtetë që nga gërmimet e deritanishme të kenë dalë eshtra. Këtë e thonë vetëm banorët e zonës, sipas të cilëve madje kanë parë edhe një qen që mbante një kockë. Këto janë thjesht hipoteza dhe duhet që të shikojmë nga afër edhe dokumentet e vjetra të kishës", thotë drejtuesja e firmës "Konstruksion 93", Lida Kushe.
Punimet nisën vetëm pak kohë më parë, por vetëm kur mjetet e rënda i janë afruar me gërmime vendit ku ka qenë një godinë e shkatërruar më parë që përdorej si palestër, atëherë është konstatuar se këto gërmime po cenojnë atë që fshihet nën tokë. Kjo situatë ka gjetur në befasi edhe vetë Bashkinë e Korçës, e cila është vënë para faktit se 600 vjet më parë, aty ku ndodhet palestra, ka qenë kisha e Shën Harallambit, ndërsa poshtë saj janë vendosur eshtra të dhespotëve. Varret që mendohet se janë në thellësi sipas Kishës Ortodokse nuk duhet të preken, edhe pse kleri nuk është kundër arsimimit të fëmijëve dhe krijimit të ambienteve sportive për ta. Por kur eshtrat janë zbuluar gjatë gërmimeve që po kryhen për ndërtimin e palestrës në shkollën "Sevasti Qiriazi", jo shumë larg Mitropolisë, kjo ka bërë që përfaqësuesit të marrin një takim urgjent në bashkinë e qytetit për të ndërprerë sa më parë punimet. At Ilia Kotnani, me një skicë të vjetër dhe fotografitë e kishës së dikurshme të ndërtuar 600 vjet më parë dhe të shkatërruar më pas për qëllime të regjimit komunist, ka bërë të ditur para kreut të bashkisë se edhe pse territori është pronë që i është njohur tashmë kishës, kjo e fundit nuk është kundër aktivitetit të shkollës dhe arsimit, por të gjendet një mënyrë për të shmangur punimet në vendin ku prehen eshtrat e dhespotëve. Ndërsa nga ana e tij kleri ortodoks ka reaguar menjëherë se nga punimet në këtë vend janë dëmtuar varret që ndodhen thellë nën tokë. Në një takim që ka zgjatur për 2 orë me kryetarin e bashkisë janë diskutuar të gjitha mundësitë që të mos ndërpritet investimi për shkollën, por nga ana tjetër të respektohet edhe komunitetit fetar dhe kulti.
At Ilia Kotnani: Kemi dokumente që aty ndodhen varret e klerikëve
At Ilia Kotnani është shprehur se dëmtimi i varreve dhe nxjerrja e eshtrave ka bërë që të paktën tetë familje që aktualisht ndodhen larg, të interesohen se ç‘po ndodh me varret e klerikëve të vjetër. Sipas tij, vendi ku ndodhej palestra ka qenë pjesë e katedrales, ndërsa aty ka qenë e vendosur kisha e Shën Harallambit, e njëjtë me atë të zonës së Vithkuqit, ku gjenden eshtra të klerikëve edhe sot e kësaj dite. "Kisha Ortodokse kërkon të gjejë një mirëkuptim që në vendin ku ndodhen varret masive të dhespotëve të mos kryhen më punime, pasi kjo cenon thesarin e pasur të historisë dhe trashëgimisë së kultit fetar, por edhe vetë botën shpirtërore. Ne si përfaqësues të kishës nuk mund të jemi kurrë kundër arsimimit të fëmijëve. Edhe pse kishës i janë njohur pronat, ne nuk kërkojmë që shkolla të mos përdoret për qëllime të arsimit, edhe pse ajo në fakt është një dhuratë që i është bërë Mitropolisë së Shenjtë. Ajo që na shqetëson më shumë është se nga gërmimet dhe punimet kanë dalë eshtra të dhespotëve. Për këtë jemi njoftuar fillimisht nga banorë të zonës përreth, të cilët sapo kanë dëgjuar se janë gjetur eshtra kanë sinjalizuar menjëherë klerin e