A e ke të nevojshme të jesh në qendër të vëmendjes?

A të humbet humori kur njerëzit nuk ta varin?

A je gati te bësh gjithçka vetëm që ata të të pëlqejnë?

A e kanë të vështirë të pinë një kafe të dytë me ty, ata që të qortojnë?

A janë shokët e tu vetëm njerëzit që të thonë gjithmonë "po, po"?



Nëse përgjigja jote ndaj këtyre pyetjeve është "Po", atëherë jeta jote është në prangat e opinionit e të tjerëve. Opinioni i tyre kontrollon vendimet e tua. Ajo çfarë ata thonë ose nuk thonë, të ndikon më shumë se ç'duhet. Nëse ata të lavdërojnë ti ndjehesh i lumtur. Nëse nuk të pëlqejnë, ti mërzitesh për vdekje.



+ Djalli ka një plan për jetën tënde.


Djallit i pëlqen kjo gjë. Ai e di se për sa kohë ti ke këtë dobësi, nuk mund të përmbushësh planin e Zotit për jetën tënde. Kur ti vrapon garën të cilën Zoti ta dha, mjafton që djalli të nxjerrë disa njerëz që të tallen me ty dhe të të ulin poshtë dhe ti do ta humbasësh zemrën, do të dekurajohesh dhe do ta lesh garën. Ky është kurthi i tij. Djalli do që forca jote të varet te inkurajimi i tifozëve, te duartrokitja e tyre, te "bravo" e tyre. Ai e do këtë, sepse ai e di që tifozët nuk do të jenë gjithmonë aty të të mbështesin ty, madje shumë do të jenë kundër teje. Dhe kështu humbja jote do të jetë e sigurt.


Madje edhe nëse ti u kundërvihesh tifozëve dhe u thua që ti s'ke nevojë për ta, kjo është shenjë që ti ndjen nevojën e tyre dhe po përpiqesh të bindësh veten që jo.


Edhe nëse përpiqesh t'i bindësh se kush ti je dhe ç'vlera ke, ti prapë je në zgjedhën e opinionit të tyre. Sepse ti paske nevojë të madhe që ata ta dinë se kush ti je. Vërtet qenke i dëshpëruar që ata të bien dakord me ty dhe të të thonë që ti ke vlera?



+ Kjo është krizë e theksuar identiteti.


Ti nuk je i sigurt se kush je dhe ç'vlerë ke! Dhe pasigurinë tënde pret ta kompensojë opinioni i të tjerëve. Ti do që ata të të thonë që ti je dikushi, dhe atëherë kjo do të të vërtetojë që ti je vërtet dikushi. Këmbët e tua janë në një bazament të lëkundshëm, që shumë shpejt do të shembet dhe ti do të ta gjesh veten të rrëzuar përtokë.



+ Versioni i deformuar i Psalmit 23 mund të tingëllojë kështu:


1. Delet e tjera janë me mua, asgjë nuk do të më mungojë.

2. Ato më japin zemër të shkoj në kullota me bar të njomë, më drejtojnë pranë ujërave që të çlodhin.

3. Duartrokitja e tyre ma përtërin shpirtin, më bëjnë që të ndjehem i sigurt, nga mahnitja që përjetojnë kur më shohin mua.

4. Edhe sikur të ecja në luginën e hijes së disave që nuk duan t'ia dinë për mua, nuk do të kisha frikë nga kundërshtimet e tyre, sepse delet e tjera më rrethojnë; lavdërimi i tyre dhe fjalët e tyre të mira janë ato që më japin zemër.

5. Delet e tjera e dinë që unë e meritoj dhe prandaj ma shtrojnë tryezën në prani të armiqve të mi, që këtyre t'u vijë turp që nuk menduan mirë për mua që në fillim.

6. Me siguri aprovimi dhe miratimi do të më shoqërojnë në gjithë ditët e jetës time; dhe unë do të banoj në mes lavërimeve të deleve të tjera ditë të gjata.


A ju duket sikur këtij psalmi te deformuar i mungon një personazh? Madje personazhi kryesor: Zoti! A nuk thotë Davidi "Zoti është bariu im, asgjë nuk do të më mungojë"?


