standart
--

Chesley Sullenberger, “Unë nuk jam hero, bëra vetëm detyrën”

MARRë NGA “NEWS WEEK”





Rrëfehet piloti që shpëtoi jetën e 155 personave



“Gjithçka doja, ishte të flisja me familjen time dhe të kisha një palë ndërresa të thata”





“Një muaj më parë, unë ula avionin e fluturimit 1549 pa shkaktuar dëme në lumin Hudson. Në një farë mënyre, kjo ishte dhe pjesa më e kollajshme e gjithë asaj çka ndodhi. Natën e aksidentit, pasi u siguruam që të 155 pasagjerët e avionit lanë spitalin dhe iu drejtuan hotelit, mendimet më shkonin tek dy gjëra shumë të thjeshta: kisha humbur të gjitha sendet personale dhe kisha kaluar 3 minutat më të vështira të jetës sime, por ajo çka doja në ato momente, ishte të takoja familjen time dhe të kisha një palë ndërresa të thata. Tashmë ka kaluar një muaj nga dita kur avioni që pilotoja bëri një ulje të detyruar në lumin Hudson. Që prej atëherë, vëmendja që më është kushtuar mua dhe ekuipazhit tim, i cili nuk i kalon 5 personat, ka qenë e jashtëzakonshme. Por unë nuk mendoj ende se jam bërë një njeri i famshëm. Në fillim ka qenë shumë e vështirë, pasi më kishin veshur petkun e heroit, fjalë që më është dukur gjatë gjithë kësaj kohe e papërshtatshme. Ashtu siç e tha dhe gruaja ime në emisionin “60 minuta”, “hero quhet ai që hyn në një ndërtesë që digjet”. Rasti im ishte krejt i ndryshëm, pasi askush nuk kishte mundësi shpëtimi. Unë nuk kam zgjedhur atë që kam bërë. Në fillim vendosa që kur dikush të më ofronte një dhuratë si shenjë falënderimi, do ta pranoja me mirënjohje, por i vetëdijshëm se ajo nuk më përkiste vetëm mua. Pas disa kohësh, pata mundësi të shihja gjithçka nga një tjetër perspektivë, dhe tani kuptoj se si kjo ngjarje ka ndikuar në jetën e këtyre njerëzve. Kam kuptuar se sa njerëzit në ato momente donin të dëgjonin një lajm të mirë dhe të shpresonin sërish. Mendoj se pjesërisht kjo ka ndodhur dhe se Presidenca e SHBA-së po ndryshonte udhëheqje. Kemi kaluar në një recesion botëror ekonomik dhe njerëzit ndiheshin konfuzë, të frikësuar dhe kërkonin me çdo kusht të dëgjonin një lajm të mirë. Besoj se donin të ndiheshin të sigurt, se të gjitha gjërat që vlerësojmë, të gjitha idealet, ekzistojnë dhe janë këtu, edhe pse shpesh herë nuk shfaqen. Kur isha i ri, babai im më nguliti në mendje se një pilot është përgjegjës për sigurinë e çdokujt nën kujdesin e tij. Cilido piloti që i lëndohej qoftë edhe një nga pasagjerët e tij, për shkak të një gjykimi dhe parashikimi të gabuar të tij, ai kishte bërë një mëkat të pafalshëm. Im atë ka qenë dentist në marinë dhe ka punuar në Havai dhe San Diego 4 vitet e Luftës së Dytë Botërore, 1941-1945. Ai nuk pa kurrë luftë me sy, por njihte shumë vetë që luftonin. Në ushtri të formësonin me idenë se ti je i përgjegjshëm për mirëqenien e kujtdo.



