Aleksandër Frangaj grabit tokën e familjes Hysa në Kinostudio
Pak para përleshjeve të djeshme në Akademinë e filmit “Marubi” kanë protestuar ish-pronarët. Familja Hysa në Tiranë pretendon se qeveria i ka dhënë sipërfaqen prej 165 mijë metrash katrorë një televizioni pranë saj.
Po ndërsa Akademia “Marubi” po largohet më forcë nga ambientet e saj, vetëm pak metra më tej po zaptohet prona e familjes Hysa. Në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme përfaqësues të pronarëve të 165 mijë metrave katrorë në zonën e ish- Kinostudios i kujtojnë kryeministrit Berisha, si dhe ministrit Pango se janë ata zotët e këtij territori. Sipas familjarëve, qeveria i ka dhënë ambiente televizionit TV “Klan” për të zhvilluar biznesin e tyre. Gjatë një prononcimi për televizionin “News24”, pronarët u shprehën: “Jemi të gjithë pjesëtarë të familjes Hysa, të cilëve na përket kjo pronë prej 165 mijë metrash katrorë e njohur dhe nga Gjykata e Lartë. I themi zotit Ylli Pango se kjo nuk është tokë pa pronarë, por është tokë me pronarë të ligjshëm. Dhe larg duart nga prona jonë. Nuk mund t’i japësh një ndërtesë që na takon neve televizionit “Klan” apo kushdo qoftë ai. Apo andej mbrapa është një tjetër e kështu me radhë. I themi zotit Berisha se këtu po ndodh një katrahurë dhe ne po na dhunojnë pronën në mënyrën më të paturpshme. Nuk e dimë se nga kush na vjen, por i themi zotit kryeministër të vërë dorë mbi pronën tonë dhe hakun ta çojë tek i zoti, ashtu siç i takon.”
Familja Hysa prej vitesh sorollatet në seanca gjyqësore, derisa më në fund ka fituar të drejtën e pronësisë mbi 165 mijë metra katrorë në zonën e ish- Kinostudios, por që me akomodimin e disa medieve atje nuk ka gjasa që ta marrë. Ministri Pango pretendon se akademia “Marubi” nuk ka paguar qira për ambientet në përdorim, ndërkohë që pronësia mbi këtë tokë nuk është publike, por private. Në ambientet e ish-Kinostudios janë akomoduar dhe një sërë mediesh të tjera, kryesisht të pozicionuara pranë qeverisë, ndërkohë që ditët e fundit ka nisur një konflikt me Akademinë e Filmit “Marubi”. Qeveria pretendon se kjo e fundit ka marrë në pronësi më shumë metra katrorë se sa i takojnë dhe ka bërë të mundur nxjerrjen jashtë të saj. Nga ana tjetër, tashmë rezulton se dhe televizionet e akomoduara atje, që pretendohen se janë vendosur në ambiente shtetërore, janë vendosur në tokë me ish-pronarë, të cilëve nuk u është dhënë mundësia e privatizimit. Përfituesi më i madh në kinostudio është TV “Klan”, që zotërohet nga Aleksandër Frangaj
Gazeta Tema
Krijoni Kontakt