A mos i kemi larguar sytë nga Bariu i vërtetë dhe po presim nga delet që të zënë vendin e bariut? A mos po nxehemi kot dhe me delet që presim të bëjnë rolin e bariut me ne. A nuk duhet t'i lemë delet të jenë dele, dhe të kuptojmë që dhe ne jemi dele bashkë me to, dhe secili prej nesh ka nevoje vetëm për Bariun?



+ Lavdinë e kujt po kërkon?


Disa thonë që i besojnë Jezusit, por besimi i vërtetë nuk ka frikë njeriun, por ka frikë Perëndinë. Besimi i vërtetë do më shumë miratimin e Perëndisë sesa të njeriut.


Shih ç'thotë Shkrimi: "Megjithatë, edhe midis krerëve, shumë besuan në të (Jezusin); por, për shkak të farisenjve, nuk e rrëfenin, për të mos qenë të përjashtuar nga sinagoga, sepse donin lavdinë e njerëzve më tepër, se lavdinë e Perëndisë." (Gjoni 12: 42,43)

Kjo është e trishtueshme. Dhe besimi ynë duhet ta kalojë këtë provë patjetër.


Mateu 6:2 thotë: "Kur do të japësh lëmoshë, pra, mos i bjer borisë para teje, ashtu siç bëjnë hipokritët në sinagoga dhe në rrugët, për të qenë të nderuar nga njerëzit; në të vërtetë ju them, se ata tashmë e kanë marrë shpërblimin e tyre."


Pra, "donin lavdinë e njerëzve më tepër, se lavdinë e Perëndisë" dhe "për të qenë të nderuar nga njerëzit" dhe "ata tashmë e kanë marrë shpërblimin e tyre".


Në lidhje me këtë, më kujtohet historia një gruaje shërbyese të krishterë, që po rregullonte flokët në një parukeri. Parukieres i pëlqeu shumë një nga bizhuteritë e shërbyeses. Shërbyesja tregoi: "Fryma e Shenjtë më nxiti që t'ia jepja, dhe unë ia dhurova". Aq shumë u gëzua parukierja, saqë filloi t'u tregonte të gjithëve bizhuterinë dhe xhestin e shërbyeses. Shërbyesja vazhdoi të tregonte: "Kur pashë që të gjithë e kthyen vëmendjen te unë, kjo më bëri të ndjehesha mirë për veten time, që kreva një vepër të tillë". Pastaj Fryma e Shenjtë i kishte folur: "Shijoje mirë këtë ndjesi kënaqësie që po përjeton, sepse ky është i gjithë shpërblimi që do të marrësh për këtë që bëre!".


A s'thotë Shkrimi që kur njerëzit jetojnë "për të qenë të nderuar nga njerëzit" dhe jo nga Zoti, "ata tashmë e kanë marrë shpërblimin e tyre". Po ti nga kush po e kërkon shpërblimin tënd?



+ Ç'lloj ndihme i kërkon Zotit kur bëhet fjalë në lidhje me të tjerët?


Kjo është arsyeja pse unë çuditesha me disa besimtarë. Kishin probleme dhe kërkonin lutje ose këshillë. Problemi i tyre i vërtetë ishte që gëzimin e tyre e kishin varur te sjellja e deleve të tjera. Ankoheshin pse delet e tjera i kishin lënë në baltë. Lutja dhe këshilla ime për ta ishte që t'i hiqnin sytë nga delet dhe t'i kthenin te Bariu, se vetem Ai mund t'i ndihmonte. Por shumicën e kohës kjo këshillë u refuzua, sepse ata donin që unë apo Zoti të bënim një mrekulli duke ndryshuar delet e tjera, që ato të fillonin të aprovonin dhe nderonin personin në fjalë.


A e keni vënë re që sa herë ne i flasim Zotit për të tjerët Ai e drejton fokusin tonë te vetja jonë, duke na thënë që ne duhet t'i kthejmë sytë te Ai.



+ Kur kërkon patjetër aprovimin e njeriut, dy gjëra do të ndodhin me ty:


1) ose do të kesh një çantë plot me maska me vete, për të kënaqur këdo që të del përpara.
2) ose do të të lëndohedh dhe do të bëhesh zemërak me ata që nuk mendojnë si ty dhe nuk të duartrokasin.


E para është hipokrizi, e dyta është të ecësh me kokfortësi në drejtimin e gabuar. Por që të dyja kanë për bazë inferioritetin. Ti ndjehesh i vogël dhe i parëndësishëm dhe kërkon që të tjerët ta japin këtë rëndësi.



