Agjenti 91-vjeçar i CIA: Misioni për të rrëzuar Hoxhën
Madhesia e germave:
Rrëfimi i Rexhë Berishës nga Peja, për jetën si diversant në malet e Shqipërisë. Pas 53 vjetësh në “harresë”, CIA e dekoron dhe e shpërblen me 35 mijë dollarë

KOSOVË - Kishte 53 vjet që Rexhë Berisha nuk mbante më kontakte me CIA-n. Ata e përgatitën bashkë me shumë shqiptarë të tjerë në Rohrbah të Gjermanisë, për ta desantuar si diversant në Shqipëri, në luftën kundër komunizmit, e si misioni dështoi: Rexha “u harrua”. Për vetë Berishën, gjithë sa kishte ndodhur ishte vetëm një aventurë e hershme që mund t’ua tregonte miqve që bujtnin në fermën e tij në Novosellë të Pejës. Por 5 vjet pasi lufta e Kosovës kishte mbaruar dhe Rexha ende nuk kishte ngritur dot në këmbë shtëpinë e djegur nga paramilitarët, iu desh të priste në oborrin e banesës disa nga njerëzit më të rëndësishëm të Kosovës, përfshi Hashim Thaçin e Agim Çekun dhe 7 amerikanë, të gjithë përfaqësues të CIA-s. Njerëzit e Shërbimeve Sekrete kishin sjellë me vete një dekoratë dhe 35 mijë dollarë si shpërblim për kohën që Rexha i shërbeu CIA-s.

“Me paret e tyre ndërtuam shtëpinë”, - tregon Rexha, sot 91 vjeç, i ulur në divanin e ri të banesës njëkatëshe të ngritur në themelet e të parës. Ai është një burrë i ngeshëm dhe nuk përton të fillojë të tregojë nga e para historinë që e bëri agjent të CIA-s, edhe pse ndër vite i ka humbur ca kujtime. Fillimisht ai u angazhua me forcat nacionaliste gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ishte ushtar i Ballit Kombëtar, ku aderon edhe sot dhe humbja e këtij të fundit para komunistëve Jugosllavë në Kosovë e akuzat për bashkëpunim me pushtuesit, e detyruan Rexhën bashkë me 50 të tjerë që të arratiseshin përmes Kosovës e Maqedonisë për në Greqi. 91-vjeçari kujton se kanë ecur për 23 ditë. Gjatë rrugës kanë rënë në pritë dhe disa nga njerëzit që kishin me vete janë vrarë, por në fund janë strehuar në një kamp refugjatësh të aleatëve në Greqi.

Rexha thotë se në Greqi kishte shumë shqiptarë të arratisur asokohe, pas ardhjes në fuqi të komunizmit. Ai mban mend se në kampin ku ka qëndruar, ndodheshin Abaz Ermenji, Alush Leshanaku, Isuf Luma e mjaft të tjerë, që shpejt do të ishin pjesë e komitetit “Shqipëria e Lirë”, organizmi që në bashkëpunim me CIA-n dhe Mi6-ën do të organizonte grupet e diversantëve për në Shqipëri. Në këtë kohë, kujton Rexha, i transferojnë prej Greqie në Bari të Italisë dhe këtu mësojnë për misionin që do t’u besohej. Nga Bari transferohen në Banjola dhe më pas në Rohrbah, ku ndodheshin zyrat e të ashtuquajturës “Labore Service”. Në Gjermani i kanë veshur ushtarë. “Na jepnin 275 marka për një muaj”, - kujton Rexha, ndërsa qesh se paratë që merrte, nuk dinte ku t’i shpenzonte dhe e vetmja gjë që kishte blerë gjatë më shumë se dy vjetëve që u përgatit për desantim, ishte një biçikletë prej 25 markash. “Kur isha civil i hipja biçikletës dhe u endsha”, - tregon ai, duke bërë me dorë andej-këndej.

Në Gjermani kanë mësuar thuajse gjithçka që do u duhej për të mbijetuar në mal. Nga përleshja trup me trup, qitjen me armë e propagandimin, arsyen për të cilën po i dërgonin në malet e Shqipërisë etj. Rexha kujton një oficer amerikan me një sy artificial. Të tjerët nuk kanë pasur emra dhe 91-vjeçari thotë se të gjithë kishin emra të rremë.

