Greqi, radikalët kërcënojnë me vdekje gazetarët

Shpërthimi në degën "Citibank" të Athinës erdhi pa paralajmërime. Tani një grup guerilasish po kërcënon mediat

Mes frikës se Greqia mund të kthehet në qendër terrorizmi në Evropë, disa ekstremistë paralajmëruan se në shënjestër tashmë kanë gazetarët, pasi përfaqësojnë establishmentin e korruptuar politik. Në një deklaratë, ku merrte përsipër sulmin ndaj një televizioni privat para katër ditësh, grupi guerilas "Sekti i revolucionarëve" paralajmëroi se ishte gati të ndërmerrte një fushatë terrori. "Duke sulmuar televizionin po u dërgojmë një ultimatum të gjithë gazetarëve", thoshin militantët në një deklaratë, fillimisht e regjistruar në një CD dhe e publikuar më pas në të përditshme "Ta Nea".

Paralajmërimi, i paprecedentë për një shtet ku besohej se guerilet janë çrrënjosur prej kohësh, erdhi pasi ekspertët e antiterrorizmit intensifikuan kërkimet ndaj një grupi tjetër militantësh radikalë. Gjuetia e ndërmarrë pas një serie sulmesh në kryeqytetin grek, pasuan një apel të pazakontë nga ana e policisë për informacione mbi individët që qëndrojnë pas gueriljes urbane, që po kthehet në shqetësim së fundmi, duke qenë se Greqia është goditur nga një seri sulmesh serioze që prej fillimit të këtij viti.

Duke imituar grupet e skajit të majtë që terrorizuan Evropën e viteve shtatëdhjetë, guerilasit grekë kanë përdorur armët, granatat e dorës dhe lëndët shpërthyese për të goditur policinë, segmente të medias dhe ato që i konsiderojnë si simbole të kapitalizmit. Këto sulme arritën kulmin të mërkurën e javës së shkuar, me përpjekjen për të shpërthyer një makinë bombë pranë zyrave qendrore të "Citibank" në Athinë. Në rast se do të shpërthente, bomba 60 kilogramëshe mund të shkatërronte tërësisht ndërtesën katërkatëshe dhe të vriste qindra të pafajshëm.

Më pak se 24 orë më parë, dy njerëz me motor, të armatosur me armë zjarri, shtinë mbi një televizion privat dhe hodhën në ndërtesën e tij një bombë, e cila nuk arriti të shpërthente. Gëzhojat e plumbave të gjetura në skenën e ngjarjes qenë të njëjta me ato të përdorura dy javë më parë gjatë sulmit në një rajon policie, i cili gjithashtu u mor përsipër nga grupi "Sekti i revolucionarëve". Banda u shfaq për herë të parë përmes një tjetër regjistrimi në CD, e lënë prej guerilasve në varrin e adoleshentit të vrarë nga një polic gjatë dhjetorit të shkuar, ngjarje që u pasua nga trazira të forta në shtetin fqinj.

"Ky brez i ri guerilasish është tepër i rrezikshëm dhe tepër serioz", tha për të përditshmen britanike "The Guardian" Mihalis Krisohidis, ish-ministër Rendi në Greqi. "Për sa i përket dhunës, ata i bëjnë të duken guerilasit e ‘17 Nëntorit‘ (organizata e njohur terroriste që veproi në Greqi për rreth tri dekada) si engjëj të vegjël".

Ringjallja e terrorizmit ka ngjallur shumë frikë mes punonjësve grekë të forcave të rendit. Njëherësh duket se po kaq shumë frikë ka ngjallur edhe mes popullsisë, e cila e sheh si vazhdim të rebelimit të dhjetorit. Agjentët e policisë i kalojnë me tmerr orët e patrullimit rrugëve të Athinës, prej frikës se mund të jenë ata shënjestra e radhës. Pjesa më e madhe e sulmeve është drejtuar kundër forcave policore, të cilat konsiderohen si simbol i autoritetit të urryer shtetëror, veçanërisht pas vrasjes nga ana e një agjenti të 15-vjeçarit Aleksis Grigoropulos. Incidenti shkaktoi rebelimin e mijëra të rinjve, ngjarje që e mbajtën vendin peng për rreth tri javë.



shqip