Në çdo minutë të fluturimit besoja se mund të zgjidhja çfarëdolloj problemi që mund të më shfaqej. Ndihmëspiloti im i parë, Xhef Skiles dhe unë vepruam si çdo pilot: ne bëmë atë që jemi stërvitur të bëjmë. Vlerësuam çdo jetë në avion dhe e dinim shumë mirë që përgjegjësia jonë ishte t'i shpëtonim të gjithë, dhe jo të dekurajoheshim pas defektit në motor. Nuk u dorëzuam kurrë. Duke pasur një plan, ne mbajtëm shpresat tona gjallë, sepse në një situatë të tillë njerëzit që përfshihen nga paniku nuk reagojnë dot. Nuk ka rëndësi sesa të tmerrshme janë rrethanat në të cilat ndodhesh, apo sa pak kohë ke për të reaguar. E rëndësishme është që gjithmonë ekziston një mënyrë për të vepruar, edhe kur ajo është minimale. Ti mund të mbijetosh. Edhe pse ne ia dolëm, është krejt e natyrshme të mendosh po sikur të mos ia kishim dalë. Ky mendim më ka përndjekur ditët e para pas ngjarjes, kur në mbrëmje nuk mund të flija. Ishte shumë e vështirë kur vije kokën në jastëk të shkëputeshe prej atyre mendimeve. Nuk e bëja dot, nuk mundesha. Ishte pjesë e ankthit post-traumatik, të cilin e kemi kaluar të gjithë. Është e çuditshme, dy javët e para pas aksidentit, Xhefi më përsëriste: “Dua të më kthesh mbrapsht jetën time të vjetër”, ndërsa në ditën e 15-të më tha: “E di çfarë, dhe kjo ka nisur të më pëlqejë”. Kjo është gjë e mirë, pasi ai ka nisur të pranojë atë që ka ndodhur. Ai po kupton se është në qendër të vëmendjes dhe që ende është vetvetja. Sepse ta pranosh të jesh në qendër të vëmendjes, nuk do të thotë ta shesësh atë.



Veç mbështetjes së jashtëzakonshme që ka ardhur nga pasagjerët, ndjenjat më prekëse i kam përjetuar nga pilotët e tjerë. Ata më thonë se për shkak të viteve të vështirësive ekonomike të kompanive të fluturimit dhe punonjësve të tyre dhe pas rënies disi të prestigjit të këtij profesioni, ata nuk janë ndier krenarë për t'iu rikthyer pilotimit, madje ka nga ata që nuk e kanë bërë prej dhjetëra vitesh. Ndërsa tani më thonë se do ta bënin me kënaqësi dhe më falënderojnë mua për këtë. Na falënderojnë ne, ekuipazhin, sepse u kujtuam njerëzve se çfarë bëjmë çdo ditë. Ata ndihen sikur kanë rifituar edhe një herë respektin e humbur.



Çfarë do të bëj në të ardhmen? Do t'i rikthehem fluturimit me kompaninë time kur të jem gati. Nuk jam i sigurt se kur do të ndodhë, por besoj se brenda pak muajve. Nuk kam fjetur ende aq net sa do të doja në shtëpi. Familja ime dhe unë po përpiqemi me të gjitha mënyrat që kjo ngjarje të mos na e ndryshojë jetën, por të gjithë jemi të vetëdijshëm se nuk mund të jemi më si më parë. Rruga e jetës sonë ka ndryshuar përgjithnjë dhe ne jemi të vendosur me të gjitha mënyrat që kjo të ndodhë për mirë”.



Box



“Në fillim ka qenë shumë e vështirë, pasi më kishin veshur petkun e heroit, fjalë që më është dukur gjatë gjithë kësaj kohe e papërshtatshme”



“Në emisionin “60 minuta”, gruaja ime tha se “hero quhet ai që hyn në një ndërtesë që digjet”. Rasti im ishte krejt i ndryshëm, pasi askush nuk kishte mundësi shpëtimi. Unë nuk e zgjodha atë që bëra”



“Kur isha i ri, babai im më nguliti në mendje se një pilot është përgjegjës për sigurinë e çdokujt nën kujdesin e tij. Cilido piloti që i lëndohet qoftë edhe një nga pasagjerët e tij, për shkak të një gjykimi dhe parashikimi të gabuar të tij, ai ka bërë një mëkat të pafalshëm”



“Nuk ka rëndësi sesa të tmerrshme janë rrethanat në të cilat ndodhesh, apo sa pak kohë ke për të reaguar. E rëndësishme është që gjithmonë ekziston një mënyrë për të vepruar, edhe kur ajo është minimale, ti mund të mbijetosh”


22/02/2009


KOMENTE