PRISHTINË/FERIZAJ,24 SHKURT 2009(VushtrriaPRESS)-Ministrja e Drejtësisë,Nekibe Kelmendi e shoqëruar nga zëvendësministri i Drejtësisë, Arsim Janova pritën në një takim kryetarin e Komunës së Ferizajit, Bajrush Xhemaili me bashkëpunëtorë. Në këtë takim u bisedua rreth kërkesës së Ministrisë së Drejtësisë drejtuar Komunës së Ferizajit për ndarjen e një lokacioni për ndërtimin e objektit të Prokurorisë Publike të Ferizajit, në të cilin do të vendoseshin edhe disa zyra të Shërbimi Sprovues dhe të Departamentit për Qasje në Drejtësi, të cilat funksionojnë në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë. Kryetari i Komunës së Ferizajit, Bajrush Xhemaili e njoftoi Ministren Kelmendi se komuna është përcaktuar për ndarjen e një lokacioni me sipërfaqe 20 ari për realizimin e këtij projekti. Ministrja e Drejtësisë,Nekibe Kelmendi fillimisht e falënderoi kryetarin Xhemaili që i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së Ministrisë së Drejtësisë dhe ka ndarë një hapësirë e cila i plotëson kushtet për ndërtimin e objektit të Prokurorisë Publike të Ferizajit. Të dyja palët vlerësuan si shumë të rëndësishëm për sistemin e drejtësisë, ndërtimin e objektit të ri të Prokurorisë Publike të Ferizajit. Realizimin e këtij projekti do ta financoj Ministria e Drejtësisë përmes programit të IPAS për vitin 2009, e cila është e angazhuar të krijoj hapësira dhe kushte të mira të punës për të gjitha prokuroritë e Kosovës, thuhet në një komunikatë të Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Kosovës.
VushtrriaPRESS
www.vushtrriapress.shqipo.com
Krijoni Kontakt