Në kohën kur ka përfunduar stërvitja, Rexhë Berisha është desantuar në Shqipëri. “Ishim katër veta në grup”, - kujton ai. Desantimi është kryer diku në mes të nëntorit të vitit 1949 dhe bashkë me Berishën janë hedhur në malësinë e Tropojës edhe Halil Nerguti e Ramadan Cena nga Kukësi dhe Miftar Maloku nga Prizreni. Pak ditë para tyre ishte hedhur një grup tjetër, ndërsa më parë, disa misione kishin dështuar dhe diversantët ishin zënë robër, por as CIA, as Mi6 nuk e kishin kuptuar këtë. Njerëzit e Sigurimit, të ndihmuar edhe nga specialistë rusë, organizuan të ashtuquajturën “Radio Loja”, që çoi drejt eliminimit të pjesës më të madhe të diversantëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre, që shpesh dorëzoheshin drejt e në duart e sigurimit.

Rexha kujton se ata ishin të përgatitur të luftonin kundër partisë. “Ishim të armatos mirë, me radio, automat (automatik) dhe pajisje të tjera”, - kujton 91-vjeçari. Por pasi ishin hedhur, ai dhe miqtë e tij e kishin kuptuar se, pavarësisht armëve, nuk do të mund të bënin shumë. Rexha thotë se ishte fati i tyre që piloti gaboi gjatë desantimit dhe në vend që të hidheshin në zonën e parashikuar, ata u hodhën disa kilometra më tutje. Kjo u shpëtoi atyre jetën. “Ne na lëshuan në mal gabimisht. Po të na kishin lëshuar në vendin e vendosur, do të ishim vra, se këta (forcat e ndjekjes) ishin të lajmëruar nga Filbi dhe na prisnin aty”, - thotë Rexha. Ai kujton se mjaft prej shokëve ishin vrarë nga Sigurimi, ndërsa hidheshin me parashuta, pa qenë në gjendje as të zbrisnin në tokë.

Për dy vjet me radhë, prej kësaj kohe ai dhe tre shokët e tij të grupit janë endur në malet e Shqipërisë. Ka qenë një kohë e vështirë me forcat e ndjekjes së bandave të krijuara nga Sigurimi i Shtetit pas shpinës. Sidoqoftë, shpejt ata e panë të pamundur të vepronin. Florinjtë që CIA u kishte dhënë me vete, nuk mund të shkëmbeheshin. Rexha thotë se në Veri kishin pak baza. Pjesa më e madhe ishin njerëz të afërm të tyre, që i ndihmonin me bukë. “Halil Nerguti që ishte i Kukësit, - kujton Rexha, - i ka pas do çika të vllaut, se vllaun ia kishin internue e ato çikat na bijshim bukë”. Po ashtu, Miftar Maloku kishte një njeri që i furnizonte herë pas here me gazeta dhe ushqime, por atë e zbuluan dhe e vranë.

“Shumë u vranë”, - tregon Rexhë Berisha. Ai dhe kolegët e tij si kishin mësuar tradhtinë, e panë se ajo që u kërkohej ishte e pamundur. “Nuk mujshim me e ba atë punë që u donte, a e di..., se i kishte pas do 65 mijë ushtarë Enver Hoxha”, - rrëfehet ai. Grupi i tij, pasi kishte jetuar për dy vjet në shpellat e malësisë së Hasit, vendosi të kalojë në Kosovë. Në fakt, para se t’i desantonin, oficerët amerikanë u kishin thënë që, nëse kapeshin në Jugosllavinë e Titos, atëherë e hapur me Perëndimin dhe gjithashtu e interesuar në rrëzimin e regjimit të Hoxhës, do të mund të shpëtoheshin. “Na kishin thënë se po të na kapshin në Shqipëri, kishin me na myt, por po të kapeshim në Jugosllavi, do na shpëtojshin”,- kujton Rexha. Ai tregon historinë e 12 kolegëve të tij, të cilët pasi ranë në përplasje me forcat e ndjekjes, u detyruan, pasi mbaruan municionet, të përtypnin pilulat që mbanin me vete dhe të vetëvriteshin.

