VLORË - Rasti i 22-vjeçares që vdiq dje në Vlorë, shihet si i rrezikshëm pasi ajo mund të ketë pasur një virus vdekjeprurës që mund të kapë edhe persona ë tjerë. Alarmi hidhet nda Drejtori i Spitalit të Vlorës, Luter Nuraj. Ai ka kërkuar që të bëhet një studim shkencor për këtë vdekje pasi pacientja mund të ketë qenë mbartëse e ndonjë virusi të tmerrshëm.


Një ditë pas vdekjes së saj, ekspertiza nuk ka nxjerrë asnjë të re. Thjesht është konfirmuar ajo që thanë mjekët e infektivit të Vlorës se vdekja erdhi pas një gjendje afebrile.
Gjithsesi organet e saj janë marrë sot për ekzaminim nga specialistë të mjekësisë ligjore në Tiranë, nga ku do të dalë edhe përgjigja e saktë mbi shkakun e vdekjes. Pra do të bëhet biopsia, rezultati i së cilës del për dy javë..


Ndërkohë drejtori i Spitalit të Vlorës, Nuraj në një prononcim për mediat u shpreh se "ajo duhet bërë objekt i një studimi shkencor, për ti paraprirë ndonjë virozë të mundshme, për të cilën nuk përjashtohen gjasat që nesër të shtrihet te pacientë të tjerë".


Ne u interesuam edhe në Prokurorinë e Vlorës, ku na thanë se nuk ka denoncim të familjarëve, por ky i fundit ndodhet në komisariatit të Vlorës dhe pritet që dokumentacioni më pas të përcillet në prokurori. Kjo ka bërë që të nisin edhe hapat e ekspertimit të thelluar mjeko-ligjor.

Bashkëshorti i 22-vjeçares Rajmonda Bleta ka akuzuar mjekët se nuk vepruan në kohë si dhe nuk i dhanë ndihmën e duhur nuses së tij. 22 vjeçarja pushoi së jetuari teksa mjekohej në repartin e Infektivit të Vlorës, ku u paraqit me temperaturë të lartë. Kohë më parë ajo kishte kryer edhe një abort si dhe ishte mjekuar për bajame. Por ende nuk dihet se kush është shkaktari i vërtetë i vdekjes.

ANILA PECI

Shekulli online