Natyra e Njeriut
Në natyrën e njeriut janë të pranishëm dy elemente, njëri është konstant dhe i pandryshueshëm që i është dhënë njeriut me vetë aktin e krijimit, e ajo është Fitra, natyra e shëndoshë për të besuar përmes së cilës ai e ndien madhështinë e All-llahut dhe e adhuron Atë, duke shpresuar mëshirën dhe ndihmën e Tij: "O njerëz, frikësojuni Zotit tuaj, i cili ju krijoi prej një njeriu, nga i cili krijoi edhe shokun e tij për jetë dhe prej atyre dyve bëri shumë meshkuj dhe femra…" (En Nisa, 1)
Ky është element i përhershëm dhe i pandryshueshëm, që bazohet në themele të përhershme dhe të pandryshueshme. Ndërkaq, ekzistojnë edhe elemente tjera të ndryshueshme, të cilat ndërrojnë nga dita në ditë, si rezultat i progresit të njerëzimit dhe veprimit konstant të intelektit të njeriut kundrejt natyrës. Njeriu, çdo ditë, zbulon fshehtësitë e saj dhe zgjeron dijet e tij, duke u munduar që sa më shumë t'ia përshtatë natyrën vetes.
Njerëzimi, gjatë historisë, ka kaluar nga jeta nomade në atë urbane dhe prej asaj bujqësore në atë industriale…
Islami, si fe e natyrshme, e përcjell këtë natyrë të njeriut në këta dy elementë. Të parit, Islami i ofron besimin monoteist dhe moralin dhe përskaj tyre i ofron edhe ligjet e fuqishme dhe të pandryshueshme të Sheriatit. Ndërkaq, të dytit i ofron baza të forta, duke i lënë njeriut hapësirë dhe mundësi të përparimit të përhershëm në pajtim me themelet e parashtruara dhe në harmoni me natyrën e njeriut dhe ligjet e natyrës, duke përcjell zhvillimin e intelektit njerëzor dhe reagimin e tij në ndodhitë përreth tij.
Koncepti e drejta, e vërteta, që shpreh vlerat barazi, drejtësi, dhe koncepti jo e drejta, jo e vërteta, që shpreh tiraninë, padrejtësinë, paraqesin konstante që nuk zhvillohen e as nuk ndryshojnë me kalimin e kohës. Ndëshkimi, për krimet e bëra, i përket ligjeve të pandryshueshme të Sheriatit, sepse ka të bëjë me të vërtetën e pandryshueshme të lidhjeve të njeriut me njeriun, ose të njeriut me shoqërinë dhe me shenjtërinë dhe pacenueshmërinë e të drejtave të çdo njeriu.
Gjinia njerëzore përbëhet prej karakteresh të ndryshme.
Ndarja e Njerëzve në tri Kategori të Mëdha:
Ata të cilët janë të mirë dhe u rezistojnë të gjitha sprovave të këqija, përveç nëse detyrohen me dhunë;
Ata që janë të këqij dhe e gjejnë mënyrën që t'u ikin kontrollimeve dhe mbikëqyrjeve më të ashpra; dhe
Ata që sillen mirë nga frika prej ndëshkimit, kurse sillen keq kur sprovat dhe rrethanat janë të volitshme dhe dënimi më i lehtë.
Numri i kategorisë së parë është mjaft i kufizuar, dhe ata nuk janë objekt i dënimeve. Ndërkaq, dy kategoritë e tjera kërkojnë dënim në interes të shoqërisë.
Shprehja 'ukubat' (njëjësi 'ukube') përfshin dy lloj veprash: krimet dhe kundërvajtjet (shkeljet).
Meqenëse e drejta islame, parimisht, zbatohet mbi muslimanët, pavarësisht nga vendbanimi i tyre, muslimanët, të cilët bëjnë një vepër penale jashtë botës islame, do të dënohen kur kthehen në vendin e tyre.
Dispozitat e qarta juridike, të cilat definojnë veprat penale dhe sanksionet ndaj tyre si dhe domosdoshmërinë e procedimit të rreptë gjatë shqiptimit të dënimit, në të drejtën islame kanë sjellë deri tek themelimi i një ekuivalenti me parimin perëndimor të legalitetit të veprës penale dhe dënimit, sipas të cilit askush nuk mund të dënohet për një veprim, veçse nëse paraprakisht ai veprim është parashikuar si vepër penale dhe ndëshkimi për të është sanksionuar me ligj.
"…Askush nuk mund të privohet nga liria, veçse për arsye dhe sipas procedurave të parashikuara nga ligji".
Zoti në Kur'an thotë: "Ata që nuk gjykuan sipas asaj që ka shpallur All-llahu, ata janë njëmend të mbrapshtë" (El Maidetu, 47)
Ky ajet i obligon gjykatësit dhe organet tjera kompetente (ulul emr) se nuk mund të shqiptojnë dënime për një vepër, e cila nuk është shënuar që më parë si e dënueshme në mënyrë të qartë. Gjithashtu, atij nuk i lejohet të dënojë me ndonjë dënim tjetër, veç atij që është i paraparë me ligj.
Islami e njeh edhe parimin, sipas të cilit një person nuk mund të përgjigjet penalisht për një vepër, të cilën kur e ka kryer nuk ka përbërë shkelje. Ky parim ka hyrë në fuqi që nga koha e Muhammedit a.s. I Dërguari i Zotit, Muhammedi a.s. nuk i dënonte të konvertuarit e rinj në Islam, për veprat që i kishin bërë para konvertimit, edhe pse ato vepra ishin të ndaluara në Islam, meqenëse ata ato vepra nuk i konsideronin si shkelje dhe akoma nuk i njihnin për të tilla.
Këtë parim e ka konfirmuar edhe e drejta ndërkombëtare, për më shumë se njëmijë vjet pas asaj islame: "Askush nuk do të dënohet për veprime ose mosveprime, të cilat nuk përbëjnë shkelje sipas të drejtës kombëtare ose ndërkombëtare në kohën kur janë kryer…"
Krijoni Kontakt