+ Ajo që njeriu të jep është e përkohshme.


"Sepse çdo mish është si bari dhe çdo lavdi njeriu si lule e barit; bari thahet dhe lulja bie" (1 Pjetrit 1:24). Edhe nëse ta dhurojnë, edhe nëse punon shumë për të marrë aprovimin e njeriut, e keqja e kësaj është se është e përkohshme. Shih ç'thotë Pali: " Dhe nuk kemi kërkuar lavdi prej njerëzve, as prej jush, as prej të tjerësh, megjithëse mund t`ju bëheshim barrë si apostuj të Krishtit." (1 Thesalonikasve 2:6)



+ Të kesh nevojë për aprovim është normale.


Aprovimi nuk është i keq. Eshtë i krijuar nga Perëndia. Më kujtohet që Mark Tuein thoshte: "Une mund të jetoj dy muaj me një kompliment që më bëjnë". Një fëmijë i vogël ka nevojë për aprovimin e prindit dhe kjo është normale. Ti dhe unë vazhdojmë të kemi nevojë për aprovim edhe tani që u rritëm. Problemi qëndron se nga kush kërkojmë ta marrim këtë miratim.



+ Eshtë koha për t'u mbështetur te gjërat e qëndrueshme.


Edhe vetë Jezusi kishte nevojë për aprovim. Por sa herë që njerëzit e lavdëronin dhe e mbështetnin, ai nuk e ushqente shpirtin e Tij te miratimi i tyre. "Shumë vetë besuan në emrin e tij duke parë shenjat që bënte, por Jezusit nuk u zinte besë atyre, sepse i njihte të gjithë, dhe sepse nuk kishte nevojë që ndokush të jepte dëshmi për njeriun, sepse ai e dinte ç`kishte përbrenda njeriut" (Gjoni 2:23-25).


Jezusit i dhanë lavdi edhe demonët, por Ai e refuzoi të ndjente vetëkënaqësi nga kjo gjë. Kur një demon i tha: "Unë e di se kush je ti: i Shenjti i Perëndisë!". ... Jezusi e qortoi duke thënë: "Hesht ...!". (Gjoni 4: 34,35)



+ Po Jezusi, te aprovimi i kujt e gjeti ngushëllimin dhe forcën?


Luka tregon ç'dëgjoi Jezusi gjatë pagëzimit: ... nga qielli erdhi një zë, që thoshte: ``Ti je Biri im i dashur, në ty unë jam kënaqur!``. (Luka 3:22). Ja cili ishte çelësi i ngushëllimit dhe forcës së Jezusit.


Mateu tregon ç'ndodhi kur Jezusi dhe 3 nga dishepujt patën një përjetim të mbinatyrshëm: ... ja një re plot dritë i mbuloi; dhe nga reja u dëgjua një zë që thoshte: ``Ky është Biri im i dashur, në të jam kënaqur: dëgjojeni!``.


Ja pse Jezusi nuk e kishte problem nëse njerëzit e mohonin dhe e kundërshtonin. Rezervuari i zemrës së Tij ishte i mbushur me dashurinë e Atit. Ai ndjehej aq i dashur, i pranuar dhe i miratuar nga Ati, saqë nuk e kishte problem reagimin e njerëzve.



+ Akoma nuk je i lodhur duke lypur për dashuri dhe aprovim në gjithë vendet e gabuara?


Vëlla dhe motër, kupto sot që askush, qoftë familja jote, qoftë shoqëria jote, qoftë kushdo njeri, nuk mund ta ngopë zemrën tënde dhe të të japë gjithë aprovimin që ti ke nevojë. Ndalo së qëni i mërzitur me njerëzit, duke u justifikuar që nuk të miratojnë dhe admirojnë.



+ Ja ku mund ta gjesh aprovimin dhe dashurinë për të cilën ke nevojë.


Para kryqëzimit Jezusi bëri një lutje të veçantë për ty. Ai i kërkoi Atit: "që bota të njohë ... që i ke dashur, ashtu si më ke dashur mua." Vëlla dhe motër, nëse ti mendon se Ati e do Jezusin më shumë se sa ty, e ke gabim. Jezusi e di që ti e ke të vështirë ta kuptosh këtë, prandaj u lut për ty; që me anë të veprimit të mbinatyrshëm të Frymës së Shenjtë, të kuptosh që ashtu si Ati deshi Jezusin, kështu të do dhe ty. Ati të do njëlloj si Jezusin.