Të pamundur për të qëndruar ende në mal bashkë me treshen e grupit, ata kalojnë kufirin për në Kosovë. Gjatë kohës që i duhej të rrinte i arratisur në mal, Rexha mban mend që kishte shkuar edhe dy herë të tjera deri në shtëpinë e tij në Pejë, por vetëm natën. Fillimisht ata futen në Prizren, por pas pak kohësh njeriu që i kishte strehuar u thotë se duhej të iknin prej andej. Ai u mundëson të udhëtonin deri në Çaçak të Serbisë. Vendi ku strehohen është shtëpia e një çifti të moshuarish në qytezë. Aty, kujton Rexha, kanë qëndruar për afro një vit. Çiftit i jepnin para dhe ai i mbante me ushqime. Çaçaku kishte qëlluar qytezë e pasur dhe Rexha thotë se nuk i mungonte asgjë. Në zonë nuk i njihte njeri dhe ata ishin paraqitur me emra të rremë, si emigrantë nga Shqipëria. “Emrin e kam pas Jakup Zogu dhe banesën numër 49 në Tiranë”, - kujton Rexha.

Qëndrimi aty, sidoqoftë, u është mërzitur një ditë. Atëherë, pasi lajmëruan qendrën, vendosën të kthehen në Shqipëri. Mirëpo shërbimet jugosllave i kishin diktuar. Ata i ndalojnë në rrugën për në stacionin e trenit dhe Rexha, bashkë me tre shokët e tij, përfundojnë në burg. Qëndrojnë në qeli për një vit. “As shkjau mos raftë në qeli”, - thotë 91-vjeçari. CIA kupton situatën e tyre dhe ndërhyn tek autoritetet jugosllave, dhe Rexha bashkë me pjesën tjetër të grupit lirohen. Prej asaj kohe, ai thotë se ka ndenjur në shtëpinë e tij dhe është marrë me punë të bujqësisë, derisa lufta filloi sërish dhe paramilitarët i dogjën shtëpinë...

Dy gjëra thotë që nuk i duron dot: “Partinë” dhe “Shkjaun”. Ai tregon se kur ka ikur për herë të parë nga shtëpia, në ‘43-in, shkoi të luftonte kundër partisë (komunistëve) në Malin e Zi. Tregon se e njeh me pëllëmbë atë vend. Fillimisht i angazhuar si xhandar në forcat që vendosën të bashkëpunojnë me Italinë dhe Gjermaninë, duke besuar se kjo do të bashkonte edhe Shqipërinë me Kosovën, Rexha luftoi kundër partizanëve jugosllavë. “Ushtria jonë u prish, se humbi Italia dhe e mori partizani”, - kujton Rexha. Për Rexhën, arsyeja e vetme që iu desh të dilte në mal, ishte partia. “I kanë vra do djem, mo të mirët i kanë vra”, - thotë Rexha, duke akuzuar komunistët e Titos dhe ata të Shqipërisë.

Ende sot, pas shumë vitesh, kur komunistët janë rrëzuar, Rexha nuk gjen armiq më të mëdhenj. “Edhe nëna me m’konë në parti, nuk e du”, - thotë Rexha. Madje, me të qeshur na thotë se në Shqipëri ka ende shumë komunistë, por vendin do që ta vizitojë të paktën edhe një herë.

Në të ri të vet, Rexha, një burrë i pashëm me mustaqe, i lidhur në mes me gjerdan fishekësh, nuk e kishte të vështirë të luftonte edhe kundër shumë armiqve. Ndërsa tregon historinë e tij, Rexha herë-herë ndalet edhe për të rrëfyer pritat në të cilat grupi apo ai vetë kishte rënë. Të paktën tri herë kujton të ketë qenë i rrethuar dhe në të tria herët ka mbetur gjallë, pasi kanë luftuar për orë të tëra. “Një herë ramë në pritë në Prizren. Ishim në një shpellë. Dëbora ishte deri në mes. Luftuam ashtu... 13 i varruem dhe 6 i zum rob”, rrëfehet ai për një pritë të dështuar të partizanëve jugosllavë. Mirëpo kur i kishte kaluar të 80-at, Rexha nuk mund të bënte më rezistenca të tilla. Kështu, kur paramilitarët erdhën për t’i djegur shtëpinë, burri që ishte ndeshur aq shpesh në male, mundi të shpëtonte vetëm falë ndihmës së një malazezi që e kishte komshi. Por shtëpinë ia dogjën bashkë me dokumentet dhe një pjesë të historisë së tij të malit. Tamam në këtë kohë, amerikanët kujtohen për të. Ata shkojnë ta kërkojnë dhe pasi e gjejnë, e dekorojnë dhe i japin shpërblimin që i takonte për luftën kundër komunizmit.

(Vijon nesër)

gazeta korrieri www.korrieri.com