Mitropolisë. Për këtë ne kërkojmë të ndërhyhet sa më parë dhe të gjendet një zgjidhje e përbashkët për të mos dëmtuar për hir të ndërtimit të palestrës për shkollën varret e vjetra. Kisha është ndërtuar 600 vjet më parë dhe nën themelet e saj janë të vendosura edhe eshtrat dhe varret e mitropolitëve", ka thënë At Ilia Kotnani. Një përfaqësi prej shtatë vetash, midis të cilëve edhe historianë dhe profesorë të universitetit, që i janë bashkuar klerit ortodoks, kanë kërkuar që të ndërpriten sa më parë punimet, pasi aty qëndron e groposur një pjesë e rëndësishme e historisë. At Ilia Kotnani ka hedhur edhe idenë se ky territor që i është njohur si pronë Kishës Ortodokse mund të përdoret për qëllimet e saj. Një nga idetë e hedhura ka qenë për të zbuluar varrezën masive e për ta kthyer në një muze, ose në të kundërt ndërtimi mbi këto eshtra të realizohet për t‘u përdorur përkohësisht nga shkolla në akord me Mitropolinë dhe bashkinë, deri në gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare se çdo të bëhet më tej me këtë vend që më parë ka qenë i shenjtë dhe si do të përshtatet një ambient për fëmijët. Në rast të kundërt, ndërtimet në këtë vend të kryhen nga ana e Mitropolisë me fonde të saj për një qëllim të caktuar në akord me bashkinë. "Ky territor që është në pronë të kishës mund të përdoret për qëllimet e saj, pasi kisha është administratore. Këtu ose të lihen varrezat që janë pjesë e rëndësishme e botës shpirtërore dhe historisë dhe të studiohet madje edhe nga aspekti arkeologjik, ose të kryhet një ndërtim që nuk cenon pjesën e themeleve të vjetra ku prehen eshtrat", ka thënë Kotnani. Sipas përfaqësuesve të klerit që kanë kërkuar të ndërpriten menjëherë punimet, gjatë këtyre ditëve të fundit janë nxjerrë dhe dëmtuar një pjesë e eshtrave të dhespotëve, gjë që ka ndodhur në fakt edhe vite më parë, kur me mbylljen e kishave fillimisht ndërtesa u përdor si depo e më pas u vu në dispozicion të arsimit për të funksionuar si palestër për fëmijët. "Këtu edhe vite më parë janë zbuluar eshtra. Por në një kohë kur tani sistemet dhe koha kanë ndryshuar me zhvillimet e tyre dhe kishës i janë njohur të drejtat e saj, nuk mund të lejojmë të kryhet një masakër e dytë me vendet e kultit". Sipas At Ilia Kotnanit, në vendin ku po ndërtohet palestra që është pronë e kishës dhe ku ka ekzistuar 600 vjet më parë kisha e Shën Harallambit, banorët kanë treguar se janë gjetur sërish eshtra.
Arben Gjata: Varrezat i përkasin shekullit XV
"Këtu ka qenë varrezë nga vitet 1490-1800". Një nga studiuesit e historisë Arben Gjata që ka qenë i pranishëm në ndërmjetësimin me bashkinë për të ndërprerë punimet deklaron se ekzistenca e varreve është një fakt. "Është më se e vërtetë se këtu ka ekzistuar kisha e Shën Harallambit. Kjo kishë është ndërtuar në shekullin e 15 dhe madje nga dokumentet ka dhe fakte historike, jo vetëm fotografi të kishës së dikurshme, por edhe të arkitektëve të saj. Varrezat e dhespotëve ndodhen poshtë kishës së dikurshme. Kisha u shkatërrua dhe më pas në vitet ‘70 u kthye fillimisht në depo. Pak vite më vonë godina që i ishte dhuruar kishës u kthye në shkollë dhe mbante emrin "7 Nëntori".
PS. Ne pusin e kishes se Shen Harallambit, ka predikuar vet Shen Kozmai.
gazeta-shqip
Krijoni Kontakt