Jezusi na tha: "Ati vetë në fakt ju do" (Gjoni 16:27). A mendon që Ati do të kishte dhënë Birin e Tij të vdiste për ty, nëse nuk do të të donte ty njëlloj sa Birin e Tij? A e sheh sa me vlerë dhe i çmuar je në sytë e Atit. Madje nëse do të kishe qenë i vetmi person në planetin tokë, prapë Jezusi do të kishte ardhur të vdiste për ty. Ti je i dashur në qiell!


Madje jo vetëm Ati të deshi dhe dha Birin për ty, por Biri të deshi dhe dha Veten për ty. "Jezusi ... duke i dashur të vetët që ishin në botë, i deshi deri në fund." (Gjoni 13:1)


Kur isha në fillimet e besimit tim, mendoja: "Ah sikur të isha bashkë me Jezusin kur Ai ishte në tokë. Ç'privilegj kishin disheujt, ata e panë me sytë e tyre dhe e dëgjuan me veshët e tyre." Por Jezusi na tha, që diçka më e mirë po vjen dhe tashmë ka ardhur: "Dhe unë do t`i lutem Atit dhe ai do t`ju japë një Ngushëllues tjetër, që do të qëndrojë përgjithmonë me ju, Frymën e së Vërtetës, që bota nuk mund ta marrë, sepse nuk e sheh dhe nuk e njeh; por ju e njihni, sepse qëndron me ju dhe do të jetë në ju." (Gjoni 14:16,17) Tani që Fryma e Shenjtë banon brenda çdo besimtari, ne kemi gjithë ngushëllimin, aprovimin, drejtimin, inkurajimin dhe fuqizimin e nevojshëm. Ti nuk ke nevojë të shohësh te njeriu, Vetë Zoti i Plotfuqishëm është me ty dhe sepse po jeton dhe vepron në ty.


Fjalët e fundit para se Jezusi të ngjitej në qiell ishin: "Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës" (Mateu 28:20).

"Vetë Perëndia ka thënë: ``Nuk do të të lë, nuk do të të braktis``. Kështu mund të themi, me plot besim: ``Perëndia është ndihmuesi im dhe unë nuk do të kem frikë; ç`do të më bëjë njeriu?``." (Heb 13:5,6)



+ Gëzohu dhe ec i lirë sot! Zoti të do!


Ji i lirë nga frika e njeriut! I lirë nga frika e opinionit! I lirë nga zgjedha e lavdërimit të njeriut!

Gjithë qielli është me ty! Ata që janë me ty janë më shumë se ata që janë kundër teje! Engjëjt, kerubinët, serafinët dhe krijesat e tjera qiellore janë me ty! Reja e dëshmitarëve, gjithë ata që vdiqën në Zotin janë në këmbë dhe po brohorasin për ty që të mbarosh me sukses garën tënde! Dhe mbi të gjitha Zoti është në anën tënde! ! Ti nuk je vetëm! Ke aprovimin e Atit, Jezusit dhe Frymës së Shenjtë. Zoti ësthë miku yt më i mirë! Zoti është ndihma jote e fuqishme! Zoti është me ty! Asgjë dhe askush nuk mund të të mposhtë, sepse ti dhe Zoti jeni shumica.


Je i bekuar, i dashur, i pranuar dhe i miratuar në Krishtin! Dhe engjëjt mahniten me vëmendjen që të është dhuruar. Eshtë momenti që ta kuptosh sa i aprovuar je nga Qielli dhe jetosh si fitimtar me Jezusin!


Sot mund të thuash me zë me plot besim:
"Nëse Perëndia është me mua, kush mund të jetë kundër meje? Ai që nuk e kurseu Birin e Vet, por e dha për mua, do të më dhurojë gjithçka tjetër që unë kam nevojë! Unë jam më shumë se fitimtar përmes Atij që me deshi dhe më do. Sepse unë jam i bindur se as vdekja, as jeta, as engjëjt, as pushtetet, as fuqia dhe as gjërat e tashme as gjërat e ardhshme, as lartësitë, as thellësitë, as ndonjë tjetër krijesë, nuk do të mund të më ndajnë nga dashuria e Perëndisë që është në Jezu Krishtin, Zotin tim" (Romakëve 8:31,32,37-39)